Universitetet duhet të përshtatën me realitetin e tregut të punës
24/08/2022 Shpërndaje

Universitetet duhet të përshtatën me realitetin e tregut të punës

Intervistë me Lutfi Dervishi. Pedagog në Universitetin e Tiranës, lektor i Gazetarisë Investigative për studentët master në Departamentin e Gazetarisë.

Ju keni tashmë një përvojë shumë të gjatë në universitet, çfarë keni parë të rëndësishme për zhvillimin e studenteve?

Së pari duhet thënë është dëshira: dëshira për tu bërë gazetar. Pa këtë dëshirë, çdo gjë tjetër është e parëndësishme. Nuk të duhen studime të thelluara, apo analiza të detajuara për zanatin e gazetarisë. Mjaft të kesh dëshirë, të jesh kurioz dhe punëtor. Të jesh gazetar i mirë do të thotë të mungojë informacioni dhe të mos jetosh dot pa informacionin, pa burimet e informacionit.

Ku mendoni se universitetet duhet të fokusohen më shumë që studentët e tyre të jenë një produkt i gatshëm për tregun e punës?

Duhet një përshtatje më e mirë me realitetin e tregut të punës dhe një garë për të qenë në një hap me kohën. Dikur tregu i madh i punës (dhe nuk po flas për ndonjë epokë të largët, por vetëm 20 vjet më parë) ishte gazeta. Më pas erdhi televizioni dhe tani janë portalet dhe rrjetet sociale. Për të qenë gazetar i mirë natyrshëm nuk mjafton vetëm të mësosh teknikat e shkrimit dhe raportimit të lajmit, analizës, apo reportazhit, – gazetari vdes nëse nuk furnizohet vazhdimisht me lëndë; filozofia, ekonomia, shkencat shoqërore janë të domosdoshme për të mbajtur gjithmonë plot rezervuarin e dijeve.

A krijojnë universitetet habitatin e mjaftueshëm për praktika e studentëve me median në mënyrë që pas mbarimit të studimeve, studentët të jenë më afër tregut të punës?

Katedra në Tiranë mesa di unë organizon praktika me studentët në media. Ndoshta duhet parë edhe modeli që një periudhë të konsiderueshme kohe nga 3-6 muaj studentët të kalojnë në “punë” dhe të rikthehen sërish në auditor.

A është gati një student i degës së gazetarisë për tregun e punës pas mbarimit të studimeve?

Po dhe jo. Po sepse ka marrë mjaftueshëm njohuri për lajmin dhe gazetarinë dhe jo sepse ndoshta ambienti ku shkon nuk respekton rregullat bazë të gazetarisë. Raportimin e verifikuar, etikën në raportim etj etj.

Cilat organizime apo zhvillime të tjera mund t’i ndihmojnë studentët të aftësohen shpejt profesionalisht?

Gazetaria është pasion dhe punë. Kur këta kombinohen me një ambinet profesioanl ky është fat. Kur gazetari ri ka edhe mbështetjen e një redaktori me përvojë atëherë e ardhmja e tij në profesion është e garantuar. Më shumë se te shkolla dhe tekstet shkollore, studentët duhet të kërkojnë më shumë nga vetja. Mos të presin përfundimin e studimeve për t’u quajtur gazetarë. Noti mësohet në ujë.

Ky material është realizuar në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi e organizatorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Kongresit Rinor Kombëtar apo Bashkisë Tiranë.

#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth #EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.