JAVA EVROPIANE/ Rrëfimet e shqiptarëve të suksesshëm në vendet e Bashkimit Evropian!
Këtë vit Java e Evropës 2019, e cila zhvillohet nga data 6 deri më 11 Maj, në qytete të ndryshme të Shqipërisë, nga Veriu në Jug, ka në fokus fuqizimin e të rinjve. Në kuadër të Javës së Evropës kemi përmbledhur historitë e 10 shqiptarëve që kanë pasur sukses në vende të ndryshme në Evropës, të cilët shërbejnë si një model frymëzimi, duke treguar se si ia kanë dalë të integrohen dhe zhvillojnë aftësitë e tyre intelektuale, profsionake dhe më gjerë, duke u integruar njësoj me vendasit. 
Atleti që u zhvillua profesionalisht në Itali
Admir Dizdari është shpallur “Mësues i vitit” në Durrës, nga Drejtoria Arsimore Rajonale Durrës si dhe ka përfunduar studimet e larta të Kulturës Fizike te Akademia e Sporteve në Tiranë. Ka garuar dhe ende vazhdon të garojë në disiplinën e hedhjes së diskut, në atletikë. Aktualisht prej dy vitesh, pas një shkëputje, është shpallur kampion kombëtar për flakjen e diskut. Ai është mësues i shkollës së mesme sportive “Benardina Qeraxhia” ku operon në fushat e atletikës ndërsa stërvit ekipin e vrapimeve të mesme dhe të gjata në shkollë.
Që pas vitit 2000 ka punuar si mësues i edukimit fizik. Për disa vite ai u shkëput për të jetuar jashtë shtetit, në Itali. Atje vendosi që të kryejë dhe një fakultet të dytë në fushën e sportit. Filloi një shkollë tjetër për edukim por edhe ka garuar për ekipin e qytetit ku jetonte, në disiplinën e hedhjes së diskut. U regjistrua që në momentin e parë sa mbërriti dhe prej 7 vitesh sa ka jetuar atje, ka qenë aktiv në ekipin Asi Banka Toscana Firence, duke dhënë rezultate të mira si dhe ka zhvilluar veten profesionalisht.

U arratis nga sistemi barbar, Mërgimi shkrimtari që ndjek suksesin në Vjenë pasi humbi dëgjimin
Fati e gjuajti me shpulla por çdo goditje e mori për përkëdhelje dhe kështu në fund arriti të triumfojë. Bëhet fjalë për Mërgim Osmanin, shkrimtarin kosovar që i shpëtoi regjimit barbar dhe me vullnet të pashteruar ndërtoi karrierë në Austri. Ai ka lindur në 1971-in në Randobravë të Prizrenit, por regjimi politik e detyroi të largohej në Vjenë. Errësira mbizotëroi në Kosovë kur Millosheviq erdhi në pushtet zbehu optimizmin për të ardhmen e Kosovës për shkrimtarin, kur nëpër shkolla filluan të helmonin dhe arrestonin nxënësit. Edhe pse u regjistrua në fakultetin e Prishtinës atij i kishin mbetur dy rrugë: burgu ose të largohej. Zgjodhi të arratisej maleve kur e njoftuan se duan ta dërgojnë me shërbim në ushtrinë jugosllave.
Shkoi në Vjenë tek i ati, aty filloi shkollën dhe punën. Por nuk hoqi dorë as nga dëshira për të shkruar, e cila e ka zanafillën që nga bankat e shkollës. Krijimtaria e tij merr vrull që nga viti 2008, atëhere kur humbet të atin dhe dëgjimin. Pavarësisht sfidave ishte optimist për jetën dhe në fund triumfoi. Dëgjimi iu rikthye. Pas kësaj periudhe rikthehet i vullnetshëm në jetën kulturore.
Është vlerësuar me çmime të ndryshme, madje edhe nga qeveria vjeneze. Poezitë e tij janë përkthyer edhe në gjuhën gjermane. Në 2013 boton në Kosovë librin e parë me poezi “Do t’i mbledh”. “Me sytë kah qielli” është libri i dytë me poezi, i cili vjen si botim i kolonës së autorëve shqiptarë në Diasporë nga qendra PEN Albania. Sërish në 2015 boton vëllimin e tretë me poezi, “Shpirt i trazuar”. “Sykaltra” është libri i katërt por i pari me tregime i cili është botuar dhe gjermanisht, sponzorizuar dhe vlerësuar nga Qeveria Vjeneze. Ndërsa i pesti me radhë është “Misteri në sy” pas të cilit është duke punuar për të tjerë në vazhdimësi.

2 vëllezërit e talentuar shqiptarë realizojnë ëndrrën në Itali
Dy vëllezër me origjinë nga Shqipëria Deon dhe Ador Zhuzhi, 17 dhe 15 vjeç pasionin e fëmijërisë për sportin po e kthejnë në profesion të së ardhmes. Të dy janë pjesë e një prej klubeve më të vjetra në Itali, Genoa. Deoni është pjesë e skuadrës së grupmoshës U17 kurse Adori tek U15.
Adori në muajin korrik iu bashkua skuadrës U15 të kombëtares shqiptare në ndeshjen kundër Kroacisë, me ftesë të trajnerit Eqerem Memushaj. Dëshira për të luajtur futboll i ka lindur që në moshën 5 vjeçare prej vëllait, Deonit. Deoni stërvitej me një skuadër kur Adori ishte vetëm 5 vjeçe. Kështu u rrëmbye edhe ai nga pasioni për sportin dhe që atëherë ka zënë vend të rëndësishëm në jetën e tij.
Konkurentë në fushë, vëllezër të një gjaku, por mbi të gjitha janë shokë të ngushtë. Ende janë në shkollë dhe pavarësisht angazhimeve që kanë me futbollin s’e kanë neglizhuar asnjëherë. Talenti s’u mungon, vendosmëria, pasioni dhe përkushtimi janë në maksimum, kështu që s’ka si të mungojë as suksesi në të ardhmen. Planet i kanë të qarta, drejt futbollit. Kanë lindur në Itali, por një dëshirë e madhe është që në të ardhmen të bashkohen me kombëtaren shqiptare. 
50 vjeçari nga Fieri një mjek i suksesshëm në Itali, triumfoi mes 35 konkurentëve nga bota
Mjeku Nuredin Sadikaj jeton që prej vitit 1998 në Itali së bashku me familjen. Ai ka lindur në Cekran të Fierit aty ku ka dhënë kontributin e tij si mjek për 21 vite me rradhë derisa vendosi të emigrojë në Itali për arsye familjare.
Largimi nga vendi ka qenë shumë i vështirë por sot ndihet krenar për çdo arritje. Pasi u largua nuk hoqi dorë nga profesioni edhe pse shkolla që kishte mbaruar në vendin tonë nuk i njihej. Vendosi të konkurojë në universitet në Itali dhe në garë ishin 35 mjekë nga të gjitha vendet e botës, por testin e kaluan vetëm pesë, dhe një prej tyre ishte dhe Sadikaj.
Këtë sfide e përballoi me sukses dhe arriti të diplomohet në moshën 50 vjeçare, për herë të dytë në mjekësi duke marrë diplomë që i jep mundësinë të punojë në vende tjera europiane.
Mësuesja që thyen rekordin Guinness
Arbnora Idrizi, nga Kosova ka fituar rekordin Guinness duke realizuar lulen më të madhe në botë prej letre. Rekordi i mëparshëm i kësaj luleje ka qenë 5 metra, kurse Arbnora arriti ta bëjë 9 metra, duke thyer rekordin Guinness. Lulen e ka ndërtuar për vetëm për 3 orë.
Me profesion është mësuese e hartimit të programeve të mësuesëve ne Mitrovicë dhe edukatore. Prej 10-të vitesh merret me artin origami, të cilin e ka pasion dhe profesion të dytë. Gjatë punës së saj si edukatore, aktivitetin e zhvillon me këtë lloj arti, dhe kjo sipas Arbnorës ndikon pozitivisht në fantazinë e fëmijëve dhe zhvillimin e tyre. Ndërkaq pasi punoi portretin e komandantit legjendar Adem Jashari, besoi në aftësitë që ka, për të realizuar diçka edhe me të madhe dhe ia doli.

Marilo, i riu që promovon paqen dhe bashkëpunimin ndërkombëtar
Marilo Meta, Presidenti i organizatës ndërkombëtare LDA, Leadership Development Association Albania & Kosova është kthyer në modelin më të mirë për të rinjtë. Ka marrë medalje për kontributin e dhënë në përgatitjen dhe zhvillimin e Festivalit të XIX-të Botëror të Rinisë dhe Studentëve në vitin 2017 në Soçi. Ai ka qenë ideatori dhe promotori kryesor i vizitës së delegacionit të të rinjve shqiptarë në Rusi, ku vendi ynë për herë të parë u përfaqësua në Festivalin Botëror.
Marilo është vetëm 26 vjeç por ka një karrierë të sukseshme, së fundmi të orientuar jashtë vendit. Ka kryer studimet bachelor për Menaxhim të Teknologjisë së Informacionit, kurse masterin për Inxhinieri të Sistemeve Kompjuterike. Ka më shumë se 7 vite i angazhuar në organizata të shoqërisë civile, ka punuar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Shkodrës, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ndërsa së fundmi është kthyer në Tiranë. Ai vendosi të përjetojë një eksperience një vjeçare pune në Partneritetin e Qeverisë së Hapur në Ëashington DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aktualisht drejton komunitetin Trailblazer Nonprofit Albania, ku synimi është promovimi i teknologjisë, inovacionit të kompanisë numër 1CRM Amerikane, Salesforce me bazë në San Francisco, California si dhe është në krye të LDA. 26 vjeçari ka punuar për fuqizimin rinor në shkëmbimet ndërkombëtare, për të promovuar paqen, solidaritetin dhe drejtësinë sociale.

Elvisi, inxhinieri hero që shpëtoi vogëlushen nga e ëma
Elvis Kadriu, 23 vjeç, nga Drenica e Kosovës, lindur në fshatin Aqareva, dhe prej vitesh punon inxhinier në një kompani aeroplanësh në Austri. Nga Kosova është larguar në moshë të vogël, në vitin 1998
Shqiptarët nga Kosova që kanë emigruar për t’i shpëtuar luftës janë të shumë, një ndër to ka qenë edhe familja e Elvisit. I riu u bë i njohur para 2 vitesh kur shpëtoi një vogëlushe nga nëna e saj, e cila po ushtronte dhunë. Me nënë 42 vjeçare të quajtur Leonie e cila po rrihte me aq forcë sa kishte të bijën 2 vjeçare, u ndesh në mes të sheshit Brauna në Austri. Askush nuk ndaloi të ndihmonte të voglën, derisa aty kaloi Elvisi.

Kur pasioni e mund karrierën
Shkodranja Erika Bitani ka shkëlqyer në konkursin e këngës “Idol 2017 Sëeden” në Suedi, ku u spikat si një nga zërat më të mirë. Erika është 18 vjeç, ka lindur dhe jetuar në Greqi deri në moshën 14 vjeçare së bashku me familjen. Prej 9 vitesh është ushtruar fort në balet, madje përgjatë gjithë fëmijërisë është rritur me idenë se do të bëhet mësuese kërcimi.
Por një ditë hoqi dorë nga baleti për t’ju kushtuar muzikës. Pasioni për muzikën që e bëri të hedhë poshtë 9 vite investim në balet edhe pse ishte e vështirë ta merrte një vendim të tillë.
17 vjeçarja shqiptare është vajza e rekordmenes së atletikës shqiptare Vera Bregu, e cila ka qenë një mbështetje shumë e madh në çdo hap që ajo ka hedhur. Tashmë prej 3 vitesh janë shpërngulur nga Greqia dhe jetojnë në Suedi. Erika ka nisur shkollën e muzikës, njëkohësisht vazhdon edhe karrierën në muzikë, ku tashmë ka publikuar këngët e saj të para.

Biznesmeni me origjinë shqiptare, i suksesshëm në Amerikë
Raz Hlili është djali me origjinë shqiptare që shpëtoi dhjetëra njerëz nga uragani Harvey në Teksas. Me këtë rast u bë i njohur dhe u vlerësua nga njerëzit pasi rrezikoi jetën e tij duke shpëtuar të përmbyturit.
Raz është me origjinë nga Kosova por ka lindur dhe jetuar në Teksas. Ai është 33 vjeç, ka studiuar komunikim në Houston Baptist University por aktualisht punon në biznesin e familjes. 33 vjeçari ka lindur në Teksas, por e viziton Shqipërinë pothuajse çdo verë.
Futbolli është një pasion i tij i fëmijërisë. Mëngjeset e fillom herët me punën, pasi duan të rrisin biznesin familjar. Babai i tij emigroi në SHBA në vitin 1976. Ai erdhi pa para, vetëm me shpresë dhe ëndrra. Atje njohu nënën e Raz e cila është amerikane dhe së bashku kanë ndërtuar Prestige Oysters Inc. Sot kompania jonë është kompania më e madhe e osterit në SHBA. Ata ofrojnë një treg mbi 100 anije në Teksas, Lousiana, Misisipi dhe Maryland. Gjithashtu kanë katër fabrika në të gjithë Teksasin dhe Luiziana, dhe shesin në të gjithë botën. Ndihem krenar të punoj me babanë tim në biznesin tone, thotë Raz.

Mësuesi i rekordeve Guinness
Pak njerëz arrijnë ta shkruajnë ermin e tyre në librin botëror të rekoreve Guinnes, por Agim Hushi ia ka dalë mbanë falë talentit, punës së palodhur dhe pasionit. Agimi ka lindur në fshatin Smirë dhe është profesor matematike në gjimnazin Kuvendi i Lezhës në Viti. Ai ka arritur të jetë zyrtarisht shqiptari i parë në librin Guinness në vitin 2005, për zhonglim me top në kokë.
Jo vetëm kaq por ai ka thyer edhe shumë rekorde të tjera, për vite me rradhë.
Pasionin për zhonglimin e topit e ka zbuluar që në klasë të 7 në muret e shkollës. E tashmë nuk i friksohet konkurences dhe as ecjeve të shkallëve të ndërtesave të larta të botës. Ka zhongluar mbi Deve, në makinë duke ecur, duke ngjitur ndërtesën 100 katëshe Princes Toëer, e shumë sfida tjera. “Rekordi në ndërtesën Messe Turm Frankfurt 65 kateshë, ecje lart-poshtë shkallëve të kësaj ndërtese dy herë lart-poshtë per 1 ore 37 min duke i kaluar 5360 shkallë. Rekord tjetër specifik ishte në Berlin në kushte të jashtëzakonshme duke ra shi. Vrapimi 1000 metra me top në kokë per 8 minuta 25 sekonda…”.
*Kjo foto story është realizuar nga Infinit + dhe Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore në kuadër të javës evropiane.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
