Mjekja që kuron falas fëmijët e varfër
20/09/2017 Shpërndaje

Mjekja që kuron falas fëmijët e varfër

“Ja pse e adhuroj punën me fëmijët, krijoj marrëdhënie përtej punës”

Te jesh mjek është një përgjegjësi dhe privilegj i madh. Teuta Haveri, kirurge oftalmologe, në Spitalin Amerikan të Tiranës prej gati 15 vjetësh ushtron me dëshirë dhe vullnet të pashoq punën e saj. Më së shumti kujdeset për sytë e fëmijëve dhe adoleshentëve, por jo më pak për ata që nuk kanë mundësi ekonomike për t’u kuruar.

Haveri gjatë një interviste për pozitivi.org rrëfen se e adhuron punën me fëmijët dhe pafajësinë që i karakterizon. Doktoresha ka bërë shpesh vizita falas për fëmijë në nevojë, jetimë, të sugjeruar nga organizata që kanë parë skamjen në të cilën jetojnë dhe pamundësinë për të marrë shërbimin e duhur.  Haveri tregon kënaqësinë që merr nga vizitat falas, momentin kur arrin të shihet nga pacientët e vegjël si shpëtimtarja e vuajtjes që kanë.

“Mjeku në rradhë të parë mjeku duhet të jetë human. Sepse nëse nuk është human nuk e bën dot plotësisht punën e tij, duhet të jesh human me të gjithë pacientët që trajton duke filluar nga mënyra si ti i dëgjon, që nga koha që u kushton atyre. Duhet të kuptosh se një person që ka ardhur deri këtu ka ardhur se ai ka një problem që ta ka besuar ty për ta zgjidhur dhe ky është një vlerësim, gjë që ne si mjekë e vlerësojmë në maksimum.

Duhet të impenjohemi në maksimum për ta zgjidhur problemin. E njëjta gjë funksionon dhe me pacientët në nevojë. Pavarësisht se ata nuk kanë mundësi financiare për të përballuar trajtimin ai është njeri, është qenie njerëzore dhe nëse ti do kesh një mundësi sado të vogël për ta ndihmuar duhet të bësh të pamundurën për t’ja ofruar këtë shërbim. Në këtë kuadër mendoj se të gjithë mjekët nuk do t’ia mohonin këtë shërbim një pacienti që është në nevojë aq më tepër një fëmije apo të moshuari”, tha Haveri për pozitivi.

Dita e saj është e mbushur plot me vizita dhe operacione në elementin më të rëndësishëm që ka çdo njeri në jetë, sytë. Sytë janë dritë për gjithëkënd, dritë, e cila bëhet edhe më qartë nën kujdesin e doktoreshë Teutës. Ata fëmijë që jetojnë në qendra sociale, të braktisur nga prindërit apo që janë me prindër në kushtë të vështira ekonomike kanë mundur ta shohin dritës e diellit më qartë të nesërmen, falë kontributit të doktoreshës por jo vetëm. Doktoreshë Teuta tregon për pozitivi se me të gjithë fëmijët që ka vizituar ka krijuar një marrëdhënie të veçantë, përtej profesionit.

Doktoresha mes emocionesh rrëfen lidhjen më pacientët fëmijë: “Unë kam shumë shumë pacientë fëmijë, madje po t’i shikosh tek celulari im kam shumë foto me pacientë fëmijë. I dua shumë edhe për faktin se janë shumë të sinqertë. Me fëmijët në fillim është e vështirë të punosh derisa të kuptosh atë botën e tyre. Profesori im i Strabizmit, Alain Pechereau , në universitetin e Nantës më thoshte se më fëmijët është më e thjeshtë të punosh, mjafton të fitosh besimin e tyre. Në momentin që fiton besimin e tyre ti i thua çfarë shqetësimi ke dhe ta thotë, ndërkohë që një i rritur ndoshta do mundohet dhe ta shmangë. Fëmijët janë shumë të sinqertë dhe unë e adhuroj punën me ta”.

Në fund të intervistës, nëpërmjet pozitivi.org doktoreshë Haveri ka një mesazh për gjithë opinionin publik, ndërsa thotë se “mjekun duhet ta shikojmë si aleat sepse është i vetmi person që qëndron mes teje, vuajtjes e sëmundjes tënde”. Sakaq shton se një “opinion pozitiv në shoqëri ndaj mjekëve e ndihmon atë që të bëjë punën e vetë më mirë”. “Do doja t’i bëja thirrje opinionit që mjekët t’i shikojnë si aleatë. Përfshirë dhe ne vetë si mjekë duke folur nga pozita të pacientit sepse dhe ne në momente të caktuara nuk jemi të mbrojtur nga sëmundjet dhe në një moment të caktuar jemi dhe ne si mjekë në pozicionin e pacientit dhe do shkojmë diku ta marrim ndihmë. Prandaj mjekun duhet ta shikojmë si aleat sepse është i vetmi person që qëndron mes teje dhe vuajtjes e sëmundjes tënde. Ai do të të ndihmojë ty të shërohesh.

Nëse është një opinion pozitiv ndaj mjekut, e ndihmon atë që të bëjë punën e vetë më mirë. P.sh është një opinion që unë e kam krijuar pas kaq e kaq vitesh punë, kur shikon në derë të hyjë një person që vjen tek ty me mirëbesin e të shikon si aleat ke një kënaqësi ndryshe nga dikush që vjen me idenë e mjekut negtiv. Gjërat janë shumë të thjeshta nuk duhen komplikuar. Një opinion pozitiv në shoqëri ndaj mjekëve, mendoj se mjekët do t’i ndihmojë shumë por dhe vetë njerëzit. Sigurisht disa raste janë sporadike dhe kanë arsye të caktuara ndaj nuk mund të përgjithësosh”.

Intervistë me Teuta Haveri për pozitivi.org:

Pozitivi: Kush është dr.Teuta për të gjithë ata që s’ju njohin?

Teuta Haveri: Unë kam mbaruar shkollën e lartë për Mjekësi të Përgjithshme në Fakultetin e Mjeksisë në Tiranë. Kam përfunduar studimiet në 1999, pas përfundimit të studimeve kam punuar në një NGO Farmacistët pa Kufij, këtu përfshin projektin e rikonstruksionit të farmacive spitalore deri në vitin 2001. Pastaj në janar të vitit 2001 fillova specializimin për Okulistikë dhe Kirurgji Oftalmologjike pranë Universitetit të Tiranës dhe qendrës spitalore Nënë Tereza. Përfundimi i specializimit ishte në vitin 2005. Gjatë gjithë kohës së specializimit, në sajë të një burse që unë arrita të fitoj nga Shoqata Europiane e Oftalmologëve, kam bërë udhëtime të shumta dhe stazhe në spitalet e parisit duke përfshirë Hospital Lariboisiere, pranë profesor Inel Hordrik, i cili është një nga udhëheqësit që më ka ndihmuar shumë në krijim dhe formimin tim profesional.

Nga viti 2007 deri në shtator 2009 kam ndjekur një specializim post universitar në spitalin e Nantes në Francë, specializim i theksuar në Strabologji dhe në problemet e Oftalmologjisë. Nën udhëheqjen e profesor Alain Pechereau nga viti 2007- 2009, kam marrë diplomën “Diplomë Universitaire në Strabologji” në shtator të 2009.

Pozitivi: Ka qenë dëshirë e juaja që në fëmijëri që të bëheshit mjeke?

Teuta Haveri: Ka qenë një zgjedhje që unë e kam bërë me gjak të ftohtë. Pas përfundimit të shkollës së lartë atëherë ka qenë zgjedhja e specialiteteve me konkurs dhe ti e zgjidhje degën e konkuroje. Madje ka qenë viti i parë që dega e shkollës së lartë fitohej me konkurs. Unë e zgjodha mjekësinë se më dukej një degë shumë e bukur dhe dëshira ime gjithmonë ka qenë që të ndihmoja. Dëshira më e madhe të më jepej mundësia të shëroja, t’i ndihmoja njerëzit kështu që tek mjekësia e gjeta veten mirë. Ishte pak degë e vështirë në atë moment por unë i kam qejf vështirësitë dhe e zgjodha si për të sfiduar veten. Mua më pëlqejnë sfidat. Gjithmonë e kam si tendencë për të gjetur rrugët më të vështira dhe deri më tani  ia kam dalë. Mbaj mend që atëherë kam studjuar gjatë gjithë verës kiminë, biologjinë, fizikën…Provimin e kam bërë tek Fakulteti i Shkencave dhe fitova. M’u realizua dëshira dhe fillova shkollësn e lartë.

Pozitivi: Ndihmoni fëmijë në nevojë, pse e bëni diçka të tillë?

Teuta Haveri: Është një politikë e spitalit, por sigurisht që është dhe impenjimi i mjekut kjo nuk diskutohet. Ne marrim kërkesa nga oraganizata apo individë që nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e trajtimit, vizitës. Merret një vendim për ta ndihmuar këtë person, kalohet vendimi në departamentin përkatës, qoftë okulistikë apo të tjerë, sigurisht jepet  konfirmimi i mjekut që asnjëherë nuk është refuzuar…

Pozitivi: Çfarë ndjesie merrni kur u gjendeni pranë atyre që s’kanë mundësi?

Teuta Haveri: Mjeku në rradhë të parë duhet të jetë human. Sepse nëse nuk është human nuk e bën dot plotësisht punën e tij. Duhet të jesh human me të gjithë pacientët që ti trajton duke filluar nga mënyra si ti i dëgjon që nga koha që u kushton atyre. Duhet të kuptosh se një person që ka ardhur deri këtu ka ardhur se ai ka një problem që ta ka besuar ty për ta zgjidhur dhe ky është një vlerësim, gjë që ne si mjekë e vlerësojmë në maksimum. Duhet të impenjohemi në maksimum për ta zgjidhur problemin. E njëjta gjë funksionon dhe me pacientët në nevojë. Pavarësisht se ata nuk kanë mundësi financiare për të përballuar trajtimin ai është njeri, është qenie njerëzore dhe nëse ti do kesh një mundësi sado të vogël për ta ndihmuar duhet të bësh të pamundurën për t’ja ofruar këtë shërbim. Në këtë kuadër mendoj se të gjithë mjekët nuk do t’ia mohonin këtë shërbim një pacienti që është në nevojë aq më tepër një fëmije apo të moshuari.

Pozitivi: Keni ndonjë fëmijë që jeni lidhur tepër me të, që e vizitoni vazhdimisht falas?

Teuta Haveri: Ka qenë rasti i një fëmije, në mos gaboj ka qenë tek Shtëpia e Fëmijës në Vlorë i cili na u referua nga ministiri Çështjeve Sociale, në atë kohë ka qenë z Erion Veliaj në mos gaboj. Atëherë fëmija ka qenë i vogël, tashmë besoj do jetë në moshë më të rritur. U arrit që të realizohej transplanti i kornesë që është një nga operacionet më madhore të syrit dhe vetë procedura është e tillë që ndjekja të bëhej rreth 2 vjet më mbrapa. Normalisht kur ke kontakte për një periudhë të gjatë, krijon një lloj lidhje dhe ndjehesh mirë kur arrin të bësh diçka, kur arrin që ai të shikojë.

Pozitivi: Po raportet me fëmijët përtej punës si mjeke. si i keni?

Teuta Haveri: Unë kam shumë shumë pacientë fëmijë, madje po t’i shikosh tek celulari im kam shumë foto me pacientë fëmijë dhe i duan shumë edhe për faktin se janë shumë të sinqertë. Me fëmijët në fillim është e vështirë të punosh derisa të kuptosh atë botën e tyre. Profesori im Alain Pechereau, në universitetin e Nantës më thoshte se më fëmijët është më e thjeshtë të punosh, mjafton të fitosh besimin e tyre. Në momentin që fiton besimin e tyre ti i thua çfarë shqetësimi ke dhe ta thotë, ndërkohë që një i rritur ndoshta do mundohet dhe ta shmangë. Fëmijët janë shumë të sinqertë dhe unë e adhuroj punën me ta.

Pozitivi: Si e shikoni raportin e humanizmit në mjekësinë shqiptare?

Teuta Haveri: Unë mendoj se është ngritur një tymnajë jo shumë miqësore në raport me mjekët. Mjekët në përgjithësi janë human. Si çdo profesion tjetër dhe si kudo ka të mirët dhe të këqinjtë por pjesa më e madhe e tyre ose të paktën flas për një pjesë të madhe të kolegëve që njoh. Humanizmi mbizotëron tek të gjithë. Në momentin që ti shikon pacientin, ideja jote e vetme është si mud ta ndihmosh atë. Ndërsa kjo lloj tymnaje ose dëshira për ta etiketuar mjekun si shkaktar të problemeve (duke iu referuar rasteve të rryshfeteve të denoncuar në media). Mund të ketë raste sporadike por në përgjithësi mendoj se mjekët janë shumë humanë dhe përgjigjen me shpirt për ta bërë detyrën e tyre. Do doja t’i bëja thirrje opinionit që mjekët t’i shikojnë si aleatë. Përfshirë dhe ne vetë si mjekë duke folur nga pozita të pacientit sepse dhe ne në momente të caktuara nuk jemi të mbrojtur nga sëmundjet dhe në një moment të caktuar jemi dhe ne si mjekë në pozicionin e pacientit dhe do shkojmë diku ta marrim ndihmë.

Prandaj mjekun duhet ta shikojmë si aleat sepse është i vetmi person që qëndron mes teje dhe vuajtjes e sëmundjes tënde. Ai do të të ndihmojë ty të shërohesh. Nëse është një opinion pozitiv ndaj mjekut edhe atë ti e ndihmon që të bëjë punën e vetë më mirë. P.sh është një opinion që unë e kam krijuar pas kaq e kaq vitesh punë, kur shikon në derë të hyjë një person që vjen tek ty me mirëbesin e të shikon si aleat ke një kënaqësi ndryshe nga dikush që vjen me idenë e mjekut negtiv. Gjërat janë shumë të thjeshta nuk duhen komplikuar. Një opinion pozitiv në shoqëri ndaj mjekëve, mendoj se mjekët do t’i ndihmojë shumë por dhe vetë njerëzit. Sigurisht disa raste janë sporadike dhe kanë arsye të caktuara, por nuk mund të përgjithësosh.

Mendoj që mjekët e kanë humanizmin pjesë të pandarë të rutinës, sepse të siguroj që nëse je mjek dhe je në kontakt përditë me vuajtjen nuk ka si të mos jesh njerëzor dhe të mos duash ta ndihmosh pacientin.

Nga Beklie Koltraka

     

© 2017 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.