Tina Turner, zëri që doli nga dhuna dhe dhimbja dhe pushtoi botën
24/11/2026 Shpërndaje

Tina Turner, zëri që doli nga dhuna dhe dhimbja dhe pushtoi botën

Autor: Mahir Elshani

Natën e 3 korrikut 1976, nga dritarja e pasme e hotelit “Statler Hilton”, shihet një grua gati 40-vjeçare, e cila po ikën me një këmishë të përgjakur, pas abuzimit të tmerrshëm nga burri i saj. Ajo doli me vrap, kaloi autostradën e ngarkuar, duke i shpëtuar për pak një kamioni të madh, dhe u fsheh në anën tjetër të rrugës. Ajo kishte vetëm 36 centë në xhep. Kjo grua ishte Anna Mae Bullock, të cilën bota e njihte me emrin Tina Turner.

Ajo la pas një jetë të tërë, familjen dhe një karrierë tejet të suksesshme, por largimi i saj ishte ikje e nxitur nga frika e tmerrshme ndaj të shoqit. Ishte një arratisje nga një jetë plot dhunë, nga rrahjet me kallëp këpucësh ndërsa ishte shtatzënë, nga hedhja e kafesë së nxehtë përvëluese mbi të, si dhe nga dhuna brutale, përfshirë edhe goditjet me një varëse teli për rroba. Në vitin 1968, ajo tentoi t’i jepte fund jetës.

Burri i saj ishte Ike Turner, kompozitori dhe kitaristi i saj, njeriu që i dha emrin artistik, që e njohu me botën e muzikës dhe që e bëri të famshme, por fatkeqësisht gati se e bëri edhe “të vdekur”.

Tregimi për Tina Turner është tregim i vuajtjes, i luftës për ekzistencë, i racizmit, i gëzimit, i familjes dhe i këngës. Çfarëdo që të përmendim më tej, do të ishte e vërteta për jetën e saj.

Anna Mae lindi më 26 nëntor 1939, në Brownsville, Tenesi. Familja jetonte në komunitetin rural të qytetit Nutbush, në Tenesi, dhe punonte në fermën “Poindexter”. Më vonë, ajo kujtonte se, që në moshë të vogël, mblidhte pambuk së bashku me familjen e saj.

Asaj i pëlqenin vallëzimi dhe aktrimi, dhe shpesh performonte në rrugë për të mbledhur para, me qëllim që të mund të shkonte në kinema. Ajo gjithashtu këndonte në korin e Kishës Baptiste “Spring Hill”.

Në vitin 1950, kur Tina ishte 11 vjeçe, nëna e saj e braktisi familjen pa paralajmërim, për të ikur nga marrëdhënia abuzive që kishte me burrin e saj.

Si adoleshente, ajo punoi si punonjëse shtëpie në familje të pasura në Tenesi. Në vitin 1956, pas vdekjes së gjyshes së saj, Anna Mae u shpërngul në St. Louis për të jetuar me të ëmën. Ajo përfundoi shkollën e mesme “Sumner” në vitin 1958. Pas përfundimit të studimeve punoi si ndihmëse infermiere në spitalin “Barnes-Jewish”.

Motra e madhe, Alline, ndiqte shpesh shfaqjet e Ike Turner-it dhe grupit të tij, “Kings of Rhythm”, në St. Louis, pasi kishte një lidhje dashurie me bateristin e grupit. Një të shtunë në mbrëmje, kur Anna Mae ishte 16 vjeçe, nëna e saj e lejoi ta shoqëronte Alline-n për të parë grupin duke performuar në “Club Manhattan”.

E vendosur për t’iu bashkuar grupit, ajo u ofrua të këndonte për të. Ike Turner pranoi, por nuk ia dha kurrë këtë mundësi, derisa një mbrëmje, gjatë një pushimi mes seteve, ajo mori iniciativën, rrëmbeu mikrofonin dhe këndoi baladën bluz të B. B. King-ut, “You Know I Love You”.

Performanca e saj e impresionoi Ike Turner-in, dhe e bëri një nga vokalistët kryesore të grupit. Ai gjithashtu nisi ta udhëzonte për kontrollin e zërit dhe performancën në skenë.

Në vitin 1958, ajo bëri debutimin e saj me emrin artistik “Little Ann”, në këngën “Boxtop”, së bashku me Ike Turner-in dhe vokalistin Carlson Oliver.

Shumë shpejt Anna Mae u bë ylli i shfaqjeve dhe Ike Turner vendosi ta quajë atë Tina duke i shtuar mbiemrin e tij dhe e regjistroi emrin “Tina Turner” si markë tregtare për ta mbrojtur atë; ideja e tij ishte se, nëse Anna Mae do ta linte ashtu siç kishin bërë këngëtaret e mëparshme, ai mund ta zëvendësonte atë me një “Tina Turner” tjetër. Megjithatë, familja dhe miqtë vazhdonin ta thërrisnin Ann.

Tina Turner u prezantua para publikut botëror me këngën “A Fool in Love”, të publikuar më 1960. Tashmë, grupi “Ike & Tina Turner Revue” zhvillonte turne së bashku me grupin “Kings of Rhythm” dhe këngëtaret mbështetëse “The Ikettes”, duke fituar vlerësime si nga publiku, ashtu edhe nga kritika.

Këto turne forcuan marrëdhëniet e saj me Ike Turner, si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal. Ata u martuan më 1962. Tina u bë qendra e vëmendjes dhe nisi të dëshmonte qëndresën dhe vendosmërinë e saj të vazhdueshme, si në karrierën muzikore, ashtu edhe në jetën private. Ajo dominonte çdo shfaqje me zërin e saj të fuqishëm dhe energjinë që dukej e pashtershme.

Pas një koncerti në teatrin “Apollo” në Manhattan të New Yorkut në vitin 1965, bashkëpronari i teatrit, Frank Schiffman, shkroi: “Performanca më dinamike që është shfaqur këtu… Tina lëviz me shpejtësinë e zhivës…” Ndikimi i kostumeve dhe koreografive të saj të asaj periudhe mund të vërehet në një mori videoklipesh dhe shfaqjesh skenike gjatë gjithë karrierës së saj, madje edhe në moshë të shtyrë.

Versioni i dyshes Ike & Tina Turner i vitit 1971 i këngës “Proud Mary”, të grupit Creedence Clearwater Revival, e shndërroi atë në një himn rock-u plot emocion, që u shpërblye me çmimin Grammy. Në fillim të viteve ’70, Tina nisi të shkruante më shumë muzikë, duke kontribuar me nëntë nga dhjetë këngët e albumit të tyre të vitit 1972, “Feel Good”. Ndërkohë, ajo publikoi edhe dy albume solo, mori pjesë në disa filma dhe interpretoi në rok-operën “Tommy”. Të gjitha këto e bënin Ike Turnerin xheloz dhe të tërbuar, duke humbur vetëbesimin përballë talentit të Tinës, gjë që e shtynte drejt abuzimit dhe dhunës ndaj saj.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Tina përpiqej të gjente një ekuilibër midis imazhit të saj publik të rafinuar dhe realitetit privat të një martese të trazuar e të mbushur me abuzime nga ana e Ike-ut.

Më 1976, Ike dhe Tina Turner performuan si yjet kryesorë në hotelin “Waldorf Astoria” të Nju-Jorkut dhe nënshkruan një marrëveshje televizive me CBS-TV. Ike planifikoi që ata të largoheshin nga “United Artists Records” për të nënshkruar një kontratë pesëvjeçare me “Cream Records”, me vlerë 150.000 dollarë në vit. Marrëveshja ishte planifikuar të nënshkruhej më 5 korrik. Më 3 korrik çifti po qëndronte në hotelin “Statler Hilton” në Dallas para një shfaqjeje të planifikuar.

Pas një konflikti të shoqëruar me dhunë, ndërsa Ike ishte në gjumë, Tina vendosi të largohej. Kështu ndodhi arratisja e saj e famshme nga hoteli, me vetëm 36 cent në xhep. Ajo iku përtej autostradës te hotel Ramada. Pasi menaxheri i Ramada Inn e njohu, i dha një dhomë dhe vendosi roje sigurie jashtë derës së saj, ku qëndroi e fshehur në hotel për tri ditë, ndërsa plagët e saj fizike filluan të shëroheshin.

Pas kësaj arratisjeje, Tina qëndroi për disa muaj me saksofonistin Wayne Shorter dhe bashkëshorten e tij, Ana Maria, miq që i kishte njohur në skenën muzikore të Los Anxhelosit. Tina u shpreh mirënjohëse ndaj tyre për ndihmën që i dhanë për të stabilizuar jetën e saj.

Ajo doli nga martesa praktikisht pa para. Për të siguruar lirinë e saj të plotë, mori vendimin historik për të hequr dorë nga të gjitha pasuritë martesore, pronat dhe të drejtat e botimit muzikor. Kushti i saj kryesor ishte të ruante emrin e saj artistik, “Tina Turner”.

Meqenëse sakrifikoi çdo kompensim financiar dhe mori përsipër borxhe të mëdha për shkak të anulimit të datave të turneut, ajo fillimisht mbeti pa asnjë mjet jetese. U detyrua të mbështetej te ndihmat ushqimore, ndërsa kujdesej edhe për fëmijët. Ajo dhe katër djemtë jetuan fillimisht në Los Anxhelos, ku ajo u përpoq t’i mbronte nga kërcënimet e Ike-ut, të cilat përfshinin edhe të shtëna me armë nga bashkëpunëtorët e tij drejt shtëpisë ku qëndronin.

Divorci i tyre u finalizua zyrtarisht në vitin 1978, duke e lënë Tinën përballë sfidës për të nisur gjithçka nga e para. Tina ishte e lodhur. Kishte publikuar dy albume me pak sukses dhe shfaqej në emisione televizive për të shlyer borxhet. Në fund të viteve ’70, ajo iu rikthye turneve dhe u bë ylli kryesor i një sërë koncertesh në Las Vegas.

Vitet 1980 ndryshuan gjithçka për të. Tina Turner këndonte që nga vitet 1950, kryesisht soul dhe blues, me prirje drejt rock-ut. Publiku kudo e njihte për këtë stil, ndërsa deri në vitin 1983, paraqitjet e saj konsideroheshin kryesisht shfaqje nostalgjike. Askush nuk mund ta parashikonte se një nga kapitujt më madhështorë të historisë së muzikës rock ende nuk ishte shkruar dhe se Tina Turner, në moshën gati 50-vjeçare, do të ripërcaktonte standardet e interpretimit për një këngëtare rock-u.

Në kohën kur koncertet e saj konsideroheshin akte “nostalgjike”, në vitin 1981, Tina Turner viziton edhe Pragën, asokohe kryeqyteti i Çekosllovakisë komuniste. Në atë koncert, interpretimi i këngës “Help” të Beatles tërhoqi vëmendjen e botës muzikore. Interpretimi i saj live ishte një thirrje për ndihmë që vinte nga zemra. Kënga u shndërrua në një lutje prekëse dhe emocionuese, duke krijuar një moment të veçantë në të gjitha koncertet e saj të mëvonshme. Askush para saj dhe askush pas saj nuk ka arritur t’i japë aq shumë shpirt këngës “Help” (Ndihmë).

Vitet në vijim do të dëshmonin se bota muzikore e kishte dëgjuar thirrjen e saj për ndihmë, dhe kështu ndodhi rikthimi më i madh ndonjëherë i një artisti që nuk deshi të dorëzohej dhe të përfundonte në margjinat e nostalgjisë.

Në mars të vitit 1984, Capitol Records miratoi realizimin e një albumi të ri. Tina Turner pati në dispozicion vetëm dy javë për të realizuar albumin e saj “Private Dancer”, i cili u publikua në maj të po atij viti.

Ajo ishte në mesin e të 40-ave, një moshë që në industrinë e muzikës konsiderohej si periudha pas zenitit dhe në përfundim të karrierës së një artisti. Tina Turner e ndryshoi këtë perceptim njëherë e përgjithmonë.

Me këtë album, ajo u rikthye si një divë e vërtetë: një grua e pjekur, sharmante dhe karizmatike, me një vetëbesim të jashtëzakonshëm në talentin e saj. Ky vetëbesim tërhoqi drejt saj artistë të brezave të ndryshëm, nga këngëtarë të njohur deri te krijues të modës dhe regjisor të filmave të mëdhenj.

Në të njëjtin vit, ajo interpretoi në duet me David Bowie një version të këngës “Tonight”, të Iggy Pop-it. Në sfilatën e modës Prêt-à-Porter për sezonin e pranverës, stilisti parizian Karl Lagerfeld i veshi modelet me paruke që imitonin flokët karakteristikë të Tina Turner-it dhe deklaroi se ishte “i çmendur pas saj”. Në vitin 1986, edhe David Bowie u shfaq me një paruke që imitonte modelin e flokëve të saj në filmin “Labyrinth”.

Artistët, fjalë për fjalë, radhiteshin për të punuar me të ose për të realizuar duete me të. Bryan Adams, Mick Jagger, Eros Ramazzotti, Paul McCartney, Rod Stewart, Eric Clapton, Barry White dhe shumë të tjerë. Ikonike mbetet fotografia ku Tina Turner është ulur në një fron mbretëreshe, e rrethuar nga thuajse të gjithë këngëtarët e famshëm të kohës, nga Elton John te Phil Collins, në një imazh që simbolizonte statusin e saj të pamposhtur si mbretëresha e rock’n’roll-it.

Me albumin “Private Dancer” ajo fitoi tri çmime Grammy dhe në shkurt të vitit 1985, nisi turneun botëror për të promovuar albumin. Dy mbrëmje të këtij turneu u filmuan në arenën NEC në Birmingham të Anglisë dhe më vonë u publikuan si koncert filmik.

Në vitin 2020, albumi u përzgjodh nga Biblioteka e Kongresit për t’u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Regjistrimeve, pasi konsiderohet me rëndësi kulturore, historike ose estetike.

Po atë vit, ajo udhëtoi drejt Australisë për të luajtur përkrah Mel Gibsonit në vazhdimin e filmit postapokaliptik të vitit 1985, “Mad Max Beyond Thunderdome”. Filmi pati sukses global, ndërsa Tina u nderua me çmimin NAACP Image Award në kategorinë “Aktorja më e Mirë” për rolin e saj. Ajo realizoi dy këngë për filmin: “We Don’t Need Another Hero (Thunderdome)” dhe “One of the Living”.

Të dyja këngët rezultuan të suksesshme. E para u rendit ndër tri këngët më të dëgjuara (Top 3) edhe në SHBA edhe në Evropë, ndërsa e dyta i solli asaj çmimin Grammy për “Performancën më të Mirë Vokale Rock nga një Artiste Femër”.

Edhe albumi i radhës, “Break Every Rule”, përfshinte emra të njohur, ashtu si albumi paraprak. Në të kontribuuan David Bowie, Bryan Adams dhe Mark Knopfler nga Dire Straits, si kompozitorë, ndërsa si interpretues morën pjesë Phil Collins, Mark Knopfler, Bryan Adams, Steve Winwood dhe dhjetëra muzikantë të tjerë.

Më 1989, ajo publikoi albumin “Foreign Affair”, i cili përfshin një gamë të larmishme stilesh muzikore, nga himnet pop-rock (“The Best”, “I Don’t Wanna Lose You”) deri te këngët me ndikime blues (“Undercover Agent for the Blues”) dhe baladat e fuqishme (“Be Tender with Me Baby”). Edhe ky album përmban bashkëpunime me muzikantë të shquar, duke përfshirë solo saksofoni nga Gary Barnacle në të paktën tri këngë, si dhe sërish kontributin e Mark Knopflerit, në kitarë.

Më 1988, ajo shpërngulet në Evropë, fillimisht në Londër. Në vitin 1991, Ike dhe Tina Turner u përfshinë në Rock and Roll Hall of Fame. Në atë kohë, Ike Turner ishte në burg, ndërsa Tina Turner nuk mori pjesë në ceremoni. Përmes përfaqësuesit të saj për shtyp, ajo deklaroi se po bënte një shkëputje nga muzika dhe se ndihej “e papërgatitur emocionalisht për t’u kthyer në SHBA dhe për t’iu përgjigjur mbrëmjes festive në mënyrën që do të dëshironte”. Producenti Phil Spector e pranoi çmimin në emër të tyre.

Në vitin 1993 u publikua filmi gjysmë autobiografik “What’s Love Got to Do with It”. Në rolet kryesore ishin Angela Bassett, në rolin e saj, dhe Laurence Fishburne, në rolin e Ike Turner-it. Të dy u nominuan për çmimin Oscar. Ndonëse nuk u përfshi në masë të madhe në realizimin e filmit, ajo kontribuoi në kolonën zanore të tij, duke riregjistruar këngë të vjetra dhe duke regjistruar disa këngë të reja. Kënga “I Don’t Wanna Fight”, e shkëputur nga kolona zanore, u rendit në dhjetëshen e këngëve më të suksesshme në SHBA dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa albumi i kolonës zanore u bë albumi i dytë i saj që arriti në vendin e parë në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 1995, Tina Turner u rikthye në studio për të regjistruar këngën “Golden Eye”, të shkruar nga Bono dhe The Edge, nga U2, për filmin e James Bond-it me të njëjtin titull. Në vitin 1996, Turner publikoi albumin “Wildest Dreams”. Në shtator të vitit 1999, pak para se të festonte ditëlindjen e saj të 60-të, ajo publikoi këngën “When the Heartache Is Over”, si këngën kryesore të albumit të saj të dhjetë dhe të fundit, “Twenty Four Seven”.

Pas një jete të vështirë, të shënuar nga përvojat e racizmit gjatë fëmijërisë, si dhe nga martesa e dhimbshme dhe abuzive me Ike Turner-in në Shtetet e Bashkuara, Tina Turner e shihte Evropën si një mjedis më miqësor për të jetuar. Ashtu si Donna Summer dhe Nina Simone ose Josephine Baker më herët, të cilat, për arsye të ndryshme, gjetën në Evropë një alternativë ndaj jetës së tyre në Shtetet e Bashkuara edhe Tina Turner vendosi të jetonte përgjithmonë në Evropë.

Zvicra i ofronte një jetë të qetë, larg bujës mediatike, ku mund të shëtiste në rrugë, të bënte pazar dhe të jetonte normalisht, pa u ndjekur vazhdimisht nga paparacët. Ajo u shpërngul në komunën e Küsnacht-it, pranë Cyrihut, ku partneri i saj gjerman, producenti muzikor Erwin Bach, ishte transferuar për shkak të punës në kompaninë EMI Music. Në vitin 2013 çifti u martua.

Në vitin 2005, Turner u nderua me çmimin Kennedy Center Honors nga presidenti George Bush për kontributin e saj në kulturën amerikane dhe botërore. Mjuzikli “Tina”, i bazuar në jetën e saj, u shfaq për herë të parë në vitin 2018, ndërsa në vitin 2021 ajo u bë pjesë e një filmi dokumentar kushtuar jetës dhe karrierës së saj. Po atë vit, Turner u përfshi për herë të dytë në Rock & Roll Hall of Fame, këtë herë si artiste solo. Në shtator të vitit 2025, Turner u përzgjodh për t’u përfshirë edhe në “National Rhythm and Blues Hall of Fame”.

Tina Turner ka shitur mbi 100 milionë albume, ka shkruar katër libra dhe ka marrë pjesë në më shumë se 20 filma, nga rolet e vogla deri në ato kryesore. Ajo ka fituar12 çmime Grammy. Tri nga realizimet e saj – “River Deep – Mountain High”, “Proud Mary”, dhe “What’s Love Got to Do with It” – janë përfshirë në “Grammy Hall of Fame”. Tina Turner është e vetmja artiste femër që ka fituar çmime Grammy në zhanret pop, rock dhe R&B. Ajo mori çmimin Grammy edhe për Arritje Jetësore në vitin 2018.

Performancën e saj të fundit live, Tina Turner e mbajti më 5 maj 2009, në Sheffield Arena, në Angli, në moshën 69-vjeçare. Ky koncert shënoi përmbylljen e turneut të saj “Tina!: 50th Anniversary Tour”.

Në prill të vitit 2013, ajo u shfaq në kopertinën e botimit gjerman të revistës Vogue në moshën 73-vjeçare, duke u bërë personi më i moshuar që është shfaqur ndonjëherë në kopertinën e Vogue.

Më 24 maj 2023, Tina Turner ndërroi jetë në shtëpinë e saj në Küsnacht të Zvicrës, në moshën 83-vjeçare, pas një sëmundjeje disavjeçare. Trupi i Turner u dogj pas një ceremonie private varrimi.

Pas lajmit për vdekjen e saj, ylli i saj në “Hollywood Walk of Fame” u mbulua me lule nga fansat. Fansat anembanë botës shprehën nderimet e tyre me lule dhe qirinj të ndezur jashtë shtëpisë së saj në Zvicër dhe jashtë teatrit “Aldwych” në Londër – vendi ku shfaqej mjuzikli “Tina”. Më 25 maj 2023, teatrot në zonën “West End” të Londrës i fikën dritat për dy minuta për të nderuar kujtimin e saj.

Trashëgimia e saj nxjerr në pah këndvështrimet unike të grave me ngjyrë për çështje që përfshijnë gjininë, klasën shoqërore, humbjen dhe dashurinë. Rrethanat shpesh sfiduese në të cilat Turner formësoi identitetin e saj muzikor janë thelbësore si për historinë e saj personale, ashtu edhe për historinë e muzikës.

Kevin Young, ish-drejtor i Muzeut Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane të Institutit Smithsonian, publikoi një deklaratë të veçantë më 24 maj 2023, në nderim të Tina Turner.

“Si ikonë e muzikës, risitë dhe ndikimi i Tina Turner shtrihen nga skena te ekrani, nga muzika te filmi dhe në çdo cep të kulturës pop. Ajo na mësoi për mbijetesën dhe gëzimin, duke folur me guxim për dhunën në familje dhe duke mishëruar qëndresën dhe artin e njerëzve me ngjyrë. Karriera e saj e pashoqe dhe jeta e jashtëzakonshme frymëzojnë këdo, ndërsa trashëgimia e saj e pasur vazhdon të ketë ndikim të madh edhe në kohët moderne.“

Burimi: Katror.info

© 2026, Pozitivi. All rights reserved.