Përtej lajmit
29/05/2026 Shpërndaje

Përtej lajmit

ESMERALDA KETA
Gazetare. Tregimtare e historive njerëzore.

Një reflektim mbi konfliktet e dukshme dhe të padukshme, fuqinë e grave dhe pajtimin që fillon shumë më afër nesh sesa mendojmë.

“Shumë njerëz mendojnë që ta kesh fjalën/komunikimin pjesë të profesionit tënd të përditshëm të bën më të zotë për t’u shprehur mbi ndjesitë, përjetimet, emocionet… Në fakt, për mua, kjo duhet të na bëjë më të kujdesshëm, më të përgjegjshëm.

Sot, pas më shumë se dy dekadash me mikrofon në dorë, një bllok shënimesh dhe kuriozitetin përtej lajmit, mendoj se më e rëndësishme se historia është rruga që ne zgjedhim për të shkuar tek njeriu.

Unë jam Esmeralda Keta! Një nga dhjetëra vajzat e gratë që, në këtë Shqipërinë tonë të vogël, vrapojmë çdo ditë në terren për të merituar titullin gazetare.

Në fillimet e mia, mendoja se puna e gazetarit është të gjejë faktet, të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra dhe t’i sjellë para publikut. Por, me kalimin e viteve, kuptova se disa histori nuk të lënë të dalësh prej tyre ashtu siç ke hyrë.

Sepse ka histori që nuk mund thjesht dhe vetëm t’i raportosh. Ka histori që të mësojnë të dëgjosh, të shohësh përtej asaj që duket. Sot jam pak nga të gjitha; jam ajo vajza e vogël në fillore që lufton me bullizimin; jam ajo adoleshentja që sfidohet nga modelet e kornizuara; jam ajo nëna që lufton me dhunën në familje; jam ajo gruaja e tokës që del kundër një mentaliteti të tërë për të mbrojtur lumin e saj… I kam të gjitha nën lëkurë.

Ne jemi një popull i vogël, por me shumë histori. Dhe sa më shumë kam udhëtuar nëpër histori njerëzore, aq më shumë kam kuptuar se plagët më të thella të shoqërisë shqiptare, por edhe rajonale, nuk janë gjithmonë ato që godasin me pamje.

Ne jetojmë në Ballkan dhe e dimë mirë se jo çdo konflikt vjen me armë. Jo të gjitha luftërat bërtiten, jo çdo kufi ka ndarje të qarta.

Ka edhe konflikte që jetojnë në heshtje. Dhe nuk po flas këtu për ato konfliktet e mëdha që pushtojnë lajmet, që trondisin kombet. Por për ato konfliktet e vogla të të përditshmes sonë, që jetohen në padrejtësi, në përjashtim, me mungesën e dinjitetit. Në mënyrën si rritemi duke trashëguar heshtje, mllef, paragjykim, largësi. Por edhe në të kuptuarin se sa e brishtë është jeta dhe sa i fortë mund të bëhet njeriu kur nuk ka më ku të mbështetet, veç vetes dhe shpresës.

Një nga ato histori mban emrin e një gruaje që nuk e kam harruar kurrë.

Brunilda.

Brunildën e takova një pasdite me shi, në qershor të vitit 2018. Paraditen e kishte kaluar në spitalin onkologjik duke marrë terapi, pasi prej 12 vitesh po luftonte me kancerin e gjirit. Teksa prisja në një nga kafenetë e zhurmshme të Tiranës, ndihesha pak në siklet që po e takoja në një moment kaq të vështirë, pasi dihet që pas terapisë këta pacientë janë të dobët fizikisht. Por Brunilda ishte një luftëtare dhe hyri nga ajo derë, e që nga ajo ditë edhe në zemrën time, e veshur me buzëqeshje e plot jetë.

Ajo donte me çdo kusht ta fitonte këtë betejë: për veten dhe për dy vajzat e mitura. Ajo nuk pyeste sa të forta ishin terapitë, pasi ishte dashuruar pas jetës dhe të çarmatoste me optimizmin e saj.

Asokohe, Brunilda Alimerkajt, nga Ballshi, ishte vetëm 42 vjeçe dhe kishte 12 vite që luftonte me kancerin e gjirit. Për shkak të mungesës së medikamenteve në Shqipëri, tri vitet e fundit, çdo 21 ditë, ajo udhëtonte 1,200 kilometra për të marrë një dozë Herceptine në një spital në Bergamo të Italisë. Ky udhëtim kishte një çmim të lartë, jo vetëm financiar, por edhe emocional, por ajo donte ta fitonte betejën.

Në janar të vitit 2024, Brunilda ndërroi jetë, por ende në celularin tim ruaj si një thesar intervistën me Brunën, sepse vërtet ndoshta ky shkrim ndihmoi që të zgjidhej disi mungesa e Herceptinës, por unë po ashtu mora një mësim jete të çmuar.

Në mes të stuhisë që e kishte përplasur jeta në një moshë fare të re, ajo ia kishte dalë të shërohej nga brengat, fajet, mundësitë e humbura dhe ishte në paqe me veten dhe të tjerët.

Është e vështirë të mendosh për një shoqëri që shet vazhdimisht si “indulgjencë” integrimin në Bashkimin Europian, por nuk ka mundur të ndërtojë një sistem shëndetësor që ofron mundësi të barabarta për të gjithë.

Por jo vetëm në shëndetësi.

Gjatë rrugëtimit tim prej më shumë se dy dekadash si gazetare, kam takuar kaq shumë Brunilda, qofshin këta burra apo gra, të rinj apo të reja, në qendër të Tiranës apo në fshatrat më të thellë, që më kanë shenjuar me historitë e tyre. I kam ndihmuar të zgjidhnin konflikte, por edhe të pajtonin zemrën duke u rimëkëmbur; por njësoj edhe ata më kanë bërë të ndihem më e fortë dhe më e pasur.

Me mënyrën se si i kanë përballuar stuhitë e jetës, me mënyrën se si kanë reaguar pas një konflikti, një padrejtësie nga shteti në emër të së mirës publike, më kanë dhënë një leksion të paçmuar duke parë përtej kohës dhe duke krijuar diçka të re. Diçka të re që është përtej nesh per se, por që na shpie drejt një të ardhmeje më të drejtë. Dhe, mbi të gjitha, na jep shpresë.

Mes tyre ka shumë gra. Që nëpërmjet dhimbjes, humbjes, dështimit dhe herë pas here edhe nëpërkëmbjes, më kanë udhëhequr dhe kanë udhëhequr drejt pajtimit, drejt shërimit të plagëve, të konflikteve. Një proces që më shumë se fizik është shpirtëror, duke na treguar se nuk është e pamundur të ndërtosh diçka të re edhe mbi “rrënojat e shpirtit” dhe duke dëshmuar se edhe pas humbjeve më të mëdha ka vend për falje, pajtim dhe rimëkëmbje.

Mes përvojës që më kanë dhënë qindra personazhe që kam takuar, kam kuptuar se ky është një akt që na kërkon të gjithëve, burra apo gra, të rinj apo me njëfarë moshe, të tejkalojmë veten dhe dhimbjen. Të mësojmë nga ajo që na ka shenjuar dhe të jemi gati të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për veten tonë, për prindërit tanë dhe për fëmijët tanë.

Dhe ky proces nuk mund të arrihet pa një ndërgjegjësim nga të gjithë, sepse zbutja e konflikteve është një proces i përhershëm, jo vetëm një veprim në një moment të caktuar.

Ne vijmë nga Ballkani, një rajon që e njeh mirë peshën e ndarjes, forcën e ndasisë. Ndoshta të gjithë e kemi jetuar konfliktin në një mënyrë apo në një tjetër. Dhe shpesh, pa e kuptuar, e kemi marrë me vete në familje, në lagje, në komunitete, në mënyrën si flasim për tjetrin.

Por unë besoj edhe diku tjetër. Në pajtimin që nuk fillon gjithmonë në tryeza të mëdha, por shumë më herët dhe shumë më afër nesh. Fillon kur një grua vendos të mos e rrisë fëmijën e saj me urrejtje. Kur një nënë zgjedh të mos ia dorëzojë dhimbjen brezit tjetër si trashëgimi.

Kur një vajzë guxon të flasë për të vërtetën, jo për hakmarrje. Kur një grua, edhe pasi është lënduar, zgjedh të mos ndërtojë identitetin e saj mbi armiqësinë. Ky është një akt i madh. Ndoshta më i madhi…

“I vesha tetorit rozën, i vesha fytyrës buzëqeshjen, por syve s’ua fsheha dot lotin”, shkruante Bruna në një nga tetorët e trishtë të jetës së saj.

Unë mora forcë nga Bruna, sepse fuqia e shërimit nuk qëndron vetëm në ndihmën që mund t’u ofrojmë të tjerëve, por gjithashtu në forcën që ne fitojmë nga ndihma që marrim nga të tjerët!

Unë jam Esmeralda Keta, një grua që bën gazetari në Shqipëri.

Dhe po, unë jam edhe Alda, njeriu përtej profesionit!”

Projekti “Voices of Reconciliation”, mori jetë nga bashkëpunimi i Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore, Infinit+ dhe Association of Journalists for Human Rights.

Zbatuar në kuadër të Programit për Mbështetje Financiare për Organizatat e Shoqërisë Civile (FSTP), realizuar nga Agjencia e Demokracisë Vendore – LDA Suboticë në bashkëpunim me Fondacionin Novi Sad – Kryeqyteti Evropian i Kulturës, koordinator i projektit “Qarku i Pajtimit”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian përmes IPA III Civile Programi i Shoqërisë dhe Medias për Ballkanin Perëndimor.

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.