2 binjaket e lindura në godinën e gurtë të fshatit pas Tiranës, e vetmja shpresë për familjen
Këto janë 2 pallate të njohura s’i godinat e ish-minierës në Krrabë. Kur miniera u mbyll, disa familje i kthyen në banesa. Sot banorët tregojnë se në godinën e parë jetojnë 18 famije ndërsa në të dytën rreth 19. Vjetërsinë mund ta dallosh lehtësisht nga ftohtësia e shtëpive të gurta të ngjitura pas njëra tjetrës.
Vjollca Alimadhi, 40 vjeçe jeton tek apartamentet e ish-minierës prej 20 vitesh. 40 vjeçarja jeton me vajzat, bashkëshortin dhe vjehrrën në një apartament të godinës së dytë, në kushte mjerane. Ajo ka 3 vajza. Të madhen e ka në shkollë fillore, kurse binjaket Selvia dhe Amelia ende s’i kanë mbushur 3 vjeç.
Gjatë këtyre 20 viteve kanë vënë vetëm dritaret dhe derën në banesë. “Përpara 20 vjetësh s’ka pasur as derë as dritare, s’ka pasur asgjë. Gjatë këtyre viteve që kam jetuar kam vënë vetëm derë dhe dritare, kushte të thjeshta”, thotë ajo për pozitivi.org.
Apartamentin në të cilin jetojnë, s’e kanë me certifikatë pronësie. Por më në fund vjen një lajm i mirë për famijen e Vjollcës dhe për të gjithë banorët e pallateve të ish-minierës. Ata shumë shpejt do kenë mundësi që të marrin pronësinë e apartamenteve. “E gëzuar shumë jam se marrim pronësinë, pra bëhet prona ime dhe mund të filloj të investoj diçka”, thotë ajo.
Papunësia është një problem i madh për banorët e kësaj zone, të rinj dhe të vjetër. Shumica jetojnë me pensionin e prindërve, të tjerë enden drejt Tiranës për të gjetur një mundësi pune. Gratë janë të ngujuara në fshat.
Vjollca gjithë ditën qëndron në shtëpi, kujdeset për binjaket. Të ardhurat për jetesë i siguron kryefamiljari. I shoqi punon me ditë dhe në të zezë. Atë vazhdimisht e gjen në kërkim për punë. “Burri del me punu. Kur gjen punon, kur s’gjen nuk punon. Punon në të zezë, çfarë të gjejë”.
Por të ardhurat që marrin nuk janë të mjaftueshme, sepse është vetë e gjashta. Me to jeton edhe nëna e bashkëshortit. Me pensionin e të moshuarës, 800 lekë (të reja) mbulojnë shpenzimet e dritave dhe të ushqimeve jetike. Pavarësisht përpjekjeve, vështirësitë s’kanë zgjidhje. “Ku të shkojmë, s’kemi ku të shkojmë. Me 80 mijë lekë dhe ç’punon burri, po gjeti punë. Po s’gjeti ikën në mëngjes dhe vjen në shtëpi. Në Tiranë punon, në Krrabë s’ka punë, shkon në Tiranë çdo ditë dhe vjen”, shton Vjollca.
Më shumë vështirësi hasin gjatë dimrit. “Fillojnë shirat tani dhe uji më hy krejt brenda. Dhe mi kalb dritaret komplet sepse janë dritare druri, ka vite që janë vënë. Mos të kesh lekë me vënë një dritare se të futet shiu brenda. Fëmijët kanë ftohtë, po cfarë të bëjmë, i veshim trashë”, tregon mes të tjerash kryefamiljarja.
Pa shumë shpresë për të ardhmen, por familja e Vjollcës duket e hapur, miqësore dhe mikëpritëse. Gëzimi dhe shpresa e së ardhmes për të janë vajzat. 2 binjaket Selvia dhe Amelia janë dy bukuroshe të bardha si bora. Flokët e shkurtra, me onde të ngritura lart. Nga fytyra s’u ndahej buzëqeshja e ëmbël. Këtë pozitivitet ia transmetojnë famijes çdo ditë. Ato janë shpresa e vetme për mamanë e tyre. “Unë s’kam mundësi t’i largoj vajzat nga këtu, por shpresoj që në të ardhmen të bëhen të zonjat e vetes dhe të mos ngulin këmbë këtu”, thotë Vjollca duke i veshur fytyrës një buzëqeshje të pasigurt. Nga Beklie Koltraka
© 2018 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.





















