Nora dhe Ferati, vajza humane dhe babai frymëzues që sfidon paralizën
25/08/2018 Shpërndaje

Nora dhe Ferati, vajza humane dhe babai frymëzues që sfidon paralizën

Nga Beklie Koltraka

Nora Ferati është rritur që të tregojë respekt ndaj gjithkujt. 22 vjeçarja me origjinë nga Skënderaj ka mbjellë tek vetja ndjenjën e humanizmit, për të trajtuar njerëzit ashtu siç ajo do të trajtohet nga të tjerët. Gjatë një interviste për pozitivi.org e reja tregon se motoja e saj në jetë është “bëj mirë të gjesh mirë”.

“Humanizëm do të thotë të gëzosh jetë njerëzish, dhe kjo të jep një ndjesi që e çliron shpirtin”, thotë ajo. Në ditë festash shpërndan dhurata për të moshuarit në azile, veshmbathje për familjet në nevojë. Ajo i gjendet pranë çdokujt në vështirësi duke ua zbukuruar ditën me sjelljen e mirë dhe dashurinë që jep.

Po kaq pranë i ka qëndruar të atit, i cili është i paralizuar. Historinë Nora nuk ka dëshirë ta kujtojë por na flet për jetën e re të babait. Jeta e Ferat Feratit, babait të Norës ka ndryshuar. Po ashtu edhe  e Norës. Pas çdo akti mirësie të se resë qëndron i ati. Ai e mbështet fort. Përpara, Ferati punonte udhëheqës i 120 punëtorëve në minierë në Novoberd.

Pas paralizës, ka krijuar një lidhje të fortë me të afërmit dhe facebook-un. Të qëndruarit në shtëpi gjithë kohës e mërziti. Nga ana tjetër i ka lindur frymëzimi për të shprehur ndjenjat në poezi dhe shkrime. Miqtë i kanë qëndruar pranë dhe i shkojnë për vizitë çdo ditë. Ata e frymëzojnë, dhe në rrjete sociale ndan çdo takim, të shoqëruar me poezi ose përshkrime të shkurtra.

Në facebook përshkruan gjithçka të bukur që i ndodh gjatë ditës. Kontakton me miqtë që ka larg. Nuk ndihet më i vetmuar. Merr vlerësime mjaft pozitive nga rrjeti dhe kjo e bën të ndihet njësoj me të tjerët. Aty koha kalon më shpejt dhe dhimbjet s’i ndjen aq fort. Me internet e ka sfiduar “paralizën”, madje është bërë burim frymëzimi për shumë të tjerë.

Në momente të vështira njeriu ka nevojë për mbështetje. Feratit s’i ka munguar kurrë. Në një nga postimet e shtatorit, Ferati ka ndarë vizitën që i ka bërë mësuesi i fillores, i cili ka dalë në pension. Përkëdheljet e mësuesit e kanë lumturuar pa masë dhe e kanë bërë të ndihet si një 9 vjeçar.

“Sot më datën 13-09-2018 më erdhi për vizitë mësusi im i fëmijërisë, të cilin e falenderoj përzemërsisht në emrin timin, dhe të familjes. Edhe pse tash është në pension, nxënësit e vetë kurrë nuk i harron. Çfarë përkëdhelje më bëri sot mësuesi im. Unë e falenderoj nga thellësia e zemrës mësuesin që ma bëri këtë vizitë.

M’u duk vetja sikur kur isha fëmijë në moshën nëntë vjeçare atëhere. M’a zbukuroi ditën sot mësuesi im. Zoti e shpërbleftë me t’mirat e krejt botës për këtë vizitë që ma bëri”, tregon Ferati. Nora në intervistën e plotë që ka dhënë për pozitivi.org na tregon më shumë për ëndrrat që ka dhe për mikun më të mirë, babain e saj.

Intervista ekskluzive per pozitivi.org me Nora Ferati:

Pozitivi: Një prezantim të vetes?

Jam 22 vjeç, jetoj në Skënderaj, me prindërit. Hobi im është të bëj humanizëm, të merrem me modë, dizanj etj. Kam kryer shkollën e mesme teknike. Në kohën e lirë më pëlqen të lexoj libra herë pas here.

Pozitivi: Thua se të pëlqen të bësh humanizëm, na trego çfarë do të thotë për ty kjo fjalë?

Humanizëm për mua do të thotë shumë. Kjo nuk është vetëm hobi por edhe lumturohesh shumë kur bën një akt që quhet i tillë, pasi që gëzon jetë njerëzish, dhe kjo të jep një ndjesi që e çliron shpirtin. Me shtyn të bëj mirë fakti qe edhe unë sigurisht kam mbetur ndonjëherë pa diçka, me ka munguar diçka, kam pasur nevojë për të, e s’kom pas se si të mbërrij te ajo gjë. Kjo më shtyn mua të bëj mirë. Edhe pse ndoshta nuk kam aq shumë, po me mundësitë e mia bëj mirë aty ku është e nevojshme. Për shembull gjatë dimrit gjej ndonjë familje ku ka nevojë, ndoshta me ushqime jo aq shume por dhuroj rroba, kepucë.

Të paktën ua lehtësoj diçka pasi që në Kosovë të jesh në varfëri dhe me një ndihmë sociale shumë të vogël është tepër e veshtirë të jetohet pa patur ndihmën e dikujt. Po ashtu edhe rrugëve shoh shumë që lypin lëmosha dhe nuk mund të kaloj përreth tyre pa i dhënë diçka. Jeta është e gjatë, ndryshon çdo gjë për nje moment. Edhe unë ndoshta një ditë do kisha mbetur njësoj sikur ata fëmijë, ato nëna, ata baballarë të dikujt në rrugë, kështu që bëj mirë të gjesh mirë. Nuk varfërohesh duke dhënë. Zoti veçse ta shton riskun më shumë.

Pozitivi: Babai jot është me aftësi të kufizuara, sa ka ndikuar kjo që të solidarizohesh më shumë me të tjerët në nevojë?

Po babi im është me aftësi të kufizuara, është i paralizuar. Pasi kjo gjë i ka ndodhur babit unë kam ndryshuar shumë, por është vetë babi që më rri në krah kur bëj gjera të mira. Sepse edhe babi im ka përjetuar varfërinë, sepse të krahasosh vitin 1960 me 2018-ën, çdo gjë është më ndryshe, si arsimimi, kultura, ekonomia e shumë gjëra të tjera. Patjetër që edhe babi im e ka përjetuar ndjenjën e të munguarit diçka, e të mos pasurit, ndaj është pajtuar me mua plotësisht që të ndihmoj të tjerët me aq sa kam mundësi. Pra babain e kam pasur gjithmonë përkrahës në çdo gjë.

Pozitivi: Pak më lart thua “pasi i ka ndodhur babait kjo kam ndryshuar”. Çfarë i ka ndodhur?

S’dua të flas për këtë. Por di të them se s’ka mundësi shërimi sepse palcen e ka të dëmtuar.

Pozitivi: Çfarë pune bënte më parë babai?

Ka qenë shef në minierë në Novoberd,  ku udhëhiqte 120 punëtorë.

Pozitivi: Ferati, babai jot ka një adresë në rrjete sociale ku poston shpesh momente nën shoqërinë e njerëzve të afërm, miqve, familjarëve. Duket shumë i gëzuar që ka kaq shumë njerëz që e duan dhe mbështesin dhe këtë e përcjell edhe përmes postimeve. Çfarë e lumturon më së shumti? A ndihet më i fortë kur ka pranë njerëz që interesohen dhe kujdesen për të?

Sigurisht që mbështetja më e madhe e tij kemi qenë ne, familja dhe shoqëria. E lumturojnë nipërit që kemi, shoqëria që vijnë ta vizitojnë të cilët i falenderoj shumë. Ai tani është bërë njëfarë shkrimtari (qesh), pasi kohën e kalon vetëm në dhomë, e tani e shfrytëzon me shkrime dhe vjersha të cilat i bën kaq bukur. Vargjet i thur shumë shpejt, ka nje prirje shumë të veçantë dhe në të vërtetë që të gjithë ia pëlqejnë atë çfarë shkruan.

Pozitivi: Prej sa kohësh ka filluar të shkruajë? Nga se frymëzohet?

Po ka filluar spontanisht, nuk e ka pas më parë si hobi. Që pasi është paralizuar shkruan. Është frymëzuar nga jeta tij, tek sfidat që ka kaluar, shkruan për atdhetarët, e kështu me rradhë.

Pozitivi: E kujt ishte ideja që të angazhohet në rrjete sociale?

Më parë nuk ka qenë aktiv, nuk është marrë fare me rrjete sociale. Ka qenë në punë, shumë i zënë. Por pas paralizës i përdor. Ideja ka qenë e imja dhe e motrës pasi nuk kalonte koha dhe i vetëm mërzitej. Pasi i hapëm facebook-un, nuk mërzitet, koha kalon më shpejt pasi edhe kontakton me miqtë aty.

Pozitivi: Si është marrëdhënia jote me babain?

Shumë e mirë është. Mund të them që kemi marrëdhënie si shok-shoqe. Jemi të lidhur dhe flasim për çdo gjë, si babai më të bijën. I gjendemi pranë njërit-tjetrit. Ai me keshilla unë në forma tjera. Vetëm për të kam bërë praktik në spital të mësohem për t’i dhënë neksia. Tani pas praktikës ia jap vetë.

Pozitivi: Ti vetë the që ke dëshirë të dizajnosh. A do ta bësh realitet në të ardhmen?

Po kom dëshirë dizajnimin por me kushtet që janë këtu s’kom mundësi edhe aq sepse shumë shpenzime na shkojnë edhe për babin. Por jetës si dihet ndoshta një ditë edhe unë do ja dal me diçka.

Pozitivi: Çfarë mesazhi ke për të dhënë?

Mos u ndalni asnjëherë, vazhdoni tutje përcilleni ëndrrën tuaj, ndoshta shumica ka shumë ëndrra po të pakta janë gjasat për t’u realizuar. Gjithsesi ju vazhdoni luftoni per atë që doni e mos u dorëzoni asnjëherë, besoni tek vetja se do ja dilni mbanë. Ndoshta jo sot, as nesër por shpresoj që do vijë një ditë e do të korrni suksese me shumë meritë.

© 2018 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.