Raporti i UNFPA; gratë punojnë 7 herë më shumë në shtëpi e paguhen më pak se burrat
17/12/2020 Shpërndaje

Raporti i UNFPA; gratë punojnë 7 herë më shumë në shtëpi e paguhen më pak se burrat

UNFPA Albania ka publikuar gjetjet e politikave familjare dhe steriotipet gjinore në vend. Një nënë që sapo sjell në jetë një fëmijë në Shqipëri, përfiton leje prindërore katër muaj derisa fëmija të mbushë moshën gjashtë vjeç. Me ndërhyrjet e bëra në Kodin Punës(2015), lejen e prindërimit mund ta përfitoje dhe babai por jo në një afat të tillë kohor. Edhe pse kohëzgjatja e pindërimit për gratë në Shqipëri është një ndër pratikat më të mira dhe më të gjata në Europë, jo e gjithë leja e prindërimit është e paguar në masën 100% të pagës. Një tjetër politikë sociale me qëllim mbështetjen e prindërve të rinj është ajo e përfitimit të bonusit të bebeve, që nga janari i 2019 deri në tetor 2020 e kanë përfituar mbi 60 mijë fëmijë nga buxheti i shtetit 2.4 mld lekë.

Por pavarësisht këtyre qasjeve pozitive të nxitjes së lindshmërisë, aktorët e huaj dhe ata vendas në Shqipëri kanë propozuar një sërë ndërhyrjesh ligjore me qëllim rritjen e përfitimeve financiare, përkujdesjen për fëmijët dhe aksesin në kujdesin ndaj fëmijëve, të cilat do të ndihmonin shumë prindërit në krijimin e një jete të mirë për familjen.

Për një panoramë më të gjerë të kuadrit ligjor dhe një sërë propozimesh të bëra nga ekspertë, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) prezantoi “Analizën e Politikave të Përgjegjshme Gjinore në Shqipëri”, e cila analizon kontekstin social e ekonomik të këtyre politikave në Shqipëri. Gjetjet iu prezantuan ligjvënësve, nën-Komisionit Parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave duke patur si qëllim zgjerimin e mundësive për më shumë zgjedhje nga gratë për të përmbushur aspiratat e tyre si për të ndjekur karrierën, ashtu edhe për të pasur familjen dhe numrin e fëmijëve që duan.

Takime të tilla me partnerët strategjikë, deputetët, institucionet qeveritare dhe organizatat e shoqërisë të kontribuojnë më mirë në përmirësimin e kuadrit ligjor në drejtim të sigurisë financiare të prindërve dhe ruajtjen e një balance midis punës dhe familjes.

Ndërhyrje të tilla shihen me rëndësi teksa statistikat në Shqipëri tregojnë për uljen e lindshmërisë krahasuar me vendet europiane. Në Shqipëri lindshmëria është në nivelin 1.37 fëmijë për grua, ndërkohë që në vendet Evropiane është 1.55 fëmijë për grua (2018).

Pavarësisht progresit për reduktimin e diskriminimit gjinor, kur vjen çështja e kujdesit të fëmijës dhe punës së paguar, gratë kalojnë më shumë orë pranë fëmijëve të tyre dhe rrjedhimisht paguhen me pak. Raporti tregoi se gratë shpenzojnë 7-herë më shumë kohë se burrat në punë të papaguar në shtëpi, duke bërë punët e shtëpisë dhe duke u kujdesur për fëmijët. Shpërndarja e pabarabartë e shërbimeve të kujdesit (51% vs 25%) dhe punëve të shtëpisë(88% vs 16%) midis grave dhe burrave i mban gratë jashtë tregut të punës dhe kufizon mundësitë e tyre për karrierë: 32% e grave të moshës 15-29 vjeç nuk janë as në shkollë, as në punë për arsye të përgjegjësive familjare.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.