Jeta e Flamurit përtej asaj që duket: Si ndërtova karrierë të hekurt në karrige me rrota
Flamur Bala e ka ngritur zërin gjithmonë për një jetesë më të mirë dhe së fundmi ka kërkuar vendosjen e rampave në Durrës, një shqetësim që kufizon lëvizjen e personave me aftësi të kufizuara. Gjatë intervistës për pozitivi.org Bala tregon se ndërsa lëviz me motorin e tij elektrik, çdo ditë pengohet për shkak se rampat mungojnë në 80% të rrugëve të qytetit. Bashkia e Durrësit ka reaguar, por punimet s’po kryhen në intensitetin e duhur, thotë Flamuri.
“Duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit tim, duke parë problematikat hasa në vështirësi “Infrastrukturore/Arkitektonike” kur lëviz me motorrin tim elektrik që është për ne personat me aftësi ndryshe fizike. Problemi që unë pengohem çdo ditë janë “rampat” në trotuare që nuk ekzistojnë në 80% prej tyre, pra theksoj çdo trotuar duhet të ketë pjerrtësi në fillim dhe mbarim të trotuarit, pasi qytetarët me “AK” dhe të moshuar, apo dhe nënat me foshnje të sapolindura të kalojnë lirshëm me mjetet e tyre lëvizëse, unë dua që të bëhen mbi 500 rampa “minimumi !” Vështirësia është e madhe, Bashkia e Durrësit ka reaguar pas ankesave të mia në media dhe emisionet më prestigjoze të vendit, por reagimet dhe punimet nga bashkia, nuk janë aq të mëdha sa ç’prisja“.
Historia e Flamurit ka të papritura. Jeta i mori kthesë 360 gradë kur u diagnostifikua me “distrofi muskulare becker”, e cila në moshën 15 vjeçare e detyroi të ulej në një karrige me rrota. “Në moshën 18 – 19 vjeçare m’u desh ta pranoja që rrotat do jenë këmbët e mia, dhe i thashë vetes ej djalosh ndalu ti nuk mundesh më, duhet të ulesh por pavarësisht ti do jesh i ngritur gjithmonë shpirtërisht paçka asaj fizikisht”, që nga ky moment filloi të pranojë veten, e me kalimin e kohës të ndërtojë një jetë të stabilizuar.
Pasioni për mekanikën i ka lindur që në fëmijëri, tashmë prej vitesh modifikon makina për persona me aftësi të kufizuara, i shtyrë fillimisht nga nevoja personale. Puna që bën vlerësohet nga mijëra persona dhe kjo e motivon të ecë përpara. Gjatë intervistës Flamuri flet për ëndrrat e fëmijërisë, punën e përditshme, për gjërat më të rëndësishme në jetë, për lumturinë, për problemet e personave me aftësi të kufizuara, mbi të gjitha tregon si ia ka dalë të bëhet një shembull suksesi në biznes dhe jetë, edhe pse është në karrige me rrota.
Intervista me Flamur Bala:
Pozitivi: Flamur së fundmi ke shfaqur në media problemin e mungesës se rampave në Durrës, ku kërkon të ngrihen 150 të tilla. Sa e ke ndjerë mungesën e tyre ti personalisht, dhe a ke marrë përgjigje nga autoritetet për një zgjidhje?
Flamur Bala: Në qytetin e Durrësit unë kam ngritur zërin gjithmonë për gjithçka çfarë i përket jetesës dhe infrastukturës më të mirë të mundshme. Por duke shëtitur nëpër rrugët e qytetit tim, duke parë problematikat hasa në vështirësi “Infrastrukturore/Arkitektonike” kur lëviz me motorrin tim elektrik që është për ne personat me aftësi ndryshe fizike. Problemi që unë pengohem çdo ditë janë “Rampat” në trotuare që nuk ekzistojnë në 80% prej tyre, pra theksoj çdo trotuar duhet të ketë pjerrtësi në fillim dhe mbarim të trotuarit, pasi qytetarët me “AK” dhe të moshuar, apo dhe nënat me foshnje të sapolindura të kalojnë lirshëm me mjetet e tyre lëvizëse, unë dua që të bëhen mbi 500 rampa “minimumi !” Vështirësia është e madhe, Bashkia e Durrësit ka reaguar pas ankesave të mia në media dhe emisionet më prestigjoze të vendit, por reagimet dhe punimet nga bashkia, nuk janë aq të mëdha sa ç’prisja.
Pozitivi: Çfarë problemesh të tjera hasin personat me aftësi të kufizuara fizike në komunitetin ku jeton, pse ke zgjedhur ti të bëhesh vazhdimisht zëri i tyre?
Flamur Bala: Shiko problemet në fakt janë të ndryshme, si për shembull; mjetet lëvizëse urbanët e qytetit nuk kanë “rampo” intitucionet nuk kanë, poliklinika e qytetit ku ne bëjmë kontrolle, paraqitje dokumetacionesh për diagnozën përkatëse nuk është e përshtatshme nuk ka as ashensor, vizitat ne i lejmë pa bërë shumicën prej tyre, sepse mbi katin zero ne nuk ngjitemi dot me lart nga pengesa e shkallëve etj. Kam zgjedhur të jem zëri i tyre sepse halli im është halli i çdo bashkëqytetari me aftësi ndryshe fizike, ose jo.
Pozitivi: Ndalojmë pak te historia jote. U diagnostifikove me distrofi muskulare, prej së cilës je përballur me shumë vështirësi. A mendon se tashmë ke një jetë të stabilizuar?
Flamur Bala: Po unë u diagnostifikova me “distrofi muskulare becker” dhe jeta ime mori një kthesë 360 gradë, m’u desh ta përgatisja veten që unë do kisha pengesa ndryshe nga njerëzit e tjerë, që duhet ti merrja përpara. Falë Zotit të madh ia arrita t’i kaloja pengesat dhe ta pranoja fatin siç jeta ma dha, por Zoti më mori mundësinë për të ecur, por më dha 1001 të mira dhe jeta ime është pjesërisht e stabilizuar jam i kënaqur.
Pozitivi: Çfarë të është dashur të bësh që të arrish të ndërtosh një jetë të stabilizuar?
Flamur Bala: Që të arrija të ndërtoja jetën time disi të stabilizuar, mu desh të pranoja veten time në rradhë të parë, të lidhesha fort me familjen dhe shoqërinë që pa ata jeta ime nuk ka kuptim, mu desh shumë forca dhe sakrifica por vullneti kurrë nuk më ka tradhëtuar e braktisur.
Pozitivi: Në mos gaboj deri në moshën 15 vjeçare ke ecur normalisht, pastaj je ulur në karrige me rrota. Më përshkruaj pak momentet e para kur gjithçka ndryshoi?
Flamur Bala: Po e saktë kam ecur mirë deri në moshën 15 vjeçare, por problemin fizik e kam pasur që në lindje. Në moshën 18 – 19 m’u desh ta pranoja që rrotat do jenë këmbët e mia, dhe i thashë vetes ejjj djalosh ndalu ti nuk mundesh më, duhet të ulesh por pavarësisht ti do jesh i ngritur gjithmonë shpirtërisht paçka asaj fizikisht. Unë bazohem fort te ajo shprehja “rrota shpikja më e madhe e njerëzimit” ndaj jeta vazhdon…
Pozitivi: Pasionin për mekanikën kur e ke zbuluar dhe cilat kanë qenë shpikjet e para ose modifikimet e para që ke bërë? Çfarë të shtyu të vazhdosh ta bësh një gjë të tillë?
Flamur Bala: Pasioni im erdhi që i vogël dhe kur blemë makinën e parë në familje, një tip “Audi 80” më vonë blemë dhe një Audi tjetër si i pari dhe i këmbeja pjesët i ndërroja të prishurit për të ndrequrin, pas disa vitesh bleva një makinë tjetër “Fiat Scudo” tip furgoni i vogël, dhe bëra shpikjen më të madhe dhe të veçantë, isha vetëm 17 vjeç dhe bëra një rampo elektrike për makinën time, ajo paisje shërben për t’u ngjitur brenda në makinë bashkë me karrocën elektrike dhe mekanike, më vonë fillova duke modifikuar makina me kambio automatike, duke i përshtatur gazin dhe frenat te dora, që personat me aftësi ndryshe fizike, ti komandojnë makinat e tyre me duar pasi me këmbë e kanë të pamundur. Më shtyu nevoja personale si fillim, pastaj kam kaluar në pasion, gjithçka e kam të shpikur pa kopjuar askund, madje punimet e para i kam filluar kur nuk përdorja as internetin fare!
Pozitivi: “Kur bën një punë dhe vlerësohet nga mijëra vetë, të motivon të vazhdosh përpara”, kështu je shprehur në media sociale. Gjithë këto vite që ke modifikuar makina për persona me aftësi të kufizuara, çfarë kënaqësie ke marrë në këmbim? Si reagojnë njerëzit pasi marrin makinën e modifikuar?
Flamur Bala: Po kështu jam shprehur e saktë ! Njerëzit që kanë sjellur makinat te unë janë ndjerë mirë sepse arma ime e afrimitetit me klientët është komunikimi, transparenca, kultura, dashamirësia, dhe cilësia mbi të gjitha sepse dua që atyre puna ime t’iu duket si e fabrikës. Kënaqësia ime është e mahnitshme, madje kur modifikoj makina kënaqësinë e përjetoj si atë puthjen e parë me femrën e parë që kam dashur. Njerëzit reagojnë mirë sepse gjatë gjithe kohës që jam duke punuar në makinën e tyre i pyes për gjithçka në telefon, për ngjyrat e bojërave që i bëj levat te duart, e deri te elementet më të vogla që atyre t’iu përshtatet mrekullueshëm, pas gjithë këtyre cilësive besoj se e morët përgjigjen e duhur si ndjehen ata, normal që tepër mirë.
Pozitivi: Sa mundësi kanë personat me aftësi të kufizuara të bëjnë modifikime dhe a je ti i vetmi në Shqipëri që e bën një gjë të tillë?
Flamur Bala: Kanë mundësi dhe të tjerët, por askush si unë, këtë se them nga mendjemadhësia, por sepse unë i shpik nga zero gjithçka, të tjerët i blejnë dhe nuk bëjnë çdo lloj makine, ndërsa unë bëj çdo makinë dhe zgjidh çdo problem spefik që personat “Ak” kërkojnë unë i studioj dhe diagnozat e tyre dhe iu them që munden apo nuk munden t’i japin makinës. Çmimin e kam më të lirë se kushdo në Shqipëri, kush e bën më lirë thjesht ka bërë diçka të shëmtuar, më falni për shprehjen.
Pozitivi: Sipas llogarive që ke bërë, mendon se ke pasur sukses me biznesin që ke ngritur? Sukses për t’u bërë jetën më të mirë të tjerëve apo edhe sukses për të fituar të ardhura më të mira sesa me një punë tjetër?
Flamur Bala: Suksesi është si medalja, tj’ua kem bërë jetën më të lehtshme atyre, jam ndjerë i kënaqur për ata, dhe për veten time kënaqem pasi krenohem me punën time, iu tregoj shembull atyrë që paragjykojnë dikë me probleme fizike, dhe i them në mënyrë tërthore që ne vlejmë !! Dhe fitimet me biznesin tim janë goxha të mira kur punoj.
Pozitivi: Duam të të njohim më tepër sesa kemi parë dhe dëgjuar deri më tani nga rrëfimet e tua. Cilat kanë qenë ëndrrat e Flamurit në fëmijëri dhe sa ke mundur t’i bësh realitet?
Flamur Bala: Më shumë për veten mund të them jam tepër aventurier, mbahem si tip i drejtë shumë analizues, në çdo gjë që bëj mundohem ta bëj me siguri, shumë i shoqërueshëm, tepër debatues me njerëz që sjellin shembull të keq. Ëndrrat e mia që i vogël ishin t’i arrija shpikjet dhe t’i publikoja, kam pasur ëndërr të bëhem person publik që t’i frymëzoj njerëzit, pak nga pak po ia arrij shpresoj!
Pozitivi: Çfarë konsideron gjënë më të rëndësishme ne jetë?
Flamur Bala: Zoti i pari! Gjëja më e rëndësishme në jetë, mendoj vetë fakti që jetoj!! Familja në rradhë të dytë, dhe e treta dashuria. Dashurinë e vlerësoj shumë paçka që nuk e kam gjetur akoma të vërtetën, që pres ta gjej.
Pozitivi: Po lumturia çfarë është për ty? Na thuaj disa nga momentet më të bukura që ke kaluar dhe si kanë ardhur?
Flamur Bala: Lumturia për mua nuk egziston përsa kohë nuk është e përditshme as e përjetshme, siç thotë dhe (Robert Ndrenika) “Nuk ka lumturi në këtë jetë, ka vetëm grimca lumturie”.
Momentet më të bukura kur kam udhëtuar me familjen dhe me shoqërinë, në vendet e Shqipërisë, apo dhe në dy ose tre shtete të Europës, momenti më i këndshëm dhe i paharruar është kur unë u dashurova herën e parë 19 vjeç dhe u lidha me një vajzë Durrsake 6 vite më e madhe se unë, sepse unë ia fsheha moshën time e bëra për vete pa u takuar, pasi ajo u dashurua pas meje dhe unë pas saj, i tregova që unë ky jam !! Kam një problem fizik, por ajo më pranoi siç isha, tashmë nuk jemi bashkë por barriera e paragjykimit mu zhduk!! Pas lidhjes me atë e kuptova që njerëzit më pranojnë siç jam, pavarësisht se ka ende probleme në mentalitetin në Shqipëri, ku shpirti vlerësohet më pak se materializmi.
Pozitivi: Si nis dhe mbaron një ditë e jotja?
Flamur Bala: Dita ime nis me një kafe bregut detit, madje e kam një sinonim për veten “Djali i Detit” e dua detin, dal meditoj dhe heq stresin, rri me miqtë e mi në kafe dhe shëtitje, ka raste kur dal edhe gjuaj ndonjë vajzë përbri shëtitores (qesh) dua të jem transparent, kur kam punë jam aktiv dhe dita përfundon me punë.
Pozitivi: Më keni treguar se do të botoni një libër. Na flisni pak për librin. Për çfarë bën fjalë dhe sa kohë ka që shkruani?
Flamur Bala: Po iu kam folur që do botoj një libër ! Jam duke punuar për ta përmbushur siç duhet, libri padyshim bën fjalë për përjetimet e mia, që unë kam vendosur ti shpreh me poezi dhe thënie, të cilat i kam krijuar plot ndjenja! Ka afërsisht 5 vite që krijova poezinë e parë dhe po punoj ta botoj librin e parë. Vendosa tani sepse tani jam pjekur më shumë në moshë dhe njihem më shumë nga qyterarët e Shqipërisë, më shumë në Durrës ku jetoj dhe në Tiranë.
Pozitivi: Sa miqësor është Flamuri në përgjithësi?
Flamur Bala: Jam shumë miqësor, e dua shoqërinë dhe i vleresoj të gjithë ata që në ditët me shi apo me diell ishin aty me mua dhe janë përgjithmonë, nuk më pëlqen të rri me persona negativ, por gjithmonë iu jap atyre mundësi të dytë, dhe luftoj t’i ndryshoj ata, si prsh; kur janë dembelë, konsumojmë lëndë narkotike, apo si difekte karakteri, si shokë dhe shoqe, fundi është jeta e tyre dhe lirinë s’mund t’jua kufizoj unë.
Pozitivi: Ju jeni padyshim një shembull suksesi, që me vullnet keni thyer shumë barriera në jetë. Keni arritur të ndërtoni biznesin tuaj edhe pse në një karrige me rrota. Çfarë mesazhi keni për t’ju dhënë të gjithë personave me aftësi të kufizuara ose jo, që janë të pakënaqur me jetën dhe ato që kanë?
Flamur Bala: Faleminderit, kur më vlerësojnë njerëzit ndjehem plot vullnet, ndjehem dhe si në turp, gjithmonë buzëqesh dhe e ul kokën me respekt, sepse më duket sikur jam egoist pasi e vetmja fjalë që mund t’jua kthej është faleminderit ose Zoti të ruajtë për fjalët. Jam munduar që çdo shembull që jap te njerëzit të jem tepër origjinal, dhe mos të marr komplimente fallso, nëse unë ndërtoj karrierë fallco, i bie që do ndërtoj karrierë të hekurt mbi themele kartoni, dhe do zhgënjej miqtë dhe veten time në rradhë të parë. Mesazhi im është tepër kritik me zë të fortëëë, “thjeshtë mos u dorëzoni” nxirrni nga vetja të këqijat shtrëngoni fort të mirat brenda jush, nxirrni në pah mirësi, punoni shoqërohuni, dashurohuni, duajeni familjen dhe çdo bashkëqytetar konsiderojeni si ju.
Jam i kënaqur me punën që bëj pasi, jeta më dha një fatkeqësi, por më dha një mendje krijuese, dhe mundësinë të punoj, të qaj por edhe të qesh, të hidhërohem por edhe të gëzoj.
Faleminferit shumë me rrespektin tim të thellë për ata që do më lexojnë, dhe i shpreh miqëve të mi, mirënjohje të thellë… nga Flamur Bala. Nga Beklie Koltraka
Pjesë nga libri, që do botojë shpejti:
“Jeta”
Jeta është sakrificë miku im,
Mere për dore jepi drejtim,
Kur fati s’të ecën te shpresa gjej “Shpëtim,
Disa enden në horizont si të hutuar,
Disa zgjedhin rrugën për të jetuar,
E disa jetës për t’iu dorëzuar,
Tregohu optimist plot me mundim,
Në rrugë të gjata rrugë pa kthim,
Në fundin e saj ti do fitosh,
Çmimin e fitores duarbosh. [ Flamur.Bala ]
Thënie: “Kurrë mos e lër një mik, e shok/shoqe në vështirësi, sot është ai/ajo nesër mund të jesh ti, bëhu ti këmbët dhe duart e tyre, atë që nuk ia dhuroi natyra, mundesh të ia plotësosh ti sadopak, dhuroni sa më shumë dashuri në këtë jetë të shkurtër e kalimtare. [ F.Bala ]
“Përtej asaj që duket”
Me shiko pertej pamjes se jashtme, e di dukem i mjeruar i ulur në këtë karrocë të mallkuar, më zgjat dorën më jep jetë, të jetojmë një ëndërr të dy. Ta shoh njëherë buzeqeshjen në sy, trupin ta ndjej tek ecën me ty. Me fal dashuri mos u kurse dhe ti si kjo natyre tradhëtare! Që mbi trupin tim u bë vrastare. Shih përtej gjithçkaje se shpirti im kalon çdo imagjinatë, sepse unë i mjeruar s’jam përveç asaj që duket. Jam një univers dashurie që dua të t’i fal ty të gjitha galaktikat e planetet, ta fal dhe diellin dhe hënën brenda meje, veç me dashuro pa frikë! Më dergo diku ku vetëm unë, ti dhe dashuria të banojmë përjetësisht.
© 2018 – 2023, Pozitivi. All rights reserved.
