Trendet në mediat sociale në vitin 2020 që janë të rëndësishme për gazetarinë
09/02/2020 Shpërndaje

Trendet në mediat sociale në vitin 2020 që janë të rëndësishme për gazetarinë

Duke u përpjekur të mbesin në hap me zhvillimin e teknologjsë, mediat e reja nga viti në vit po ndryshojnë drastikisht. Në botën e digjitalizimit, gjithnjë e më shumë po largohemi nga mediat klasike, siç është shtypi e televizioni, dhe po kthehemi drejt mediave në sferën online. Sfera online u shndërrua në burimin parësor të mbërritjes deri te informacioni, e sidomos përdorimi i rrjeteve sociale. 

Duke pasur parasysh se rrjetet sociale po ndryshojnë kaq shpesh dhe se po përdoren gjithnjë e më shumë, për gazetarët dhe përgjithësisht në mediat është e nevojshme të jenë krah për krah me ndryshimet dhe trendet aktuale. Mediat shërbejnë për t’i sjellë publikut informacione relevante dhe interesante, por ardhja deri te ato informacione ka ndryshuar shumë me ardhjen e rrjeteve sociale.  

Rrjetet sociale si burimi kryesor i informacionit

Gjithnjë e më shumë jemi dëshmitarë se madje edhe mediat klasike, shtypi dhe televizioni, po e kuptojnë rëndësinë e mediave sociale dhe krijojnë profilet e tyre në këto rrjete. Nga ana tjetër, nuk ekziston portal online i cili përveç domenit të vet në internet nuk ka profil të krijuar në media sociale. Fred Turner në librin e ri të Petar Jandric-it “Dituria në epokën digjitale” të botuar në vitin 2019 duke komentuar mediat e reja flet për përshpejtimin dramatik të grumbullimit dhe përhapjes sëw lajmeve, si dhe për diversifikimin dramatik të numrit dhe llojit të njerëzve të cilët mund t’i kuptojnë gjërat të cilat do të mund të futeshin në kategorinë e lajmeve dhe t’i shpërndajnë ato duke ua bërë më të lehtë gazetarëve të kapin copëza të informacioneve nga e gjithë bota. 

Duke pasur parasysh këtë, gazetarëve mediat sociale mund t’ua lehtësojnë shumë ardhjen deri te informacionet e ndryshme të cilat mund të kenë rëndësi shoqërore. 

Fakti se pikërisht përmes rrjeteve sociale, si Facebook apo Twitter, më së shumti shpërndahen informacionet, nuk është për t’u habitur se rrjetet sociale ofrojnë potencial të madh për nxjerrjen e informacioneve si dhe shpërndarjen e përmbajtjes mediale. Trendi i marrjes së informacioneve nga rrjetet sociale nga figurat publike si politikanë, aktivistë e influencerë, është i pranishëm tash e disa vjet. Tashmë gjithnjë e më shumë lajme krijohen nga një tweet a status i vetëm në Facebook. 

Por, duhet pasur kujdes kur bëhet fjalë për rrjetet sociale, meqë gjithnjë po rritet edhe trendi i lajmeve të rrejshme të cilat po përhapen me shpejtësi të madhe. Përgjegjësia e mediave për të verifikuar informacionet të cilat i marrin nga rrjetet sociale është tejet e rëndësishme, dhe atë gjithmonë duhet ta kemi parasysh.

Ka një numër të madh trendesh të identifikuara në rrjetet sociale për vitin 2020, nga shumë mënyra për blerje, shfrytëzim të inteligjencës artificiale (AI), e deri te ndryshimi i ndikimit të influencerëve. Por, kur flasim për gazetarinë, sipas mendimit tonë mediat në Ballkan duhet t’u kushtojnë vëmendje së paku këtyre tri trendeve, të cilat definitivisht mund t’i japin kontribut mediumit tuaj.

Rrjeti social TikTok vazhdon të rritet

Rrjeti social TikTok vjen nga Kina dhe është krijuar në shtator të vitit 2016. TikTok u jep përdoruesve mundësinë të krijojnë, të shpërndajnë e të zbulojnë video të shkurta rëndom deri në 15 sekonda, por me mundësinë e bashkimit të videove me kohëzgjatje deri në 60 sekonda. Ky rrjet është krijuar fillimisht me idenë e prodhimit të videove të shkurta për imitimin e këndimit (lip sync), për komedi si dhe video për shpërfaqje talentesh të ndryshme.  Por, siç ndodh rëndom me rrjetet sociale, temat dhe synimi ndryshojnë drastikisht, dhe kështu sot në TikTok mund të gjeni video klipe të ndryshme. Rrjeti fillimisht i dedikohet publikut më të ri, të ashq. brezi Z. Sipas të dhënavenga viti 2019 shumica e përdoruesve janë të moshës deri 24 vjeç.

Rrjeti social TikTok sipas informacioneve më të fundit nga janari numëron më shumë se një miliardë përdorues, dhe pritet që popullariteti i tij të rritet në vitin 2020.  Ky rrjet social, falë formatit dhe përmbajtjes së tij, ka arritur të lulëzojë gjatë vitit 2019. Fokusi i përmbajtjes së TikTok-ut është shpërndarja e videove të shkurta që zakonisht janë argëtuese dhe të cilat i bëjnë të qeshin përdoruesit. Një numër i madh i memo-ve dhe këngëve janë bërë të popullarizuara pikërisht falë TikTok-ut, dhe ky trend definitivisht do të vazhdojë edhe në vitin 2020.  Shumë pyetje po shtrohet rreth asaj se a mund të shfrytëzohet ky rrjet për gazetari. Përgjigjja me siguri fshihet te logjika e faktit se çdo rrjet i deritanishëm është shfrytëzuar dhe definitivisht do të shfrytëzohet për zhvillimin e gazetarisë në të ardhmen. Në vitin 2019, Washington Post e ka parë potencialin e ardhjes së publikut të ri përmes rrjetit TikTok dhe vetëm për 3 muaj ka tërhequr më shumë se 78,000 ndjekës. 

Formati më i gjatë i videos dhe zgjatja e kohës së shikimit të videove

Nuk ka dyshim se video klipet tashmë janë bërë përditshmëri e të gjithë njerëzve që kanë telefona të mençur. Çdo ditë shikojmë numër të madh video klipesh të shkurta, qoftë video argëtuese apo qesharake qoftë fragmente të shkurta nga konferencat për shtyp, mbledhjet e qeverisë apo reportazhe informative.  Por, përgjatë vitit 2019 është shënuar rritje e kohëzgjatjes së video klipeve që kryesisht silleshin deri në 30 sekonda. Madje edhe rrjetet sociale, si Instagram, kanë sjellë opsione të reja (IG TV) të cilat ju mundësojnë të plasoni video formatesh më të gjata. 

Sipas agjencisë së marketingut Zenith, njerëzit aktualisht kalojnë rreth 84 minuta në ditë duke shikuar video xhirime.  Studimi të cilin kjo agjenci e ka realizuar tregon se ky numër deri në vitin 2021 mund të rritet në 100 minuta në ditë. Në këto 100 minuta të shikimit të videove bëjnë pjesë klipet nga rrjetet sociale, siç janë storiet në Instagram dhe Snapchat të cilat çdo ditë i shikojnë më shumë se një milion përdorues. Storiet në Instagram kanë më shumë se 500 milionë përdorues ditorë, dhe ky numër gjithashtu po rritet dita-ditës. Nëse merret parasysh rritja e rrjetit TikTok, mund të pritet që numri i minutave të cilat përdoruesit i kalojnë duke shikuar video do ta tejkalojë edhe këtë numër. 

Krijimi i podcast-ëve në rritje

Mediat në botë, por edhe në Ballkan, gjithnjë e më shumë po e shohin se përmes formatit të podcast-it mund të tërheqin numër të madh të ndjekësve. Vitin që lamë pas kemi shkruar për temën e podcast-ëve, dhe përmes shembujve të disa mediave ballkanike ju kemi treguar për llojet e podcast-ëve të cilat mund t’i lansoni. Shembulli më i ri nga Ballkani që ka vendosur të nisë këtë formë të përmbajtjes është portali Krik nga Serbia.  Duke pasur parasysh se po rritet koha e cila kalohet për të shikuar video xhirime, ky format, megjithëse kryesisht bazohet në audio format, po bëhet gjithnjë e më i popullarizuar. Gjithnjë e më pak po lexohen lajmet, dhe gjithnjë e më shumë publiku dëshirën të dëgjojë për tema të ndryshme. Në këtë aspekt, prodhimi i emisioneve me podcast definitivisht do t’i ofrojë një hapësirë të re gazetarisë.

Përfundimi

Rrjetet sociale do të vazhdojnë të ndryshojnë dhe përdorimi i tyre në media do të jetë gjithnjë e më i madh. Duke u nisur nga kjo, ju sugjerojmë që sa më parë të mendoni për trendet të cilat i kemi përpara dhe t’i integroni në gazetarinë tuaj. 

Kjo listë gjithsesi nuk është përfundimtare kur bëhet fjalë për trendet në rrjetet sociale, por gjithsesi mund t’ju japin pasqyrë më të qartë të rëndësisë së shfrytëzimit të të gjitha potencialeve të cilat ato mund t’ju ofrojnë. 

Pubilku juaj do të kërkojë që ju të përshtateni dhe të sillni freski në redaksitë tuaja, shkruan balkansmedia. Përmes krijimit të formateve të reja gjithsesi do ta ruani publikun e deritanishëm, por edhe do të tërhiqni publik të ri. 

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.