Përgjegjësia dhe roli edukativ i medias
Nga Ramadan Çipuri
Media në tërësi dhe televizioni në veçanti janë pranuar gjerësisht si mjete të rëndësishme të edukimit të publikëve. Debatet lidhur me këtë rol janë kryesisht për televizionin, qëështë media më e ndjekur në Shqipëri ndër mediat tradicionale. Shpesh vihen re diskutime lidhur me përmbajtjet mediatike dhe vlerën edukative dhe udhëzuese që ato kanë për publikët, veçanërisht për të rinjtë.
Në një shoqëri që ka ndryshuar rrënjësisht në këta 27 vite, për shkak të ndryshimeve politike, ekonomike dhe social kulturore si dhe emigracionit dhe lëvizjeve demografike, televizoni merr një rol të madh.
Televizoni ndërton modele jetese të cilat i servir për publikët e gjerë duke u bazuar edhe të përsëritja apo ndërtimi i mesazheve që janë të afërta në kuptime. Tregohet tashmë si një anektotë fakti se si mijëra shqiptarë që lanë Shqipërinë në vitin 1990 duke emigruar në Itali, prisnin të gjenin atje “Italinë që kishin parë nga ekranet e TV italiane”, që i kishin ndjekur fshehurazi si një dritare lirie. Shqiptarët mendonin se atje i priste një jetë luksi ku gjithçka shkëlqente ashtu si në reklamat e kanaleve të RAI-t, Canale5 apo Rette4.
Të rinjtë ndjekin dhe mësojnë modele të ndryshme që ofrohen në programe, filma dhe përmbajtje të tjera si video-klipet muzikore. Qëndrimi, sjellja, veshja, ushqyerja e shumë zakone të tjera njerëzore, sot formësohen përmes medias. Ashtu siç u thotë edhe Edëard Bernays amerikanëve në librin e tij Propaganda të vitit 1928, se ata mendojnë se veshjen e tyre e përcaktojnë vetë, por në fakt atë e përcakton një rrobaqepës (në kohën tonë quhet stilist) që jeton në Londër dhe që nuk ka asnjë lidhje me ta… Po të mendohet koha jonë, kur jemi të bombarduar përditë nga dhjetra ekranë: ekrani i celularit, tabletit, kompjuterit si dhe televizorët që nga dhoma e gjumit e deri te lokalet dhe madje sheshet e mëdha të qyteteve tona. Pra, sot, shoqëria mëson më shumë përmes televizionit sesa mëson përmes shkollës, një tendecë klasike që ka ndryshuar.
Diskutimet lidhur me aspektin edukativ të medias në Shqipëri mund të bazohen në disa tituj kryesorë siç janë:
- Dhuna dhe ekstremizat
- Politika
- Seksi
- Feja
- Konsumerizmi Etj.
Pra, në kohën që jetojmë diskutimi më i madh që po bëhet lidhet me dhunën. Shumë prindër reagojnë ndaj dhunës, që shpesh është e kudondodhur në kanalet televizive: që nga salla e Parlamentit e deri në një shtëpi të një katundi malor shqiptar. Rastet e dhunës që vijnë përmes atyre që quhen lajmet e kronikës së zezë, vihen re me një frekuencë të lartë në televizionet që synojnë të arrijnë sa më shumë audiencë. Pra, logjika që lajmi i keq është lajmi i mirë, ne shohim trajtimin deri në detaje të këtyre rasteve të dhunës. Media këtu mbyll sytë para faktit që në fakt po ofron modele edhe për individë të tjerë të prirur drejt dhunës dhe ekstremizmave. Pra, ata, mund të mendojnë që “kur të tjerët i zgjidhin problemet përmes dhunës dhe ekstremizmit, përse ata të mos e bëjnë këtë gjë!” Rreziku shtohet kur këto përmbajtje ndiqen nga të miturit. Ata i marrin këto si shabllone. Ndonëse nuk ka një studim serioz, vihet re te të rinjtë një lloj sjelleje agresive që gjenerohet nga rrymat e reja muzikore të cilat mbartin haptazi mesazhe reaguese dhe kryengritëse ndaj modeleve të ndryshme shoqërore. Pra, në Shqipëri, çështjet e trajtimit të dhunës si forma spektakli, (qoftë edhe duke u përpjekur t’i zgjidhësh këto probleme përmes emisioneve të së dielës), janë një burim i edukimit të gabuar të publikëve.
Një element tjetër që duket se shton agresivitetin është politika. Në këta 27 vite të pluralizmit, nga një shoqëri pa të drejta politike, është kaluar në ekstremin tjetër, atë të polarizimit të skajshëm të shoqërisë. Edhe në këtë pikë, politika, e cila do të duhej të formësonte qeverisjen demokratike të vendit, duke përfituar pikërisht nga elementët demokratikë kthehet në një element përçarjeje, përplasjeje, përjashtimi e madje shpesh edhe në dhunë.
Një problem tjetër që bie ndesh me rolin edukativ të medias është përdorimi i elementëve seksualë. Sot këta elementë mund të gjenden kudo; që nga reklamat televizive me nënkuptime, veshjet e prezantueseve, lajmet e quajtuara “rozë” lidhur me jetën private e deri te emisionet televizime “reality show” ku diskutohet hapur nëse çiftet në këtë program kryen apo jo marrëdhënie sekusale në transmetim të drejtëpërdrejtë! Seksizmi është kthyer në një element të fuqishëm të marketingut duke u shtyrë në këtë zonë edhe biznesin.
Një element tjetër delikat në shoqërinë shqiptare është trajtimi i fesë. Ky element shoqëror, ka raste që “demonizohet” duke u treguar si një e keqe e nga ana tjetër shpesh ka raste që tregohet si një kurë për problemet shoqërore. Media shqiptare ka shumë pak informacione dhe përgatitje lidhur me çështjet teologjike në tërësi dhe besimet e vaçanta të përqafuara apo aplikuara nga shqiptarët, ose edhe lidhur me faktin që një pjesë e shoqërisë nuk pranon fare të flasë për fenë.
Këta janë veç pak shembuj se si televizionet sot në Shqipëri, i trajtojnë këto tema vetëm nga perspektiva e tërheqjes së audiencës. Kjo i gjan atij supermarketit që nuk i bën asnjë përshtypje se mund të blesh tonelata me sheqërna të përpunuara dhe t’i hash – pra të sëmuresh- për supermarketin e rëndësishme është të shesë mallin brenda datës së skadencës! Po ashtu edhe media shqiptare, synon të shesë “mallin” e saj pa e skaduar koha, duke marrë as më shumë vëmendje e shikueshmëri, pa mbajtur asnjë përgjegjësi se çfarë ndikimi ka ky mall mbi miliona vetë që po e konsumojnë. Televizioni e trajton shikuesin si një “super-njeri” që mund të gëlltisëçdo lloj përmbajtjeje pa rrezikuar asnjë, me një lehtësi mahnitëse. Në fakt, nuk është kështu. Asnjë shikues nuk është “super-njeri”, dhe s’ka fuqi të mbinatyrshme.
Këtu u trajtuan disa elementë por nuk duhet harruar se televizionet kanë për detyrë të edukojnë publikët me programe argëtuese, edukative, mobilizuese në të mirë të shoqërisë në tërësi dhe indivitit në veçanti. Këtu merr rëndësi televizioni publik, që duhet të vijojë të prodhojë përmbajtje në këtë kontekst, pa lënë mënjanë tërësisht konkurrencën në treg dhe cilësinë e programeve, por edhe duke mos komercializuar gjithçka. Programet edukativo-kulturore, gjuhësore, historike etj. kanë vlera tëçmuara dhe të mos harrojmë që këto programe pasi marrin vendin e tyre në transmetimet televizive, përhapen me shpejtësi drejt platformave të videove në internet. Tashmë arkivi i përmbajtjeve televizive nuk janë më kasetat në raftet e pluhurosura, por prezantimi i tyre i pafundmë në platformat e videove në internet dhe në median sociale.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
