Jo ajo e ekraneve, kjo është Grida e “Myslym Shyrit”
Kjo zonjë quhet Grida Rakipi. Çdo ditë në mëngjes e gjen pranë koshave të mbeturinave duke hedhur plehrat e disa familjeve në zonën e “Myslym Shyrit”. Këtë punë bën prej 20 vitesh, nga ora 7 e mëngjesit deri në katër pasdite, tregon ajo për Pozitivin.
“Po çdo ditë e bëj këtë punë që 20 vite, paguhem nga familjarët. Një herë në muaj më japin nga 3 mijë lekë çdo familje. Po kaq vite kam që ua marr mbeturinat të njëjtave familje. Deri në orën 4 vazhdoj punën unë. I kam vënë orar vetes. Këto familjet s’kanë kosha afër por edhe përtojnë. Mbuloj disa familje që janë në Myslym Shyr”, thotë Grida, shkruan pozitivi.org.
Me makinën e saj të dorës me katër rrota, të vjetër dhe të mbushur plotë me plehra, kalon përmes rrugëve të makinave për t’i derdhur qeset në destinacion. Nga ora 7 e mëngjesit deri në katër të pasdites ka një program që ndjek çdo ditë. Më ra në sy sapo u fut në rrugicë, e drejtuar për te kazanet e plehrave.
Gridën e njihnin të gjithë. Qytetarët që kalonin aty pranë për të shkuar drejt punëve të tyre, të gjithë e përshëndesnin. Ajo kishte një sjellje shumë miqësore me ta. Ishte gjithë kohës e qeshur dhe gazmore. Lëshonte batuta me secilin që kalonte dhe kjo mënyrë të sjelluri tregonte se ata njiheshin prej vitesh. Ndërsa bisedonte me qytetarët, nisi të lirojë mbeturinat nga litarët me të cilët i kishte lidhur.
Ndërsa prisja anës rrugës, më hodhi ca vështrime, sikur donte të mësonte diçka dhe për mua, ashtu siç dinte për shumicën e banorëve. Unë i buzëqesha dhe kaq mjaftoi që të linte karrocën me plehra në cepin tjetër të rrugës, e të më afrohej. Kurioziteti më shtyu që të mësoj më shumë mbi të dhe ditët e saj. “Çdo ditë çohem në orën 7 dhe në 7 e gjysmë nisem për në punë, pi kafenë pastaj filloj punën. Filloj të mbledh mbeturinat që nga pallatet, mbaroj këtë rrugicë dhe i vazhdoj të gjitha me rradhë. Disa rrugicai kanë pak larg kazanet, ndërsa kjo rrugica ka kazana, por edhe njerëzit janë bërë dembela, ca s’kanë kohë, dhe ca nuk ndalojnë dot makinën. Kështu ua marr unë çdo ditë mbeturinat pranë familjeve dhe i hedh”, tregon ajo gjatë bisedës.
Më bëri përshtypje sa e qeshur ishte, ndryshe nga shumë fytyra të qytetarëve që kalonin përmes rrugës atë mëngjes, të cilët ndonëse të veshur me kostume të shtrenjta dhe në dukje serioze, ishin me nxitim, përgjumësh, të ngrysur. Tregonin një gjendje tjetër nga Grida.
E pyes nëse ndihej e bezdisur duke bërë çdo ditë këtë punë, por përgjigjia dhe reagimi i saj më bënë shumë përshtypje. “Jo” më tha, sepse të punosh me nder, nuk është turp. “Jo aspak. Ndihem tepër mirë. E di pse po të tregoj për punën time. Vetëm për të të treguar se ai që do të punojë i vë gishtin kokës dhe përpiqet. Ja si kam gjetur unë, kam menduar se s’kam pasur asnjë mundësi çfarë të bëja. Por e gjeta dhe fitoj të ardhura mjaftueshëm për veten. Të punosh me nder nuk është turp”, shton më tej ajo me një fytyrë të qeshur.
Një përgjigje që më la mbresë duke pasur parasysh çfarë bën ajo. Njëkohësisht më bëri të reflektoj dhe të kuptoj se shpesh ankohem dhe mërzitem kot me punën time, ashtu si shumica e njerëzve bëjnë. Ne shpenzojmë shumë kohë duke u ankuar, në vend që ta vlerësojmë atë që kemi.
Në fillim kur më tha si quhej, e pyeta për së dyti. “Rida”, e pyes sërish me zë të ulët. “Jo jo Grida Rakipi”, më tha. “Grida”, dhe qesha, se më erdhi në mendje deputetja Grida Duma. Kaq shpesh sa e shohim në ekrane, na është bërë mendja Gridë, dhe mendova se do e kem dëgjuar gabim. Pak më vonë dha një intervistë të shkurtër, përpara kamerës, mbi gjendjen e koshave të mbeturinave në njësinë 7.
E imagjinoja në vendin e deputetes së PD, dhe atë në vendin e Gridës së Myslym Shyrit. Jo e pamundur, por jam e sigurt që Grida e Myslym Shyrit s’do ishte kaq e lumtur dhe e qetë nëse do ndërronte rolet. Megjithëse edhe ajo tashmë ka krijuar popullaritet në njësinë 7, dhe këtu ka ndikuar shumë puna që ka bërë për vite me rradhë. Rastësisht mësova se në Tiranë, gjendet një tjetër Gridë, e cila për herë të parë doli atë ditë në kamera, ndonëse ka 20 vite që punon dhe jeton me nder si shumë qytetarë të tjerë të qytetit.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.






