Tirana pret për herë të parë EPRA-n, 42 shtete diskutojnë sfidat e tregut mediatik europian
Tirana është kthyer këtë javë në qendrën e diskutimeve europiane mbi të ardhmen e medias dhe rregullimin e tregut audioviziv. Në kryeqytetin shqiptar po zhvillohet mbledhja e 63-të e Platformës Europiane të Autoriteteve Rregullatore (EPRA), rrjeti më i madh dhe më i vjetër i rregullatorëve të medias në Europë.
Për herë të parë, delegacione nga 42 vende europiane janë mbledhur në Shqipëri me ftesë të Autoriteti i Mediave Audiovizive, organizatori i konferencës që po mbahet nga 20 deri më 22 maj në Tiranë.
Punimet u hapën nga kryetarja e Bordit të EPRA-s, Stephanie Comey, e cila e cilësoi organizatën si një forum të hapur, jo-politik dhe neutral në funksionimin e tij. Sipas saj, ruajtja e neutralitetit institucional dhe e vlerave të përbashkëta mbetet thelbësore për rrjetin europian të rregullatorëve.
Konferenca u çel edhe nga kryetarja e Autoriteti i Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, e cila prezantoi zhvillimet kryesore të peizazhit audioviziv në Shqipëri, sfidat e tregut mediatik dhe procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet europiane.
Në fokus të prezantimit ishte strategjia e AMA-s për periudhën 2024–2026, e ndërtuar mbi rritjen e transparencës, forcimin e efikasitetit institucional dhe harmonizimin me kuadrin europian, përfshirë AVMSD, EMFA dhe DSA.
Sipas Krasniqit, në proces janë edhe ndryshime ligjore që synojnë rritjen e përgjegjësisë së platformave digjitale, mbrojtjen e lirisë së medias, garantimin e pavarësisë editoriale dhe transparencën e financimeve publike në sektorin mediatik.
Një tjetër element i prezantuar ishte regjistri i transparencës së pronësisë së medias audiovizive, një bazë të dhënash e aksesueshme publikisht, që përfshin informacion deri tek përfituesit fundorë të mediave audiovizive në vend.
Krasniqi bëri gjithashtu një përmbledhje të aktivitetit të AMA-s gjatë pesë viteve të fundit, ku sipas saj janë marrë 550 vendime, mbi 60% e tyre me dakordësi unanime dhe pa vendime të kontestuara nga shoqëria civile, industria apo forcat politike.
Ajo theksoi se gjatë kësaj periudhe AMA ka monitoruar tregun audioviziv dhe ka marrë masa administrative për raste të shkeljeve të përmbajtjes dhe piraterisë televizive. Sipas të dhënave të prezantuara, janë marrë vendime për 38 gjoba për shkelje të përmbajtjes dhe 44 gjoba për pirateri televizive, me një vlerë totale mbi 80 milionë lekë. Gjithashtu, nga 49 procese gjyqësore të përfunduara në Gjykatën e Shkallës së Parë, 80% janë fituar nga AMA.
Në ditën e parë të konferencës, diskutimet u përqendruan edhe te aksesueshmëria e personave me aftësi të kufizuara në transmetimet audiovizive. Përfaqësues nga Spanjë, Bullgari dhe Lituani prezantuan praktikat dhe sfidat që hasin vendet europiane në zbatimin e standardeve ligjore në këtë drejtim.
Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësues të Këshilli i Evropës, Observatori Evropian Audiovizual, OSCE, Netflix dhe organizata të tjera europiane të sektorit mediatik dhe digjital.
Në përfundim të konferencës u vendos që mbledhja e 64-t e EPRA-s të zhvillohet vitin e ardhshëm në Irlandë.
© 2026, Pozitivi. All rights reserved.
