Papunësia e prindërve, shkak për dhunën ndaj fëmijëve!
19/02/2021 Shpërndaje

Papunësia e prindërve, shkak për dhunën ndaj fëmijëve!

Varfëria, papunësia dhe niveli arsimor i prindërve rezultojnë të mbeten faktorë të rëndësishëm të abuzimit fizik tek fëmijët dhe të rinjtë në Shqipëri në një dekadë.

Ky është përfundimi i raportit “Abuzimi i adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri”, i përgatitur nga ekspertë me eksperiencë në fushën e shëndetit publik dhe të mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve dhe mbështetur nga UNFPA dhe i prezantuar sot në Kuvendin e Shqipërisë.  

Të dhënat janë përfituar përmes një analize të të thelluar të katër studimeve kombëtare të kryera në Shqipëri: “Sjelljet Shëndetësore të fëmijëve të moshës shkollore 11, 13 dhe 15 vjeç, 2017/18; Studimi  “Mirëqenia dhe siguria e grave”, OSBE, 2018; Studimi “Dhuna ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri”, INSTAT 2018; Studimi “ Prevalenca e përvojave negative gjatë fëmijërisë tek të rinjtë shqiptarë, OBSH 2012.

Të dhënat e përfituara vënë në dukje se edhe pse gjatë dekadës së fundit ka një trend zbritës të prevalencës së formave të ndryshme të abuzimit të adoleshentëve dhe të rinjve në Shqipëri, determinantët përcaktues të abuzimit mbeten të njëjtë.

“UNFPA  e vlerëson bashkëpunimin dhe partneritetin me Kuvendin, me institucionet e pavarura të të drejtave të njeriut dhe organizatat e shoqërisë civile që të dënohet, luftohet dhe adresohet dhuna në çdo formë të saj. 

Një jetë pa dhunë është garanci drejt një vendi të shëndetshëm dhe me prosperitet”, deklaroi zj. Dorina Tocaj, analiste e Programit të Shëndetit Seksual dhe Riprodhues dhe të Rinjve në zyrën e UNFPA në Shqipëri, gjatë prezantimit të raportit në Kuvendin e Shqipërisë.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.