Shpresa lind atje ku duket se nuk ekziston për të pastrehët
Jetesa në qiell të hapur, shpresa lind atje ku duket se nuk ekziston…
Një numër i madh familjesh në Shqipëri jetojnë në qiell të hapur pasi nuk kanë ku të strehohen. Gjendja është alarmante megjithatë buxheti i 2018 për strehimin nuk premton asgjë. Sipas ekspertëve buxheti në 2018, është afro 0.03% të PBB, pra 550 milion lekë, ndërsa në 2017 ishte pak më i lartë, rreth 560 milion.
Më shumë, mungesën e strehimit e vuajnë familjet rome. Por, shpresa lind atje ku duket se nuk egziston. Buxheti nuk premton ta ndryshojë fatin e tyre, ndaj ata kanë një propozim për qeverinë. Aktivistë të komunitetit romë kanë kërkuar ta ndryshojnë vetë këtë fakt dhe ia kanë dale të gjejnë një rrugë. Aktivistët gjatë një vëzhgimi në terren kanë gjetur disa godina shtetërore të braktisura në Elbasan, të cilat me pak kosto mund të kthehen në banesa të përhershme për familjet e pastreha.
Ata tashmë kanë menduar për një projekt inxhinjerik, përsa i përket rikonstruktimit të godinave të braktisura. Tashmë shpresat janë shtuar për familjet rome. Projekti për godinat e braktisura është gati, por duhet mbështetja e qeverisë. Një tjetër problem që shqetëson aktivistët është fakti se shumë familjeve po iu përfundojnë afatet kohore të bonusit të strehimit dhe rrezikojnë të mbeten jashtë.
Kujtojmë gjithashtu se numri i familjeve në nevojë që parashikohet të marrin ndihmë për strehim në vitin 2018 rritet me të paktën 34 familje krahasuar me 2017. Ndërsa fondi i buxhetit për 2018 është ulur 10 milionë. Qeveria ka parashikuar që fondi për 2018 të jetë 550 milion lekë. Kurse shpërndarja e parave është planifikuar të jetë: 1. 55.7% e buxhetit për pagesat e qerave dhe 43.8% e buxhetit për kredi të butë.


© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
