Një mësim që nuk gjendet në tekstet shkollore
Ka hapësira të gjelbra, por ka edhe shkolla të gjelbra.
Një prej tyre është shkolla 9-vjeçare “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan, ku panelet fotovoltaike të vendosura mbi tarracën e ndërtesës nuk janë thjesht një investim teknologjik. Ato janë bërë pjesë e përditshmërisë së nxënësve dhe një mjet për të mësuar se si energjia e pastër mund të ndryshojë mënyrën se si jetojmë dhe mendojmë.
Mbi çatinë e shkollës janë instaluar panele që prodhojnë energji nga dielli dhe mbulojnë një pjesë të nevojave të institucionit për energji elektrike. Por projekti ka shkuar përtej një nisme energji-kursyese. Ai është kthyer në një model frymëzues për nxënësit, duke e shndërruar shkollën jo vetëm në një vend ku mësohet, por edhe në një mjedis ku ndërtohet vetëdija për të ardhmen dhe mjedisin.
Në këtë shkollë, energjia e rinovueshme nuk mbetet një koncept teorik në libra. Ajo shihet çdo ditë në çatinë e shkollës dhe në mënyrën si funksionon institucioni ku mësojnë qindra fëmijë.
Një prej tyre është nxënësja Amina Mema, e cila e shpjegon me fjalë të thjeshta rëndësinë e energjisë së rinovueshme.
“Energjia e rinovueshme është ajo lloj energjie që nuk ka shterim dhe është më e sigurt për mjedisin sesa energjitë e parinovueshme. Panelet fotovoltaike ndihmojnë në krijimin e energjisë që vjen nga dielli dhe e shfrytëzojmë në shtëpitë tona.”
Amina tregon se familja e saj ka instaluar panele diellore edhe në shtëpi dhe i përdor ato për ngrohjen e ujit.
“Ne e përdorim për ngrohjen e ujit, për dush. Jemi shumë të lumtur sepse edhe ne përfitojmë nga kursimet që kemi nga panelet fotovoltaike.”
Edhe pse energjia e rinovueshme është ende një koncept relativisht i ri për shumë familje shqiptare, të rinjtë dinë të tregojnë më së miri dobitë e saj. Për ta, panelet nuk lidhen vetëm me mbrojtjen e mjedisit, por edhe me kursimin e energjisë dhe uljen e shpenzimeve.
Përfitimet shihen edhe në vetë procesin mësimor.
Nxënësja Marina Sylali tregon se para instalimit të paneleve kishte raste kur ndërprerjet e energjisë krijonin vështirësi në zhvillimin e orëve të mësimit, veçanërisht në lëndët që varen nga teknologjia.
“TIK-u është lënda ime e preferuar dhe më pëlqen shumë ta zhvilloj pa pasur probleme me energjinë elektrike apo internetin. Para paneleve diellore kishim probleme me ndërprerjet e elektricitetit dhe dritat iknin, por tani kemi arritur ta zhvillojmë lëndën pa probleme të tilla.”
Por ndoshta ndikimi më i rëndësishëm i projektit nuk matet me kilovatë.
Ai matet me mënyrën se si fëmijët kanë filluar të mendojnë për energjinë dhe mjedisin.
Nxënësit nuk janë vetëm përfitues të projektit. Ata janë kthyer në ambasadorë të tij.
Nxënësi Fabian Murrizi tregon se mesazhet për kursimin e energjisë i ka çuar edhe në familje.
“Jam përpjekur që familjarët të mbajnë dritat fikur dhe të heqin nga priza elektroshtëpiakët që harxhojnë energji kur nuk përdoren.”
Në këtë mënyrë, një projekt që nisi në shkollë po ndikon gradualisht edhe në sjelljet e familjeve.
Energjia e rinovueshme nuk është më një koncept i largët për këta nxënës. Panelet fotovoltaike të instaluara në shkollë prodhojnë energji nga dielli, një burim që nuk shteron dhe nuk ndot.
Por panelet prodhojnë edhe diçka tjetër: vetëdije.
Nxënësja Marina Sylali tregon se ka marrë pjesë në projekte ku nxënësit kanë prezantuar para grupmoshave të ndryshme mënyrën se si funksionojnë panelet diellore.
“Kemi prezantuar mënyrën se si funksionojnë panelet diellore, se si drita bie tek paneli dhe energjia që jep dielli. Më pëlqeu që projekti nisi nga shkolla. Ishte një eksperiencë ku mësonim, punonim dhe njëkohësisht argëtoheshim.”
Përmes këtyre aktiviteteve, nxënësit mësojnë se çfarë do të thotë kursim energjie, përdorim i zgjuar i burimeve natyrore dhe përgjegjësi në një kohë kur çështjet energjetike dhe klimatike po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.
Por ndërgjegjësimi nuk ndalet vetëm te energjia.
Në shkollë janë zhvilluar edhe aktivitete riciklimi, pastrimi dhe ripërdorimi të materialeve.
Për një vit të tërë, nxënësit sollën nga shtëpia materiale të riciklueshme, të cilat peshoheshin çdo ditë dhe shërbenin si pjesë e një gare sensibilizuese për mbrojtjen e mjedisit.
Nxënësja Amina Mema kujton se projekti kishte për qëllim të përfshinte jo vetëm nxënësit, por edhe komunitetin.
“Për një vit shkollor ne sollëm materiale të riciklueshme nga shtëpia dhe i peshonim çdo ditë. Donim të tregonim se sa e rëndësishme është mbrojtja e mjedisit dhe riciklimi. Jam shumë e lumtur sepse pati ndikim të mirë tek ne dhe tek të tjerët.”
Edhe nxënësi Fabian Murrizi kujton aktivitetet që kanë zhvilluar.
“Kemi pastruar shkollën dhe rrugët pranë saj. Kemi bërë edhe objekte të ndryshme nga materiale të riciklueshme, si mbajtëse lapsash dhe shumë gjëra të tjera të bukura.”
Ndërsa nxënësi Rigers Murrizi kujton garën e riciklimit mes nxënësve.
“Mblidhnim bidona, kanaçe dhe mbetje plastike. I peshonim çdo mëngjes në shkollë dhe ai që kishte grumbulluar më shumë fitonte një çmim.”
Për të, përvoja ka qenë më shumë se një aktivitet shkollor.
“U ndjeva shumë mirë sepse në projektin e riciklimit kuptova me të vërtetë se çfarë do të thotë të mbrosh mjedisin.”
Edhe nxënësja Marina Sylali thotë se riciklimi është bërë një pjesë e rëndësishme e aktiviteteve të saj.
“Më pëlqen riciklimi dhe kam marrë pjesë në aktivitete ricikluese. Ndihem shumë mirë që duke nisur nga shkolla promovohet riciklimi.”
Në një kohë kur Shqipëria dhe Europa po investojnë gjithnjë e më shumë në energjinë e rinovueshme, shkolla si “Ptoleme Xhuvani” po tregojnë se tranzicioni energjetik nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë.
Ai ka të bëjë edhe me edukimin.
Panelet diellore në çati prodhojnë energji, por në të njëjtën kohë prodhojnë diçka po aq të rëndësishme: vetëdije.
Sot këta fëmijë janë përfitues të energjisë së rinovueshme. Nesër, ata mund të jenë brezi që do të marrë vendime më të zgjuara për energjinë, mjedisin dhe të ardhmen e komuniteteve ku jetojnë.
Sepse panelet diellore nuk po prodhojnë vetëm energji.
Ato po prodhojnë një brez që po mëson të mendojë ndryshe.
Përgatitur për Pozitivi.org si pjesë e projektit Green Albania – Education for the Future, zbatuar nga Infinit +, me qëllim informimin dhe nxitjen e debatit publik mbi mjedisin, energjinë dhe qytetet ku jetojmë.
© 2026, Pozitivi. All rights reserved.
