Flet këngëtari durrsak që jeton në Greqi: Notis punon me shqiptarë
15/06/2018 Shpërndaje

Flet këngëtari durrsak që jeton në Greqi: Notis punon me shqiptarë

Këngëtari 31 vjeçar me origjinë nga Durrësi, Lorenc Xharja, i cili u bë i njohur në konkursin e  talenteve “The Voice of Greece”, dhe në spektakle të tjera që ka marrë pjesë në Shqipëri, ka publikuar këngën  e tij të parë në greqisht,  të titulluar Femër.

Në një intervistë për pozitivi.org Lorenci flet për këngën e re që së shpejti do ta lançojë dhe me videoklip, planet pas The Voice, si dhe për debatet e fundit në lidhje me origjinën e këngëtares Eleni Fureira dhe koncertin e Notis Sfakianakis në Tiranë dhe akuzat ndaj tij si antishqiptar.

Lorenc ndërsa shpreh vlerësimet e tij për këngëtarët na tregon disa fakte interesante lidhur me këngëtarin Notis për të cilin shprehet se punon me shqiptarë dhe siaps tij është e çuditshme të mendosh se mund të jetë antishqiptar.

Për ta njohur më shumë Lorensin dhe fillimet e vështira që ka pasur në Greqi për shkak të paragjykimeve lexoni intervistën e parë që lorenc ka dhënë për Pozitivin gjatë konkurimit në “The Voice”.

Lorens Xharja ekskluzivisht për pozitivi.org:

Pozitivi: Lorens së fundmi ke hedhur një këngë të re në treg. Na trego më shumë për këtë projekt?

Kjo është kënga e parë në greqisht pasi në shqip kam konkuruar në Top Fest në 2015. Titulli në shqip përkthehet FEMER. Këngën e kam kompozuar dhe shkruar vetë dhe është orkestruar nga një muzikant grek që bashkëpunon dhe me artistë shqiptarë.

Pozitivi: Si kanë qenë komentet e para për këngën?

Komentet për këngën janë mjaft të mira pasi shumica më kanë vlerësuar sidomos melodinë duke e cilësuar mjaft tërheqëse.

Pozitivi: Na trego pak për “The Voice of Greece”, sa të ka ndihmuar pjesëmarrja në këtë spektakël për të për të ecur përpara në karrierë?

Pjesëmarrja në “The Voice of Greece”, me ka dhënë shansin të marr më shumë njohuri mbi muzikën, të njihem me muzikante të njohur në Greqi dhe në të vërtetë kam bërë miqësi me mjaft këngëtarë të rinj duke me hapur rrugën për bashkëpunime të bukura në të ardhmen. Helena Paparizu trajnerja ime është një njeri i thjeshtë dhe me energji shumë pozitive, kam folur edhe pas The Voice duke më dhënë mundësinë te kemi kontakte të mëtejshme.

Pozitivi: Shqiptarët i kanë kapërcyer kufinjtë kur bëhet fjalë për suksesin në muzikë, sjellim rastin e 3 kengëtarëve me origjinë shqiptare që ishin në Eurosong. Çfarë mendimi ke për gjithësecilin? A e sheh veten pas disa vitesh në vendin e tyre?

Do ishte krenari e madhe për mua të përfaqësoja Shqipërinë në Eurosong, kam plane të marr pjesë me  një këngë ritmike në festivalin e TVSH kësaj here.

Eugenti është një këngëtar rok i shkëlqyer zëri më i mirë në Shqipëri për mendimin tim, në rrymën që ka. Ermali është një artist i veçantë dhe besoj do bëjë karrierë të mirë ne Itali. Kurse Eleni Fureira është një talent që punon shumë, prandaj ka arritur aq lart dhe vazhdon të premtojë shumë.

Pozitivi: Kohët e fundit është diskutuar fakti që këngëtarja Eleni Foureira pranoi që ishte shqiptare dhe nuk u prit aspak mirë kur tha se e kishte fshehur për shakak të paragjykimeve. Sakaq bujë ka bërë dhe koncerti i Notis Sfakianakis në Tiranë, i cili akuzohet se i ka konsideruar shqiptarët si racë inferiore. Duke qenë se prej vitesh jeton në Greqi çfarë mund të na thuash lidhur me këto debate?

Së pari për Eleni Fureira doja te shtoja që Shqipëria duhet ti jepte 12 pikë se ishte pretendente për vendin te parë, pastaj siç e pamë Italia ne nuk na dha asnjë pikë ndaj shpresoj që në të ardhmen ta përkrahin më shumë Greqinë pasi emigrantët janë të shumtë këtu.

Për Notis Sfakianakis doja të thoja që mund të ketë thënë për të huajt që janë shumë në numër ne Greqi por nuk ka thënë për shqiptaret asgjë pasi ai punon me shqiptarë. Ne nuk i duam në vendin tonë emigrantet kurse neve duam qe të tjerët të na pranojnë. Për mendimin tim shqiptarët duhet të jenë pak më humanë dhe mendjehapur pasi ne shajmë të tjerët ndërkohë që vetë jemi shumë nacionalista.

Pozitivi: Pak më lart the se Sfakianakis punon me shqiptarë, sa e vërtetë është?

Aty ku këndon në Greqi unë di që ka shqipëtarë madje edhe tek baleti nëse nuk gaboj. Trupa e baletit që e shoqëron janë shqiptarë. Keshtu kam degjuar dhe ai vetë tha qe ka punësuar shqipëtarë në shtëpinë e tij.

Kur ai i ka lënë çelësat e shtëpisë si mund ti shajë? Këto 25 vite që jam ne Greqi kam kuptuar se media si nga pala greke dhe nga pala shqiptare duan te gjejnë shkak të ndezur tek dy vendet inate dhe  urrejtje. Ne jetojmë paqësisht me grekët dhe ata po ashtu kanë hapur numër të lartë biznesesh në Shqipëri.

Pozitivi: Çfarë planesh ke për verën?

Këtë verë kam koncerte në qytete te Greqisë, ndërsa po punoj dhe për klipin e këngës i cili shpresoj të jetë gati shumë shpejt si dhe dua të bjë një këngë tjetër që ta realizoj së bashku me klip.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.