Një fizioterapiste në fushën e blertë, në ‘luftë’ me dy dashuritë e saj të mëdha
21/05/2019 Shpërndaje

Një fizioterapiste në fushën e blertë, në ‘luftë’ me dy dashuritë e saj të mëdha

Asja Koromani ka lindur në qytetin e Vlorës. Aktualisht është studente Fizioterapie në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Ajo thotë se ekziston një dashuri pa kushte midis vetes topit dhe fushës. Futbolli pasioni i saj i fëmijërisë është rritur bashkë me të. Aktualisht është e angazhuar në ekipin ‘Dajti’, i cili i merr një pjesë të mirë të ditës.

19 vjeçarja tregon për pozitivin se futbolli i mësoi si të luftojë për të arritur një qëllim. “Për mua futbolli nuk është thjesht një sport, por është pasion dhe dashuri e kultivuar që nga fëmijëria. Futbolli është disiplinë, është punë e palodhur, është humbje, fitore, është buzëqeshje, por ndonjëherë edhe lot. Futbolli më ka mësuar si të luftoj për të arritur një qëllim”, thotë ajo.

E ardhmja si fizioterapiste nuk do ta shkëpusë nga fusha. Një nga arsyet pse ka zgjedhur këtë profesion është sepse i krijon hapësira që të jetë pranë fushës së blertë dhe ti ndjekë të dyja pasionet e saj më të mëdha: futbollin dhe fizioterapinë. 19 vjeçarja vjen nga një familje e thejshtë vlonjate dhe gjithmonë është mësuar të luftojë fort për të arritur qëllimet. Futbolli ka qenë si një stërvitje për të, jo vetëm në fushë, por edhe në jetë. Asja nuk është e talentuar vetëm në futboll, e reja ka qenë nxënëse ekselente në gjimnaz dhe vazhdon të mbetet një nga studentet më të mira në fakultet.

Asja Koromani për pozitivi.org:

Asja: Quhem Asja Koromani dhe jam 19 vjeç. Aktualisht studioj Fizioterapi në Universitetin e Mjeksisë ne Tiranë. Përveç studimeve jam e angazhuar dhe me nje ekip futbolli për femra i quajtur Dajti.

Çfarë është për ty futbolli?
Asja: Për mua futbolli nuk është thjesht një sport, por është pasion dhe dashuri e kultivuar që nga fëmijëria. Futbolli është disiplinë, është punë e palodhur, është humbje, fitore, është buzëqeshje, por ndonjëherë edhe lot. Futbolli më ka mësuar si të luftoj për të arritur një qëllim: Fitoren, më ka mësuar punën në grup, më ka mësuar së suksesi nuk vjen duke ndenjur duarkryq por vjen duke punuar, duke lënë shpirtin në fushë, duke sakrifikuar. Futbolli nuk të stërvit vetëm trupin, por edhe mendjen e zemrën.
Është një dashuri pa kushte midis meje topit dhe fushës! Nuk janë 90 minuta por janë një jetë. E pra, nëse për të tjerët futbolli është vetëm një sport, për ne që luajmë dhe e ndiejmë janë gjithë jeta!

Kur e ke kuptuar pasionin për futbollin dhe në çfarë moshe ke filluar të luash?

Asja: Pasioni për futbollin ka lindur me mua dhe babi si një futbolldashës i flakte e ka rritur edhe më shumë këtë pasion brenda meje duke më marrë me vete për të parë ndeshje e duke më treguar për këtë sport.
Dëshira për të luajtur ka qenë gjithmonë dhe si çdo fëmijë tjetër dhe unë kam filluar të luaj nëpër rrugicat e lagjes, por jam futur në ekip vetëm në moshën 16 vjeçare, pasi në qytetin ku kam jetuar nuk kishte një ekip femrash.

Ke ndonjë futbolliste që të ka frymëzuar për të nisur këtë rrugë?

Asja: Futbolliste femër nuk kam idhull por janë disa që më pëlqejnë si p.sh Alex Morgan ose Marta.

Sa kohë i kushton stërvitjes?

Asja: Stërvitjes i kushtoj rreth 2-3 orë në ditë dhe në fundjavë janë ndeshjet e kampionatit që zhvillohen mes ekipeve.

Sa e vështirë është për një vajzë të luajë futboll?

Asja: Dikur mund të themi që ka qenë shumë herë më e vështirë se në ditët e sotme sepse mentaliteti i njerëzve ka qenë shumë “konservator“ dhe femrat futbolliste cilësoheshin tabu, por gjërat kanë filluar të ndryshojnë dhe njerëzit e sidomos familjarët kanë filluar ta pronojnë pasionin që vajzat e tyre kanë për futbollin.

Aktualisht po studion fizioterapi. Në të ardhmen ku mendon të përqendrohesh, do të zgjedhësh të bësh karrierë si futbolliste apo fizioterapinë?

Asja: Futbolli siç e thashë ka nje rol shumë të rëndësishëm në jetën time dhe nuk besoj se do shkëputem totalisht, por primare në një të ardhme mendoj se do të jetë profesioni për të cilin po studioj. Një nga arsyet pse e kam zgjedhur këtë profesion është sepse më krijon hapësira që unë të mund të jem pranë fushës së blertë dhe ti ndjek të dyja pasionet e mia më të mëdha: futbollin dhe fizioterapinë.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.