Përtej konfliktit
30/05/2026 Shpërndaje

Përtej konfliktit

Rezarta Delisula

Gazetare. Tregimtare e historive përtej konfliktit.

Një reflektim mbi luftën dhe paqen, të vërtetën dhe etikën, dhe njerëzit që mbeten gjithmonë në qendër të çdo historie.

“Unë jam gazetare. Dhe pastaj gjithçka tjetër: femër, vajzë, nënë, bijë. Sepse kur zgjedh këtë profesion, ai nuk mbetet një punë. Bëhet mënyra si sheh botën. Edhe kur ajo botë është në konflikt.

Unë jam Rezarta Delisula, tashmë prej 3 dekadash gazetare në një vend e në një rajon që ka jetuar më shumë ndarje sesa pajtime.

Por nuk do të flas për historitë në vetvete, ato janë shkruar, publikuar e transmetuar nga unë e koleget e mia. Do të ndalem te përjetimi im përballë ngjarjeve me tension, siç ishte vjeshta e vitit 2023, dy ditë pas sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës, ku mbeti i vrarë një polic. Sapo kalova Vushtrinë. Heshtja që kaploi ato 30 kilometra deri në zonën e nxehtë jo vetëm që më shtoi pasigurinë, por gati-gati frikën për veten. Jo vetëm si gazetare. Si njeri. Asnjë deklaratë zyrtare ditën që u nisa, asnjë titull lajmi se ç’ndodhte në Banjskë.

Ishte fiks ai moment kur gazetari e kupton se, para se të niset, duhet të dijë të lexojë frikën e vendit ku ndodhet.

Dhe frika nuk është gjithmonë zhurmë; ndonjëherë është heshtje. Dhe në atë heshtje, e kuptova që diçka kishte ndodhur, përpara se ta konfirmonin lajmet.

Mora makinën dhe u nisa vetëm drejt veriut të Kosovës. Ajo që kisha me vete ishin vetëm disa numra policie në bllok.

Kur hyra në fshat, ajo që më goditi ishte qetësia. Një qetësi e rëndë, që të krijonte ndjesinë se gjithçka mund të shpërthente sërish. Fshati dukej pothuajse i braktisur. Tek-tuk shihje ndonjë banor që shmangte kontaktin me sy.

Kur i pyesja si jeni, përgjigjja ishte e shkurtër: “Është qetë, s’kemi probleme.” Por mënyra si më evitonin fliste më shumë.

Në konflikt, kupton se njerëzit nuk të tregojnë atë që dinë; të tregojnë vetëm aq sa guxojnë.

Vetëm dy-tre patrulla të forcave speciale të policisë kalonin nëpër fshat, rreth manastirit në të cilin shenjat e plumbave dalloheshin qartë.

Dhe ky moment që për mua ishte i frikshëm, u tjetërsua kur shkova për vizitë në shtëpinë e policit të vrarë, Afrim Bunjaku. Përballë bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, pyetjet humbën formën klasike të intervistës. Nuk mund të hyja si gazetare të vëzhgoja ngjarje e fakte pa vërejtur dhimbjen në atë shtëpi, ku atmosfera dhe veshjet ishin në zi. Arrita me shumë përpjekje të marr letrën që djali 10-vjeçar i kishte shkruar të atit. Në fund mbyllej me fjalinë: “Babait tim, Heroit tim.” Dhe në atë moment nuk isha më vetëm gazetare. Isha një njeri përballë dhimbjes së një familjeje.

Janë ato momente kur profesioni dhe njeriu përplasen fort brenda teje. Duhet të dëgjosh, të dokumentosh, por edhe të kontrollosh emocionin që të mos bëhesh pjesë e dhimbjes deri në atë pikë sa të humbasësh kthjelltësinë profesionale.

Mendova se isha përgatitur pas shumë vitesh në këtë profesion, i kisha marrë masat. Kur shkon në një zonë tensioni, përgatitja fillon shumë përpara se të mbërrish. Nuk mendon vetëm për kamerën, regjistruesin, bllokun apo telefonin. Mendon për çdo detaj: dokumentet, kontaktet e sigurta, baterinë rezervë, rrugën e kthimit, njerëzit që mund të telefonosh në rast nevoje.

Si grua, kjo përgatitje ka edhe një dimension tjetër. Çanta e krahut nuk mbushet vetëm me laps e letër, por edhe me gjëra që ndoshta nuk i mendon askush kur sheh një gazetare në terren: ujë, ilaçe bazë, një veshje neutrale, gjithçka që të lejon të lëvizësh pa tërhequr vëmendje.

Në konflikt nuk ke luksin të dukesh e pasigurt, edhe kur brenda vetes e ndjen dhe je duke matur çdo hap. Këto masa i kisha marrë, por përgatitjen kryesore e kisha bërë me veten: të raportoja fakte, të isha njerëzore, por dhe profesionalisht e paanshme.

Raportimet në kohë të turbullta kanë ndjekur gjithë ecurinë time profesionale. Kur nisa punë në vitin 1996, Shqipëria ime ishte ende në kaos. Sapo kishim dalë nga viti famëkeq ’97. Në ’98-ën u vra deputeti Azem Hajdari dhe nisën rrëmujat. Ne në terren nuk raportonim thjesht lajme. Raportonim plagë të hapura. Punonim në një kohë kur nuk kishte ligje të shkruara që mbronin gazetarët. Baza jonë ishin ligjet morale dhe ato të profesionit. Profesion që ushtrohej në kohën kur presioni vinte jo vetëm nga pushteti, nga interesat ekonomike, por edhe direkt nga njerëzit në rrugë.

Dhe tani mendoj se ia dola edhe të shkruaj për vende ku jeta matej me një bakshish, edhe për rrugë që shkatërroheshin para se të shkeleshin. Ia dola të publikoj histori pas të cilave e dija që vinin presionet dhe kërcënimet, jo vetëm nën zë, por dhe publikisht nga zyrtarët e lartë. Nuk kam nevojë t’i rendis, sepse nuk jam vetëm unë; çdo gazetar i këtyre dekadave mund të dokumentojë tentativat për ta detyruar të heshtë.

Por momentet më të vështira nuk i kam pasur me frikën nga kjo lloj dhune.

Frika ndonjëherë është: Çfarë ndodh pasi boton një lajm. Jo me ata që bëjnë presion. Por me ata që bëhen pjesë e historisë dhe ekspozohen në publik. Të tillë kishte shumë në periudhën kur trajtoja konfliktin mes brezave për të kaluarën komuniste. Historitë vinin nga ish-të dënuar politikë, njerëz që kishin kaluar burgje, internime, humbje familjare, por edhe ish-funksionarë apo njerëz të lidhur me nomenklaturën komuniste.

Shumë prej tyre ishin ata që firmosën për dënimin politik të rreth 34 mijë njerëzve, mbi 7 mijë prej tyre ishin gra. E imagjinoni sa familjeve iu pre fleta e internimit. Protagonistët flisnin me urrejtje, akuza dhe emra konkretë. Ishin histori që shpesh dilnin përtej dokumentit dhe hynin në territorin e hakmarrjes morale.

Gazetari ishte në mes, duhej të peshonte e të filtronte informacionet që vlejnë për kujtesë kombëtare. Nga ana tjetër, përballë dhimbjes reale të viktimave ishin jo vetëm autorët, por edhe fëmijë e nipër që nuk trashëgonin vetëm mbiemra, por edhe ngarkesat emocionale pas tyre.

Në disa raste, nipër apo mbesa të ish-funksionarëve më kanë pyetur drejtpërdrejt: “A janë të vërteta këto që janë shkruar për gjyshin tonë?” Kjo të vendos përballë një përgjegjësie të madhe. Gazetari ka përgjegjësi jo vetëm për atë që shkruan, por edhe për atë që zgjedh të mos e shkruajë.

Në arkivën time… ka histori që nuk janë botuar kurrë. Jo sepse nuk ishin të vërteta. Por sepse e vërteta, kur nuk shoqërohet me drejtësi, mund të kthehet në armë.

Unë nuk kam regjistruar kurrë dikë fshehurazi. Madje kam hequr fjali. Fjali që janë thënë në një moment dobësie. Fjali që mund të ishin tituj të fortë, por që do të lëndonin njerëz realë.

Dhe kjo nuk është vetëm gazetari. Është edhe mënyra si unë e jetoj gazetarinë, si grua. Sepse ndoshta unë kam mësuar të dëgjoj më gjatë. Të kuptoj edhe atë që nuk thuhet. Të mendoj: “Çfarë ndodh me këtë njeri pasi të publikohet kjo?”

Në konflikt, shpesh janë gratë ato që të hapin derën. E kuptova këtë në Maqedoni, kur u ktheva në Strugë. Në mbrëmje, pa kamera, pa bllok shënimesh, filluan të flisnin. Jo për politikë, jo për marrëveshje, por për frikën, për mungesat, për burrat që nuk ktheheshin në kohë, për fëmijët që rriteshin me ankth. Dhe në ato biseda kuptova se lufta nuk nis kur dëgjohet krisma e parë. Fillon shumë më herët, brenda shtëpive.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Kosovë. Nuk ishin zyrtarët që më treguan më shumë. Ishin gratë e vajzat. Ato që të ftonin brenda dhe flisnin pa e quajtur intervistë. Dhe ajo që më mbeti më shumë nuk ishin fjalët, por duart e tyre. Duar që nuk rrinë kurrë qetë, që shtrëngojnë njëra-tjetrën, që kërkojnë diçka ku të kapen. Aty e sheh dhimbjen më qartë se në çdo deklaratë.

Por të qenit grua në terren nuk të hap vetëm dyer. Shpesh të detyron të provosh dyfish që meriton të jesh aty.

Ndoshta pikërisht sepse je grua në terren, arrin të hysh në këto hapësira që zakonisht mbeten të padukshme. Të shohësh luftën jo vetëm si ngjarje, por si përditshmëri. Të tregosh atë që shpesh mungon në raportime: jetën e përditshme, dimensionin njerëzor, historitë që nuk bëhen tituj. Por ky akses ka edhe një kosto. Sepse në konflikt rreziku nuk është gjithmonë i dukshëm dhe skepticizmi ndaj një gruaje gazetare është shpesh më i madh.

Megjithatë, pikërisht kjo të detyron të jesh edhe më e kujdesshme, edhe më e drejtë — sepse nuk po tregon vetëm një histori. Po i jep zë dikujt që rrallë dëgjohet.

Prandaj unë nuk e shoh intervistën si një kurth. E shoh si një marrëdhënie. Një marrëdhënie besimi. Dhe besim nuk është material lajmi, është përgjegjësi.

Prandaj nuk e kam bërë kurrë atë lloj gazetarie që përgjon, që fsheh, që pret gabimin. Sepse përtej lajmit është gjithmonë njeriu.

Edhe reportazhi është një nga ato forma të gazetarisë që shpesh duket i lehtë nga jashtë. Por në të vërtetë, është momenti kur gazetari duhet të ndiejë që të përshkruajë. Këtë e kuptova shumë herët.

Ishte vera e vitit 2000. Ndodhesha në Ohër, me pushime. Ishte ende koha kur duhej vizë për të vizituar Maqedoninë e atëhershme, por kjo dukej normale në ato vite.

Ato që duhej të ishin orë relaksi më përçuan direkt një ndjesi të çuditshme tensioni. Ishte e pashpjegueshme. Nisa të flisja me njerëz, t’i pyesja për jetën, për situatën. Shumica nuk ankoheshin drejtpërdrejt, por ndjesia e mllefit ishte e fortë, si diçka që priste momentin për të dalë në sipërfaqe.

Në kthim, ndalova një natë në Strugë. Aty e pashë më qartë. Nuk ishin më vetëm ndjesi. Ishin shenja konkrete. Grafitë në mure, fjalë të forta, një zemërim që nuk artikulohej hapur, por kishte shenja kudo.

Kur u ktheva në redaksi, nisa të shkruaj. Fjalia e parë ishte direkt titulli: “Maqedonia në prag lufte”. Nuk ishte thjesht një titull. Ishte një paralajmërim.

Nuk u prit mirë. As në redaksi, as jashtë saj. Kishte kundërshti, dyshime, madje edhe reagime publike. Sepse ndonjëherë, ajo që gazetari ndien dhe sheh në terren, është disa hapa përpara asaj që shoqëria është gati të pranojë.

Katër muaj më vonë, lufta shpërtheu.

Dhe atëherë kupton se reportazhi nuk është thjesht rrëfim. Është intuitë, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, vëmendje ndaj detajeve që të tjerët i kalojnë pa i parë.

Vite më vonë, në 2006-ën, u riktheva në Haraçinë, në fshatrat që kishin përjetuar luftën. Ajo që gjeta nuk ishte më tensioni i para shpërthimit. Ishte pesha e asaj që kishte ndodhur. Njerëz të zhgënjyer, familje që kishin humbur të dashurit e tyre, histori që kushdo dëshironte t’i harronte.

Prania e një gazetari nuk i ndihmonte gjithmonë. Përkundrazi, në disa raste i acaroi edhe më shumë. Sepse për ta, historia nuk ishte lajm. Ishte jetë e jetuar me shumë haraçe.

Herën e parë pashë një luftë që po vinte. Herën e dytë pashë një paqe që nuk kishte mbërritur ende.

Dhe pikërisht aty e kupton se gazetaria në terren nuk është vetëm të shkosh dhe të tregosh. Është të dish kur të flasësh, si të dëgjosh dhe si të mos e rëndosh më shumë një plagë që ende nuk është mbyllur.

Sepse në fund gazetari ka një detyrë: të kërkojë të vërtetën dhe ta thotë. Edhe kur dhemb. Por kjo nuk mjafton. Sepse çdo e vërtetë prek një jetë.

Prandaj të thuash të vërtetën është guxim. Ta thuash pa humbur njeriun është etikë. Dhe gazetaria që ka vlerë është ajo që nuk zgjedh mes tyre.

Sepse në vende si tonat, gazetaria nuk është vetëm për të treguar konfliktin. Është edhe për të mos e lënë atë të trashëgohet”.

Projekti “Voices of Reconciliation”, mori jetë nga bashkëpunimi i Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore, Infinit+ dhe Association of Journalists for Human Rights.

Zbatuar në kuadër të Programit për Mbështetje Financiare për Organizatat e Shoqërisë Civile (FSTP), realizuar nga Agjencia e Demokracisë Vendore – LDA Suboticë në bashkëpunim me Fondacionin Novi Sad – Kryeqyteti Evropian i Kulturës, koordinator i projektit “Qarku i Pajtimit”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes IPA III Civile Programi i Shoqërisë dhe Medias për Ballkanin Perëndimor.

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.