Shkolla pa celularë/ Çfarë na mëson bota dhe disa zgjidhje të mundshme për Shqipërinë
04/09/2025 Shpërndaje

Shkolla pa celularë/ Çfarë na mëson bota dhe disa zgjidhje të mundshme për Shqipërinë

Me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Nr. 23, datë 01.09.2025, që kufizon përdorimin e telefonave celularë në institucionet arsimore parauniversitare, Shqipëria i është bashkuar vendeve që kanë marrë masa të ngjashme. Debati është: A është ky një hap drejt një mësimdhënieje më të përqendruar, apo thjesht një ndalim simbolik? Përtej pyetjes “pro” apo “kundër”, ky artikull shqyrton çfarë ka funksionuar diku tjetër, çfarë mund të adaptohet tek ne, dhe çfarë thonë aktorët shqiptarë për zbatimin.

Modelet ndërkombëtare: ndalime, kompromis dhe mbështetje

Franca ishte ndër vendet e para që vendosi kufizime ligjore për celularët në shkolla. Ligji i vitit 2018 ndaloi përdorimin e tyre gjatë orëve të mësimit, ndërsa lejon përdorim të kufizuar për qëllime mësimore. Kohët e fundit, pilotimet mbi “digital pause” janë shoqëruar me trajnime për mësuesit dhe aktivitete jashtëshkollore që ndihmojnë nxënësit të menaxhojnë më mirë kohën pa ekran.

Neë York (SHBA), këtë vit zbaton politikën “bell-to-bell”, ku celularët janë të ndaluar gjatë gjithë ditës shkollore. Por zgjidhja inovative është përdorimi i pouche-ve magnetikë (ose futen në një kuti të sigurtë): nxënësi e mban telefonin me vete, por nuk mund ta përdorë deri në fund të mësimit. Kjo krijon një kompromis mes sigurisë dhe disiplinës.

Koreja e Jugut ka bërë hapin e radhës: ndalim kombëtar i përdorimit të celularëve në klasë, i shoqëruar me qendra këshillimi për varësinë dixhitale dhe programe ndërgjegjësimi për prindërit. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për rregull disipline, por për një strategji të gjerë që synon shëndetin mendor të adoleshentëve.

Mesazhi i përbashkët: ndalimi i thjeshtë është i pamjaftueshëm. Vendet që shënojnë rezultate më të mira e kombinojnë atë me trajnim, mekanizma praktikë për zbatim dhe edukim dixhital.

Si zbatohet në Shqipëri

Në prag të vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, theksoi:

“Shkolla është vendi ku ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë… këtë vit shkollor, duke parë përvojën e vendeve të tjera dhe studimet e fundit, po e forcojmë zbatimin e këtij rregulli, që të jetë realisht efektiv.”

Rregulli është i thjeshtë: telefonat nuk merren në shkollë. Në rastet e jashtëzakonshme të kërkuara nga prindërit, nxënësi duhet ta dorëzojë të fikur në sirtarin e klasës deri në fund të mësimit.

Reagimet në terren janë të ndara. Disa prindër e shohim si hap të domosdoshëm me argumetin se: Fëmijët sot janë të lidhur më shumë me ekranin sesa me klasën. Ky rregull i ri do t’i ndihmojë të përqendrohen.

Por disa nxënës e shohim ndryshe: “Telefoni nuk është vetëm për lojëra apo rrjete sociale. Ka aplikacione që na ndihmojnë në mësim dhe nuk duhet të ndalohet plotësisht.”

Ky kontrast nxjerr në pah një pikë kyçe: ndalimi nuk është i mjaftueshëm nëse nuk ofrohen alternativa që e zëvendësojnë funksionin pozitiv të teknologjisë.

Pro dhe kundër: Evidenca dhe dilemat

Studimet ndërkombëtare tregojnë se ndalimi i celularëve përmirëson disiplinën dhe ul shpërqendrimin, veçanërisht tek nxënësit me rezultate më të dobëta. Raportet nga SHBA flasin për ulje të bullizmit online dhe më shumë ndërveprim ballë për ballë.

Nga ana tjetër, evidenca mbi përmirësimin e notave është e paqëndrueshme. Ka raste ku nuk është parë ndonjë ndikim të madh akademik. Po ashtu, zbatimi i rreptë mund të penalizojë nxënësit më vulnerabël — ata që varen nga telefoni për komunikim me prindërit. Dhe nëse ndalimi nuk shoqërohet me edukim dixhital, nxënësit humbasin mundësitë për të mësuar të përdorin teknologjinë në mënyrë produktive.

Zgjidhjet që mund të funksionojnë tek ne

Për të kaluar nga rregulli formal tek ndryshimi real, Shqipëria mund të ndërmarrë hapa të ngjashëm me vendet që kanë pasur sukses:

  • Kuti të sigurta për celularët: Një mënyrë që telefonat të mos përdoren, por të jenë pranë nxënësit në rast emergjence.
  • Alfabetizim dixhital në kurrikulë: fëmijët duhet të mësojnë si të përdorin teknologjinë për kërkime, projekte dhe mësim, jo vetëm për rrjete sociale.
  • Kanale zyrtare komunikimi për prindërit: Nëse fëmija nuk ka celular, shkolla duhet të garantojë një rrugë të drejtpërdrejtë komunikimi në rast nevoje.
  • Pilotime në shkolla të përzgjedhura: për të parë efektet dhe për të përshtatur masën para zbatimit të plotë kombëtar.

Ndalimi i celularëve në shkolla është një hap i rëndësishëm, por i paplotë në vetvete. Ai duhet të shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë për edukimin e fëmijëve dhe shëndetin e tyre mendor. Përvoja ndërkombëtare na mëson se ndalimi funksionon vetëm kur shoqërohet me edukim, alternativa praktike dhe mbështetje për nxënësit. Nëse Shqipëria e merr këtë rrugë, masa e re nuk do të mbetet thjesht simbolike, por do të kthehet në një mundësi reale për përmirësimin e mësimit dhe jetës në shkollë.

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.