PLATFORMA “ZOOM”, MBIJETESA EDHE E PALESTRAVE
09/02/2021 Shpërndaje

PLATFORMA “ZOOM”, MBIJETESA EDHE E PALESTRAVE

Palestrat kanë qenë ndër bizneset e para që u mbyllën në momentin që Shqipëria kaloi në gjendjen e karantinës së plotë! Me të drejtë, të konsideruara si të rrezikshme sa i përket grumbullimeve të njerëzve dhe kontaktit fizik, në raport me virusin Covid-19, këto biznese të vogla u prekën masivisht në Tiranë dhe gjetkë. Rezi Fataj është një instruktore crossfiti si dhe pronare e një palestre në kryeqytet. Ajo tregon për Pozitivin, se si u përball biznesi i saj në momentin që vendi kaloi në karantinë.


“Ne na ra si “boom”, pasi muaji Mars e në vijim janë muajt, më intensive të punës për palestrat. Kjo është periudha më e frekuentuar. Sa kishim nisur në fakt, kishim pothuajse 70 klientë të ndarë me grupe sipas orare, kur bizneset si i yni u mbyllën” shprehet Fataj.
Në atë situatë të frikës, me ende të panjohurat e Covid-19, shumë njerëz ju drejtuan aktivititet fizik brenda kushteve të shtëpisë. Edhe Fataj, pohon se nisi të bënte crossfit në profilin e saj personal të Instagramit.


“Bëja pa pushim 2 orë për këdo që ndiqte faqen time. Të na mbante më shumë mendjen, pra dhe njerëzit të stërviteshin, të merreshin me diçka në atë situatë” tregon instruktorja.


Në këtë situatë, kur shumë persona kishin nisur të punonin nëpërmjet platformës “Zoom”, Fatajt i lindi një ide. Pse të mos ishte kjo mënyra se si ta vijonte biznesin e saj?! Në fakt, aplikacioni u bë mjaft popullor pikërisht me nisjen e karantinës kudo në botë.


“Një ditë mbetëm me shumë pak të ardhura. Mendova që të blija një program dhe ta ktheja në pagesë, pa e menduar se do të ecte mirë apo keq. Pashë interesin e klientëve të mi në Instagram dhe nga kjo u nisa. I njoftova të gjithë frekuentuesit që kush dëshironte kundrejt pagesën, mund të kalonte në programin ZOOM me një kod që unë ju jepra. Rreth 40 klientë nga 70 që kisha në total para karantinës, kaluan menjëherë dhe aty nisi puna për ne, e cila nuk na la të falimentonin” shprehet Rezi Fataj.


Të ardhurat që biznesi nisi të sigurojë në kushtet e “online-it”, bënë që sipërmarrësja dhe instruktorja, t’a shndërrojë këtë mënyrë fitimi në primare. Jo vetëm në kohën kur palestrat u lejuan të hapeshin gjatë muajit Maj, por ende sot e kësaj dite “Crossfit në Zoom” vijon të mbetet aspekt kryesor i mënyrës se si Fataj po zhvillon aktivitetin e saj.


“Çdo ditë bëj stërvitje online me individ personal dhe në grupe. Më shumë punojmë online se sa në palestër. Pjesa më e madhe, zgjedhin online sepse kanë frikën e virusit dhe kanë të drejtë, pasi nuk duhet të ketë shumë njerëz në palestër. Kjo ishte mënyra më e mirë për mua, pasi nuk kisha nga t’ja mbaja. Po të mos kisha programin Zoom, unë do të kisha falimentuar komplet” përfundon historinë e mbijetesës së Rezi Fataj. Mes 2 mijë bizneseve të mbyllura zyrtarisht sipas të dhënave të Tatim Taksave vendore, palestrat, pishinat dimërore apo komplekset sportive kanë qënë ndër sipërmarrjet më të goditura nga pandemia e virusit Covid-19, sidomos gjatë periudhës së karantinimit total të vendit nga muaji Mars deri në Maj 2020.

PLATFORMAT ONLINE QË “SHPËTUAN” PUNËN
“Puna prej shtëpisë” do të jetë padiskutim togfjalëshi i vitit 2020 dhe i pandemisë që solli Covid-19. Janë disa platforma online të cilat, prej nisjes së karantinës në shumë shtete të botës, përdoren gjerësisht me pagesë ose jo nga punëdhënës dhe punëkërkues. Njohësit e këtyre video-aplikacioneve bëjnë një renditje të 5 platformave të tilla më të përdorura dhe më të njohura.

Zoom
Përpos mbajtjes së takimeve, Zoom ju lejon të organizoni edhe trajnime e video-ëebinars të ndryshëm. Ndër të tjera, edhe pse është me pagesë megjithatë ofron edhe disa mundësi falas si takime me deri në 100 pjesëmarrës për 40 minuta dhe ‘Screen sharing’ që do të thotë të ndani me të tjerët ekranin tuaj, veçori tejet e mirë sidomos për trajnime apo prezentime të ndryshme. Zoom ka 5 plane të krijimit të llogarisë prej të cilave ju mund të zgjedhni: Zoom Free, Zoom Pro, Zoom Business, Zoom Entreprise dhe Optional-Zoom Rooms.

Skype
Mundëson mbajtjen e takimeve online përmes karakteristikave të shumta që na ofron. Përmes planit falas, ju keni mundësi të mbani takime me 50 pjesëmarrës, të dërgoni mesazhe, të ndani ekranin tuaj me të tjerët apo edhe të incizoni takimin.

Google Meet
Një platformë falas komunikimi që përmban thirrje telefonike, video dhe mesazhe për deri në 10 përdorues. Është ideale për përdoruesit e Google pasi Google Meet është futur në Gmail dhe mjete të tjera Google. Një nga karakteristikat më unike të Google Meet është se lejon përdoruesit të transmetojnë thirrjet e tyre përmes videove live në YouTube.

Facebook Messenger Video Call
Nën rrjetin e Facebook dhe përdoret nga më shumë 600 milion njerëzit në të gjithë botën e të cilët e përdorin për të bërë thirrje me video, duke ju lejuar atyre dhe pjesëmarrësve ta shohin njëri-tjetrin ballë për ballë duke përdorur kamerën tyre të telefonave të menqur, dhe të bisedojnë me zë në vend të tekstit me anë të përdorimit të mikrofonit në pajisjet e tyre.

GoToMeeting
Një platformë komunikimi për biznese. Jo vetëm që platforma ju lejon të inkuadroni deri në 100 pjesëmarrës, por gjithashtu mund të përdorni mundësinë GoToWebinar e cila është një platformë takimesh online, ku përdoruesit mund të planifikojnë, prezentojnë dhe përcjellin me pjesëmarrësit një Webinar. GoToWebinar përmban sondazhe, ftesa automatike në Webinar dhe Email, të dhëna për pjesëmarrësin, performancën e Webinar-it dhe një bibliotekë e videos.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.