Partitë e reja në Shqipëri: Opozitë reale apo vetëm iluzion për votuesit?
Në Shqipëri po shfaqen e shtohen parti të reja që duan të sjellin ndryshim. Disa janë regjistruar dhe kanë marrë pjesë në zgjedhje, disa kanë edhe deputetë në Parlament, por shumë qytetarë i shohin ende si “shashka politike”: Bwjnw zhurmw, janw të dukshme, me fjalë të bukura dhe premtime, por që në praktikë nuk ndryshojnë balancën e pushtetit. Ky është një fenomen që nuk lidhet vetëm me mungesën e eksperiencës, por edhe me mënyrën si funksionon politika shqiptare — ku struktura dhe rrjeti janë vendimtarë.
Kush janë këto parti?
Partia Mundësia e Agron Shehaj është shembulli më konkret i një partie që ka arritur të futet në Parlament. Me dy deputetë — Shehaj dhe Erald Kapri — Mundësia ka një prani të vërtetë institucionale. Programi i saj fokusohet tek ekonomia, inovacioni dhe lufta ndaj abuzimeve, duke tentuar të ofrojë alternativë të djathtë liberale. Por, përtej figurës së liderit, sfida mbetet struktura dhe aftësia për të mobilizuar mbështetje më gjerë.
Lëvizja Bashkë, me Arlind Qorin në krye, dhe Shqipëria Bëhet, me Adriatik Lapajn, janë forca që burojnë nga aktivizmi qytetar. Ata kanë energji dhe kauza të qarta, por mungesa e rrjetit në terren dhe e pranishmërisë kombëtare u pengon të konsiderohen alternativa të forta. Nisma Thurje, udhëhequr nga Endrit Shabani, synon pjesëmarrje qytetare dhe reforma institucionale, por realiteti politik shpesh e lë në margjinë.
Duke i parë këto parti, bëhet e qartë pse disa qytetarë i perceptojnë si iluzion: ata ekzistojnë, flasin, bëjnë fushata, por për shumë votues nuk ka ndonjë ndryshim të prekshëm në përditshmëri.
Çfarë tregon përvoja ndërkombëtare
Në Europë ka shumë shembuj ku partitë e reja kanë arritur sukses. Në Spanjë, Podemos dhe Ciudadanos u ngritën pas krizës ekonomike duke përqafuar energjinë e protestës dhe duke krijuar rrjet lokal. Në fillim ishin lëvizje të vogla, por lidhja me votuesit dhe organizimi i mirë u dhanë sukses.
Në Francë, La République En Marche! e Macron u ngrit rreth një figurë të vetme, por me plan të qartë dhe mobilizim qytetar. Në Itali, Lëvizja 5 Yjet transformoi protestën në strukturë me degë, kandidat të përgatitur dhe program të qëndrueshëm. Në Greqi, SYRIZA u rrit duke kapur momentin social gjatë krizës ekonomike, duke ofruar zgjidhje konkrete dhe duke ndërtuar rrjet.
Nga këto përvoja kuptohet se nuk mjafton dëshira për ndryshim: duhet strukturë, rrjet, program dhe aftësi për të lidhur idetë me votuesit. Aktivizmi i bukur, apo një figurë mediokritare e famshme, nuk garanton sukses.
Çfarë mungon në Shqipëri
Partitë e reja shqiptare kanë hapësirë për të bërë ndryshim, por sfidat janë reale. Rrjeti dhe struktura janë të dobëta, financimi shpesh i pakët, gjuha politike më shumë protestuese sesa programore, dhe hapësira mediatike dominohet nga partitë tradicionale. Shumë qytetarë i shohin si imazh të bukur, por jo si forcë që ndryshon realisht politikën.
Për të shmangur perceptimin e “shashkave politike”, partitë duhet të kalojnë nga aktivizmi dhe retorika tek organizimi i vërtetë, strukturat lokale dhe veprimet konkrete. Vetëm kështu mund të fitojnë besim dhe të bëhen alternativa reale.
© 2025, Pozitivi. All rights reserved.
