ME SYTË NGA TRADITA! RIKTHEJMË VËMENDJEN E TË RINJVE DREJT PROFESIONEVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE. 
21/09/2023 Shpërndaje

ME SYTË NGA TRADITA! RIKTHEJMË VËMENDJEN E TË RINJVE DREJT PROFESIONEVE TË TRASHËGIMISË KULTURORE. 

Ka një fije te hollë që ndan dhe bashkon të renë me tradicionalen, teknologjinë e kohëve moderne me trashëgiminë kulturore. Është pikërisht ai kufi mes tyre që është e rëndësishme të mos bëhet ndarës, por të jetë një pikë takimi mes brezave. Pikërisht me këtë synim, vendosëm të puqnim dëshirat dhe kërkesat e brezit të ri në ditët që jetojmë, me traditat dhe vlerat që janë përcjellë mes qindra viteve nga stërgjyshërit deri në shekullin e 21-të.

Profesionet e trashëgimisë kulturore janë një pasuri e jashtëzakonshme për çdo vend. Ata kontribuojnë në formimin e një identiteti të fortë kulturor. Në një botë ku moderniteti dhe teknologjia kanë marrë drejtimin, është e rëndësishme të nxisim te rinjtë të interesohen për profesionet tradicionale të trashëgimisë kulturore. Një prej tyre është poçaria.

Algida Koçi dhe Emanuela Lleshi janë dy vajza të reja, që i kemi vendosur në qendër të “eksperimentit social” që vendosëm të kryenim në Farkë, në një nga punishtet e zonës. Është punishtja e Bashkim Plakut, që punon me mjeshtëri enët e baltës, si një zanat që e ka lëvruar familja e tij prej qindra vitesh. Ai ashtu e mban mend babain, gjyshin dhe ata po ashtu i mbanin mend paraardhësit e tyre, me duart në baltë duke i dhënë formë e kuptim.

Iu kërkuam vajzave që për një ditë të linin mënjanë telefonat, lumin e lajmeve në rrjetet sociale, e të preknin magjinë e një zanati të trashëgimisë kulturore. Me qëllimin që jo vetëm ta shijonin si proces, por edhe ti jepnin zë kësaj eksperience mes bashkëmoshatarëve të tyre. Një gazetare dhe një kimiste mes argjilës e tavave të baltës…

Në punishte na priti vet Bashkimi. Me kominoshet e tij të punës dhe kuriozitetin e dëshirën se si do të ishte kjo ditë, ai ua bëri vajzave shumë të thjeshtë këtë takim.

“Është një profesion shumë i vjetër, 500 – 600 vjeçar. Këto lloj enësh, kanë filluar të kërkohen jashtë mase shumë – thotë Bashkimi. Kjo është lënda e parë që kemi ne, argjila. Shansi mire, është që ndodhet këtu në Farkë, ndaj ka ngelur dhe poçaria këtu në Farkë. Argjila futet në një enë ose në një karrocë dhe zbutet me ujë. Përpunohet dhe është gati për të bërë prodhimet.”

Agida: Mund të qëndrojë për shumë vite apo merret dhe punohet në të njëjtën kohë?

Bashkimi: Merret dhe përpunohet, s’është problem. Nuk është punë që do të stazhionohet. Është një pjesë e argjilesë që duhet stazhionuar, po kjo nuk është nevoja të stazhinohet, thjesht zbutet dhe është gati për përpunim. Bëjmë kryesisht tava dheu, vorba. Tavat janë të madhësive të ndryshme, që nga më të vogla deri tek më të mëdhatë që janë 5-6 racione. Kryesisht i kërkojnë lokalet, ka dhe familjarë që i përdorin, po më pak.

Agida: Nga i keni më shumë blerësit se këto tavat e dheut i ka traditë Shqipëria e Mesme apo keni nga e gjithë Shqipëria blerës?

Bashkim: Kryesisht Shqipëri e Mesme. Para viteve `90 i ka përdorur më shumë Shqipëria e Mesme, zona e Tiranës, Elbasanit, Durrës, Krujë këto kanë qenë. Tani pas viteve `90 që janë bërë dhe më shumë lokale, ka hyrë në të gjithë Shqipërinë, nga Himara deri në Theth.

Tashmë historia mbi zanatin i ka përpirë dhe vajzat vijojnë me kuriozitetin e tyre mbi punën e përditshme të kësaj familjeje.

Agida: Pak a shumë sa tava prodhoni ju në ditë?

Bashkimi: Është pak pyetje e vështirë kjo. Po nga këto tavat e vogla bëj rreth 200 tava në ditë.

Agida: Vetëm ti?

Bashkimi: Po, vetëm. Po nuk është thjeshtë sepse procesi nuk është që vetëm ti bësh. Do të thahen, do të priten, do të pastrohen, pastaj dalin në treg. Pra ka disa procese pune të ndryshme. Nuk është thjesht vetëm ti prodhosh. Unë i prodhoj ato, por të nesërmen duhet të dalin në diell dhe do të përpunohen prapë. Pra ka goxha punë.

Një fakt interesant që zbuluam nga kjo bisedë është se poçaria është një profesion që ka përparuar dhe është modernizuar me kohën. Bashkimi tregon se djali i tij e ka ndihmuar në përdorimin e teknologjisë për të krijuar produkte më të sofistikuara, duke përfshirë gota, pjatanca dhe produkte me logo. Ky është një shembull i mrekullueshëm se si profesionet tradicionale mund të përshtaten me kohën dhe teknologjinë, duke iu dhënë një frymë të re.

Bashkimi: Këtë zanat unë e kam të trashëguar, nga babia, ai nga gjyshi e me rradhë. Me shumë vështirësi ma ka marrë dhe djali, se gjithë jetën me duar në baltë, me duar në lagështirë  e vështirë është, por e mori djali dhe ka evoluar më shumë se unë. Ka filluar të ketë më shumë pretendime, gjëra më fine, broke, gota, pjatanca me logo.

Ela: Është modernizuar besoj?

Bashkimi: Është modernizuar dhe unë jam i kënaqur.

Për sa i përket çmimeve, produktet e poçarisë janë të përballueshme për të gjithë. Çmimet fillojnë nga 150 lekë deri në 6.000 lekë të rinj, në varësi nga madhësia dhe kompleksiteti i produktit. Ky fakt bën që këto produkte të jenë të arritshme për këdo, duke përfshirë të rinjtë.

Ka ardhur momenti që vajzat të përfshihen vet në bërjen e enëve të baltës. Zgjodhën ato më të thjeshtat si fillim. Duket argëtuese ndërsa kalojnë nëpër duar argjilën, por nuk është aq e thjeshtë. Bashkimi iu tregon se ky zanat e ka një sekret, duhet bërë me zemër, ndryshe puna nuk ecën. Vajzave iu duket një punë antistres. Janë shkëputur tashmë nga zhurma e përditshmërisë dhe vëmendja është fokusuar totalisht aty në atë enë të vogël që ende nuk duket si e tillë. Duhen disa minuta që ajo të marrë formë dhe vajzat janë të duruara. Në fund do nxjerrin një punim që mban emrin e tyre sipër.

Agida ishte më shumë ambicioze. Meqë nuk i kishte marrëdhëniet e mira me kursimet, vendosi të bëjë një arkë kursimi. Pak më e vështirë se tava e baltës, por e veçantë. Ajo lag duart me ujë, që materiali të mos ngjitet nëpër gishta dhe fillon ushtron pak forcë mbi punim. Bashkimi iu mëson hilet e zanatit, që nis pikërisht më mënyrën se si ushtron forcë dhe mënyrën se si vendos duart mbi punim. Dalëngadalë punimeve po iu vjen fundi. Enët kanë marrë formën e tyre dhe do të piqen në furrë.

Bashkimi: Furra mbushet deri një nivel të caktuar. Një pjesë e punimeve dalin skarco, sepse gjatë pjekjes ka dëmtime. Zgjat nga 8 deri në 10 orë pjekja. Fillimisht zjarri duhet të jetë shumë i avashtë, në fund fare arrin temperaturën 900 gradë. Aq sa do të piqet, aq do dhe të ftohet.

Agida: Keni pasur ndonjëherë incidente?

Bashkimi: Patjetër që po, ka nga më të ndryshmet. Po e bëre zjarrin disi më të shpejtë, fillojnë dhe plasin tavat, kërcasin. Pra duhet të jesh shumë i kujdesshëm. Puna më delikate është pjekja, më delikatja dhe më e vështira.

Agida: Sa vjeçare është kjo vatër?

Bashkimi: Kjo furrë është mbi 30 vjeçare. E djeg njëherë në javë këtë furrë, merr goxha prodhim, aq sa punoj unë jam i kënaqur, rreth 700-800 prodhime në një furrë.

Në fund të bisedës, pyetja që vinte natyrshëm ishte se si mund të nxitim të rinjtë të merren me poçarinë dhe profesionet e tjera të trashëgimisë kulturore. Bashkimi na pohon se duhet përkushtim dhe pasion. Poçaria nuk është vetëm një profesion, por një formë arti. Për ata që e duan dhe janë të gatshëm të përkushtohen, poçaria mund të jetë një burim i madh i kënaqësisë dhe kreativitetit. Gjithashtu, ai theksoi se poçaria është një mënyrë e shkëlqyer për të larguar stresin. Eksperienca e Agidës dhe Emanuelës, ishte dëshmi e gjallë e kësaj.

Profesionet e trashëgimisë kulturore si poçaria kanë një vlerë të jashtëzakonshme në shoqërinë tonë. Nxitja e të rinjve të mësojnë më shumë rreth këtyre profesioneve është e rëndësishme për të siguruar që traditat dhe njohuritë e pasura kulturore të shpërndahen më tej. Siç dëshmon rasti i poçarisë, këto profesione ende kanë vend në botën moderne dhe mund të ofrojnë shumë mundësi për ata që janë të gatshëm të mësojnë dhe të punojnë me pasion.

*Ky shkrim është pjesë e projektit “Video grafia e një vepre arti”, zbatuar nga QMÇSH dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës.

© 2023, Pozitivi. All rights reserved.