Ndryshimi demografik nuk është krizë. Është një mundësi
29/11/2021 Shpërndaje

Ndryshimi demografik nuk është krizë. Është një mundësi

Europa është në mesin e një tranzicioni demografik me pasoja që kanë ndikim të gjerë. Njerëzit kanë më pak fëmijë, jetojnë më gjatë dhe në mënyrë më të shëndetshme. Shumë prej tyre janë në lëvizje në kërkim të mundësive më të mira.

Si rrjedhojë, popullsia e Europës po plaket me shpejtësi. Që në ditët e sotme, një në katër europianë është 60 vjeç ose më shumë. Parashikohet që deri në 2050, më shumë se e një e treta e popullsisë së kontinentit do i përkasë asaj grup moshe.

Disa popullsi kanë nisur të tkurren. Kjo ndodh kryesisht në Europën qendrore dhe lindore, ku përqindja e lindjeve është veçanërisht e ulët, plot të tjerë largohen nga vendi i tyre për të punuar gjetkë, ndërsa qeveritë nuk kanë pasur mundësi – ose dëshirë – për të tërhequr emigrantë.

Këto ndryshime demografike shpesh pasqyrohen si kriza, por faktorët themelorë që i nxisin këto, vlejnë për t’u kremtuar. Popujt po plaken pasi njerëzit janë më të shëndetshëm dhe jetojnë më gjatë. Shkalla e fertilitetit është më e ulët ndër të tjera, sepse gratë kanë më shumë të drejtë fjale, zgjedhjeje dhe mundësish. Ndërkohë shifrat e popullsisë janë në rënie në disa vende sepse njerëzit kanë më shumë liri për të vendosur se ku duan të jetojnë e punojnë.

Megjithatë, trajtimi i efekteve të ndryshimeve demografike nuk është diçka e lehtë. Në rënie ka shkuar numri i popullsisë në moshë pune të cilëve iu duhet të sigurojnë për një numër gjithnjë e më në rritje të të moshuarve. Sistemet sociale janë përballë një trysnie të madhe ndërsa mirëmbajtja e infrastrukturave dhe shërbimeve në rajonet rurale gjithnjë e më pak të populluara është mjaft e shtrenjtë.

Këto nuk janë kërcënime ekzistenciale. Ato janë sprova që kërkojnë zgjidhje. Lajmi i mirë është se ka një konsensus më të gjerë mbi mënyrat si mund të adresohen efektet e ndryshimeve demografike – dhe se si jo.

Europëa lindore është përqendruar kryesisht mbi rritjen e shkallës së lindshmërisë, ku qeveritë janë përpjekur të ofrojnë stimuj financiarë për të inkurajuar qytetarët që të kenë më shumë fëmijë. Të dhënat që kemi sugjerojnë se kjo nuk funksionon shumë mirë: shkalla e lindjes mund të rritet përkohësisht por, në përgjithësi, numri i fëmijëve që gratë kanë në jetën e tyre nuk ndryshon shumë. Edhe kur shkalla e lindshmërisë rritet, ndryshimet janë të pakta, dhe nuk ka asnjë vend në Europë, as ato që investojnë përqindjen më të madhe të PBB-së për politika familjare, nuk kanë arritur dot një nivel që të sigurojnë stabilizimin e popullsisë, e jo më rritjen.

Kjo nuk do të thotë se mbështetja për familjet nuk është diçka e mirë. Përkundrazi, masa të mirë menduara që lehtësojnë çiftet e reja për të krijuar familje janë thelbësore, për t’i mundësuar njerëzve numrin e fëmijëve që duan të kenë. Kjo kërkon heqjen e pengesave që cilat hasin ata kur janë përballë vendimeve për fëmijët: pasiguria ekonomike, çmimet e larta të shtëpive, infertiliteti në rritje, pamundësia për të përballuar kostot e kujdesit për fëmijët, dhe pritshmëritë që gratë kanë për të bërë kompromis me karrierën e tyre dhe të mbajnë vetëm mbi supe barrën e kujdesit për fëmijët.

Ajo që funksionon, në shkallë më të gjerë, në adresimin e ndryshimeve demografike është përpilimi i një pakete gjithëpërfshirëse që përqendrohet mbi familjen në tërësi dhe e bazuar mbi prova të cilat adresojnë një sërë faktorësh ekonomikë, politikë dhe kulturorë e që ndikojnë mbi vendimet dhe zgjedhjet e njerëzve për jetën dhe të ardhmen e tyre.

E nëse kjo bëhet në mënyrën e duhur, ndryshimet demografike mund të çelin mundësi të reja që katapultojnë vendet drejt një të ardhme më të begatë. Në Europën qendrore dhe lindore, vende si Kluj në Rumani apo Beogradi në Serbi, po kthehen si pika kyçe në industrinë e teknologjisë, duke tërhequr talente nga vendi e më gjerë.

Emigrantë nga mbarë Europa i janë kthyer shtëpive të tyre për shkak të pandemisë COVID-19, duke sjellë kështu me vete aftësi të vyera dhe rrjetin e tyre të njohjeve profesionale. Zonat rurale po përjetojnë një ri-zgjim të ashtuquajturve ‘nomadë digjitalë’ të cilët enden për një jetë me më pak stres, që i mundëson më shumë kohë pranë familjes dhe më natyrë-dashëse. Qeveritë po eksperimentojnë me mënyrat se si mund të shfrytëzojnë kontributet e të moshuarve dhe si t’i integrojnë ata më mirë në ekonomi dhe shoqëri.

Së bashku me qeverinë bullgare, UNFPA sjell së bashku qeveritë dhe udhëheqës nga mbarë Europa në një konferencë midis krerëve të lartë të shteteve në Sofje, Bullgari, më 1-2 dhjetor 2021, për të diskutuar zgjidhje të reja dhe nisjen e Dekadës së Qëndrueshmërisë Demografike.

Shpresojmë se kjo konferencë do të jetë gur themeli i përpjekjeve të Europës për t’i dhënë formë të ardhmes demografike dhe për të zbuluar shtigje në mënyrë që vendet të lulëzojnë në një botë ndryshimesh të shpejta demografike.

Ka ardhur koha që të lëmë pas narrativën e ankthit dhe dënimeve që ka mbizotëruar në diskurs për kaq gjatë, e t’i shohim ndryshimet demografike si një mundësi për të ndërtuar shoqëri më gjithëpërfshirëse, të larmishme, e në fund të fundit edhe më të forta dhe të begata.

Alanna Armitage Drejtore e Zyrës Rajonale të UNFPA-së për Europën Lindore dhe Azinë Qendrore.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.