Suzana fiton çmimin “Infermiere me zemër” në Gjermani
28/12/2019 Shpërndaje

Suzana fiton çmimin “Infermiere me zemër” në Gjermani

Objekti në Gevelsberg ka 82 shtretër dhe punëson shtatëdhjetë persona. Njëra prej tyre, Suzana Krasniqi, mori çmimin “Infermiere me zemër”.

Suzana (majtas) së bashku me drejtoreshën Kerstin Thiel (foto: Lokalkompas)

Gjatë muajve të fundit gazeta Lokalkompas ka shqyrtuar temën e infermierisë nga këndvështrime të ndryshme me moton “Kujdesi për pacientët”. Për finalen e serisë ka kërkuar “infermierë me zemër”. Shqiptarja Suzana Krasniqi, e ardhur vetëm katër vjet më parë nga Shqipëria, është njëra nga dy të zgjedhurit në regjionin WAP të landit gjerman Nordrhein-Westfalen. Tjetri është Lars Beuth.

Ajo është një infermiere me zemër – të paktën kështu mendon Robert Witte, i cili ka sugjeruar 45-vjeçaren shqiptare Suzana Krasniqi për serinë “Infermier me zemër”, transmeton albinfo.ch. Qasja e saj e dashur dhe e natyrshme kishte pasur efekt shumë pozitiv në vjehrrën e saj të verbër dhe me kufizime të rënda trupore. Mbi të gjitha, atë e dallon vëmendja e theksuar për nevojat e njerëzve.

Nëna e dy fëmijëve ka një histori prekëse. Në vitin 2015 ajo u largua nga Shqipëria në Gjermani me burrin e saj dhe dy vajzat. Në vendin e saj, ajo ishte kujdesur për vjehrrën e sëmurë në shtëpi për 23 vjet. Tani familja po përballej me një fillim të ri të vështirë. Kur kishte ardhur në Gjermani ajo nuk kishte asnjë punë dhe qëndronte para një të ardhmeje të pasigurt.

Shkrimtarët Klaus Hufnagel dhe Jürgen Taake lexojnë histori të shkurtra herë pas here në vende të ndryshme – Klaus Hufnagel është gjithashtu aktiv në ndihmë të refugjatëve në rrethin Ennepe-Ruhr dhe aty u njoh me shqiptaren. Në atë kohë, gjermanishtja ishte gjuhë tërësisht e huaj për Suzanën. Hufnagel caktoi një kontakt me Kerstin Thiel, menaxhere në një qendër për mirëqenien e punëtorëve. Suzana bëri një stazh atje dhe me mënyrën e saj simpatike për t’u marrë me banorët, e bindi menjëherë Kerstin Thiel. Prandaj, ajo i ofroi asaj një kontratë si ndihmëse infermierie, përcjell albinfo.ch. “Kjo ka ndodhur para tre vjetësh”, thotë Kerstin Thiel.

Për Suzana Krasniqin dhe familjen e saj ky ishte fillimi i një jete të re. Në ndërkohë, bashkëshorti i saj ka gjetur po ashtu një vend pune, ndërsa vajzat, 17 dhe 21 vjeçe, vijojnë shkollimin gjegjësisht zanatin. Nëse familja mund “ta shtyjë” pa ndihma shtetërore edhe për dy vjet të tjera, leja e qëndrimit të përhershëm në Gjermani bëhet realitet. “Patjetër që duam të jetojmë këtu”, thotë Suzana Krasniqi dhe është shumë e lumtur për çmimin “Infermiere me zemër”. Vlerësimi i punës së saj në kushtet e saj specifike, është i mirëseardhur për të.

“Në fillim ajo me të vërtetë fliste shumë pak gjermanisht por u bënte shumë mirë banorëve tanë edhe me komunikimin e saj joverbal. Asaj i pëlqen t`i prekë, i përqafon me dashuri dhe u jep ngrohtësi. Ajo u fal buzëqeshje fytyrave të shumë banorëve”, thotë Kerstin Thiel, përcjell albinfo.ch. Menaxhmenti i objektit është shumë i interesuar për Suzanën dhe do të dëshironte ta motivonte atë për t’u trajnuar. Përveç aktiviteteve në kujdesin themelor, është mbi të gjitha simpatia që dallon Suzana Krasniqin. “Ndonjëherë ju pothuajse duhet t’i mbroni ata nga vetja”, buzëqesh Kerstin Thiel, transmeton albinfo.ch. Vetë Suzana thotë: “Më pëlqen të vij këtu. Për mua, Kerstin Thiel është si një engjëll dhe të jetosh këtu është parajsë”.

Objekti në Gevelsberg ka 82 shtretër dhe punëson shtatëdhjetë persona. Njëra prej tyre, Suzana Krasniqi, mori çmimin “Infermiere me zemër” – ajo e bart  me kënaqësi këtë mirënjohje, në emër të shumë njerëzve të tjerë të dashur në kujdesin spitalor.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.