FURRAT E BUKËS & FARMACITË, BOOM HAPJESH!
15/01/2021 Shpërndaje

FURRAT E BUKËS & FARMACITË, BOOM HAPJESH!

Covid-19 mbylli mbi 2000 biznese të vogla në Tiranë gjatë vitit 2020.  Pandemia ndryshoi jetën e çdo shqiptari! Përveç aspektit shëndetësor, ana tjetër e medaljes ishte dhe vijon të jetë  buxheti i çdo familje, i cili u prek ku më pak e ku më shumë, tek secili nga ne.

Sipas të dhënave zyrare nga Drejtoria e Tatim Taksave Vendore, të Bashkisë Tiranë, gjatë vitit që lamë pas figuronin të regjistruara në kryeqytet 47 mijë biznese të vogla. Në harkun kohor tw muajve Mars-Dhjetor 2020, 2081 prej tyre “vendosën drynin”.  Aurela Çela, përgjegjëse e Sektorit të Menaxhimit të Borxhit Tatimor, pranë Drejtorisë Vendore të Taksave, shprehet se karantina ndikoi mjaft negativisht në klimën e biznesit në tërësi.

“Periudja e karantinës, e cila u vendos nga qeveria në kuadër të masave për parandalimin e Covid-19, ka ndikuar kryesisht tek biznesi i vogël. Përvec periudhës Mars-Prill që shumica e biznesve u pezulluan, por edhe në vijim pas muajit Maj, që një pjesë e mirë rinisën aktivitetin, u vu re një rënie e fuqisë blerëse. Kjo pasi konsumatorët kanë qenë më tepër të fokusuar në blerjen e atyre produkteve më jetike për familjet e tyre, si ushqimet dhe ilaçet. Ndërsa pjesa tjetër e produkteve ka pasur një kërkesë shumë më të ulët se zakonisht” shprehet Çela.

Rënia e fuqisë blerëse, bëri që të ulen të ardhurat për bizneset dhe në të shumtën e rasteve shpenzimet nuk janë përballuar dot, ndaj shumica prej tyre kanë nisur me shkurtime të stafit e deri në mbyllje të aktivitetit. Në fakt, ky detaj reflektohet edhe në të dhënat zyrtare të INSTAT për shkallën e papunësisë në vend. Në raport me vitin 2019, kjo shkallë është rritur në tërësi për moshën nga 30 deri 64 vjeç, nga 8.8 në 9.5 përqind për vitin 2020. Por, grupmosha më e prekur, po sipas të dhënave të INSTAT, duket se janë të rinjtë nga 15 deri 29 vjeç, papunësia e të cilëve në tremujorin e dytë të vitit 2020, ka arritur deri në 21.4 përqind.  Bie në sy gjithashtu fakti se femrat në raport me meshkujt e kësaj moshe, kanë qenë më të goditura nga papunësia. Arsyeja mbase  gjendet tek lloji i shërbimeve që janë mbyllur, e që punësojmë më shumë femra se meshkuj. Kjo reflektohet edhe nga të dhënat zyrtare të Tatim Taksave Vendore.

“Janë njësi shërbimi si parukeri, shërbime fotokopjimi, pastrim kimik dhe tregëti me pakicë, si veshje, këpucë e të tjera si këto. Sigurisht edhe bar- restorantet, që kanë qenë më të prekurit nga pandemia” tregon Aurela Çela mbi llojin e biznesit të vogël që është prekur më shumë nga falimenti. Ky format i biznesit të vogël, që është prekur më shumë në Tiranë, ka gjetur reflektim edhe nëpër qytetet e tjera të vendit. Në nivel kombëtar, sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, për vitin 2020 kanë mbyllur përfundimisht aktivitetin e tyre 4887 mijë subjekte dhe e kanë pezulluar punën, rreth 7600 mijë të ngjashëm.

BIZNESET QË LULËZUAN NË PANDEMI

Në kohë të vështira si kjo e përballjes me një virus që fsheh shumë të panjohura, ka pasur dhe “trëndafila në shkretëtirë”. E kemi fjalën për ato biznese të vogla, që jo vetëm nuk kanë njohur humbje, por përkundrazi, fuqia blerëse është drejtuar nga ata. Të dhënat zyrtare të Tatim Taksave Vendore, por edhe më gjërë, tregojnë se furrat e bukës dhe farmacitë, kanë pasur një rritje të ardhurash në këtë periudhë. Madje, sipas Aurela Çelës, ka pasur nga ato biznese, të cilat e kanë shndërruar qëllimin e tyre të punës duke e orientuar pikërisht rreth këtij lloj aktiviteti.

“Ne kemi pasur një fluks regjistrimesh në këtë periudhë që flasim, ku shumica prej tyre kanë qenë të fokusuar tek farmacitë dhe furrat e bukës. Duke qenë se këto lloj subjektesh kanë qenë mjaft të frekuentuara nga blerësit, për shkak të atyre nevojave jetike që thamë, kemi vënë re shtim të regjistrimeve” tregon për Pozitivi, zyrtarja e Tatim Taksave Vendore të Bashkisë Tiranë.

Në fakt, sipas të dhënave zyrtare nga Qendra Kombëtare e Biznesit, paralel me mbylljen e shumë aktiviteteve, ka edhe rritje të atyre që janë regjistruar përgjatë vitit që lamë pas. Konkretisht shifra e biznesit të vogël të ri, mbi 5 mijë të tillë në Tiranë, është më e lartë se e atij që e ka pezulluar punën. Kjo vlen edhe në panoramën e përgjithëshme të vendit, ku për vitin 2020 figurojnë të regjistruar 13.964 mijë biznese të rinj.

SI NDIKUAN POLITIKAT LEHTËSUESE?!

Në muajin Maj 2020, vendi iu rikthye një aktiviteti deri diku normal, duke respektuar rregullat e realitetit të ri të pandemisë Covid-19. Sipas të dhënave zyrtare si nga Tatim Taksat Qendrore dhe ato Vendore, pati një përmiresim të të dhënave, pasi nisi të rritet likujditeti dhe qarkullimi i xhiros. Bashkia e Tiranës, reduktoi ose hoqi për një periudhë të caktuar të vitit, taksat për biznese si bare-restorante, shoqëritë e transportit dhe hotelet, me qëllim lehtësimin e barrës fiskale.

“Për periudhën Mars-Prill, Maj-Qershor 2020, subjektet si bar/restorant janë përjashtuar nga tarifa e hapësirës publike. Është ulur me 30 përqind taksa e ndërtesës për të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitet hoteleri. Janë përjashtuar për 10 muaj nga taksat dhe tarifat vendore, të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitetin e transportit qytetas dhe ndërqytetas. Kjo ka ndikuar pozitivisht  në rritjen e biznesit, në rritjen e të ardhurave, mundësinë për të paguar taksat, pasi shumica e bizneseve kanë qenë të përgjegjshëm për t’i paguar ato” tregon Aurela Çela si pjesë e Tatim Taksave Vendore të qytetit.

Por, pavarësisht kësaj politike lokale apo qëndrore për lehtësim të situatës, biznesi i vogël vijon të jetë në vështirësië edhe për vitin 2021. Vjelja e detyrimit tatimor ka qenë i vështirë dhe shumë prej këtyre bizneseve kanë aplikuar me kërkesa për shtyrje afatesh apo falje detyrimesh për shkak të vështirësive që kalojnë.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.