U shpërngul para një viti, 23 vjeçarja nga Irani rrëfen eksperiencën në Shqipëri: Isha tmerrësisht e frikësuar
24/05/2019 Shpërndaje

U shpërngul para një viti, 23 vjeçarja nga Irani rrëfen eksperiencën në Shqipëri: Isha tmerrësisht e frikësuar

Rana Boloorchi është 23 vjeçarja nga Irani e cila një vit më parë erdhi të jetojë në Shqipëri. Përpara se të merrte këtë vendim ishte e frikësuar për shkak se në vendin e saj Shqipëria kishte një imazh të keq. Pikërisht kjo frikë e shtyu edhe më shumë që të shpërngulet për të jetuar për një vit. “Ideja e të jetuarit në një vend për të cilin s’ke asnjë ide, për të cilin shumë vende, sidomos vendi im kishte shumë paragjykime, po më frikësonte tmerrësisht shumë”, rrëfen ajo gjatë një interviste për pozitivi.org.

Gjatë intervistës për Pozitivin Rana tregon se gjatë këtij viti jo vetëm që shembi paragjykimet por zbuloi shumë të përbashkëta mes 2 vendeve. “Interesante është se nga të gjitha vendet që kam parë, vendi më i ngjashëm me kulturën time është Shqipëria. Unë kam udhëtuar në shumë vende dhe gjithashtu kam jetuar në vende të tjera, por kultura më e afërt me kulturën iraniane është ajo shqiptare”. Kultura, feja dhe përballja e 2 brezave, tradicionalja me modernen është një tipar që bashkon të dyja vendet.

23 vjeçarja ka studiuar Menaxhim Biznesi ndërsa aktualisht është drejtuese e organizatës AIESEC në Shqipëri. Gjithsej ka udhëtuar në 24 shtete, duke përjetuar eksperienca të ndryshme. Në Shqipëri përveç punës me të rinjtë, ka njohur kulturën, njerëzit, si dhe ka vizituar disa nga qytetet për bukurinë e të cilave vendi ynë shquhet. “Po kam qenë nëpër Shqipëri, në Durrës, në Sarandë, Korçë, Shkodër, kam kaluar nga Tirana për në Montenegro dhe kam parë rrugën. Kam qenë edhe në Gjirokastër e Berat. Këto janë të gjitha vendet ku kam qenë në Shqipëri dhe përfundimisht e dua natyrën, është fantastike”, thotë ndër të tjera Rana.

Intervista ekskluzive me Rana Boloorchi për pozitivi.org:

Pozitivi: A mund të bësh një prezantin të vetes, kush është Rana?

Po bëj një prezantim të shkurtër. Emri im është Rama dhe jam nga Irani. Jam 23 vjeç, për një muaj do jem 24. Jam diplomuar për Menaxhin të Bizneseve te vogla, ekzaktësisht si të fillosh një biznes tëndin. Shumë e ngjashme me Administrim Biznesi por më shumë e fokusuar se si të krijosh biznesin tënd.

Pozitivi: Kur ke ardhur në Shqipëri dhe përse?

Arsyeja pse kam ardhur në Shqipëri eshte se punoj ne nje organizatë ndërkombëtare që është një nga organizatat më të mëdha të të rinjve në botë dhe quhet AIESEC. Aktualisht unë jam Ceo ose liderja e AIESEC në Shqipëri.

Ndonjëherë dëgjoj njerëzit të habitur të thonë ti nuk je nga Shqipëria por drejton AISEC-un në Shqipëri. Po, sepse kjo është një organizatë shumë demokratike dhe ndërkombëtare, dhe nëse dikush nga ndonjë shtet tjetër ka më shumë njohuri për AIESEC në vendin e tij dhe që mund t’i përcjellë këto njohuri për një vend tjetër, atëherë ata aplikojnë për pozicione të ndryshme qoftë edhe për ta drejtuar atë organizatë, për një vit. Të gjitha pozicionet në AIESEC janë për një vit dhe kjo të jep mundësinë të shkosh në një mjedis të ri, të njohesh një kulturë të re, të sfidosh veten, të udhëheqësh njerëz në një mjedis tërësisht të ndryshëm.

Erdha këtu pikërisht një vit më parë. Po puna ime zyrtarisht ka filluar në fillim të gushtit dhe do të mbarojë në fund të qershorit. Kjo është arsyeja pse jam në Shqipëri. Ajo që bëjmë ne në AIESEC është se dërgojmë të rinj vullnetarë në shkëmbime në vende të ndryshme, vullnetare dhe profesionale. Gjithashtu krijojmë mundësi për vullnetarët në Shqipëri, në shkolla, NGO dhe në vende të ndryshme, si dhe sjellim vullnetarë nga vende të ndryshme që të punojnë në Shqipëri.

Në thelb ne jemi një organizatë e zhvillimit të lidershipit, kështu që gjatë shkëmbimeve njerëzit e njohin veten më mirë, mësojnë se si të punojnë në një mjedis ndërkombëtar, mësojnë se si të punojnë në ekip dhe me pak fjalë e sfidojnë veten në mënyrë thelbësore. Jua siguroj se ne do bëjmë të mundur sa më shumë shkëmbime për të rinjtë shqiptarë dhe do të sjellim sa më shumë njerëz të rinj ndërkombëtar në Shqipëri për të bërë një ndikim këtu.

Pozitivi: Ti je nga Tehran, a mund të na tregosh diçka me shumë për qytetin dhe të përbashkëtat që ka me Shqipërinë?

Interesante është se nga të gjitha vendet që kam parë, vendi më i ngjashëm me kulturën time është Shqipëria. Unë kam udhëtuar në shumë vende dhe gjithashtu kam jetuar në vende të tjera, por kultura më e afërt me kulturën iraniane është aktualisht ajo shqiptare. Njerëzit janë super të ngrohtë, shumë të hapur me ndërkombëtarët.  Ky brez njerëzish është duke lëvizur përpara, por thellë brenda tyre janë paksa të hutuar midis jetës moderne ndërkombëtare dhe jetës tradicionale, që vjen nga gjeneratat e mëparshme. Siç është ky boshllëk këtu, një boshllëk më i madh midis 2 brezave është gjithashtu edhe në Iran, pra kjo është diçka shumë e ngjashme mes dy vendeve.

Irani është gjithashtu një vend me popullsi myslimane, por diçka tjetër  e ngjashme me Shqipërinë, është që njerëzit nuk e praktikojnë vërtet fenë.

Për Iranin unë do të thoja se mendoj se është vendi me mendje më të hapur mes vendeve mesdhetare. I dua njerëzit që më pyesin se cila është gjuha që flitet në Iran? Ne nuk flasim arabisht guha jonë është Persishtja . Është një vend shumë i madh, ka më shumë se 75 milionë njerëz që jetojnë atje. Gjithashtu edhe Teherani është një qytet i madh që ka më shumë se 8 milion njerëz që jetojnë në të. Kam shumë për të thënë për Iranin, për natyrën, i kemi të gjitha, të katër stinët e mrekullueshme. Pra, në dimër bie dëborë, vera është super e nxehtë, në pranverë kemi shi. Ne kemi të gjitha peizazhet e ndryshme që mund të imagjinoni, nga oqeani, nga deti deri në xhungël, e drejt qyteteve të mëdha. Shumë gjëra të ndryshme. Kjo është pak për vendin tim, por ka shumë gjëra për të thënë, pasi është një nga qytetërimet e para në të gjithë botën dhe ka më shumë se katër mijë vjet histori.

Pozitivi: Si kanë qenë këto muaj në Shqipëri dhe si është të punosh me shqiptarët?

Kur është fjala për Shqipërinë, ju thashë pak më parë pse erdha. Po, kam punuar me shqiptarët. Unë drejtoj një organizatë me 70 shqiptarë. Kështu që ende punoj me shqiptarët dhe me të vërtetë i pëlqej njerëzit shumë. Janë shumë të ngrohtë dhe më kanë bërë të ndihem si në shtëpi. Veçanërisht njerëzit në përgjithësi në vend jo vetëm ata me të cilët punoj.

Kur e shohin që jam nga një vend tjetër ata janë edhe më të mirëpritur dhe të dashur me mua. Ndonjëherë më thyhet zemra kur shoh se ka dhe njerëz të tjerë  që më shohin dhe më flasin shqip sepse flokët e mija i kam të errëta, dhe ata mendojnë se jam shqiptare. Më flasin shqip dhe në momentin që nuk reagoj më thonë ‘çfarë problemi ke, mos je gjë shurdhe’. Kur u them se nuk jam shqiptare ndryshojnë menjëherë sjelle,  dhe fillojnë të më trajtojnë super mirë.

Është zgënjyese kur shikoj shqiptarët që duan të largohen nga vendi, dhe jo të qëndrojnë dhe të përpiqen të ndryshojnë diçka. Njerëzit me të cilët punoj janë të gjithë mosha ime ose më të rinj, dhe ndërsa shohim njerëzit që nuk kanë shpresë për veten dhe të ardhmen në vendin e tyre kjo është zhgënjyese, por nga ana tjetër ajo që bëjmë ne në AIESEC është t’u mundësojmë njerëzve dhe t’u tregojmë atyre se ne mund të bëjmë një ndryshim, kryesisht të rrisim lidera për Shqipërinë, jo vetëm për Shqipërinë e nesërme por lidera të rinj për të sotmen. Jam shumë e sigurt se AIESEC mund të bëjë një ndikim në Shqipëri dhe aktualisht po ndikon edhe pse ky ndikim është i vogël.

Pozitivi: Ke vizituar ndonjë vend në Shqipëri dhe çfarë përshtypje të kanë lënë?

Po kam qenë nëpër Shqipëri, në Durrës, në Sarandë, Korçë, Shkodër, kam kaluar nga Tirana për në Montenegro dhe kam parë gjithë rrugën. Kam qenë edhe në Gjirokastër e Berat. Këto janë të gjitha vendet ku kam qenë në Shqipëri dhe përfundimisht e dua natyrën, është fantastike. Kam parë vende të ndryshme në sezone të ndryshme, pra kam eksperienca të ndryshme, por mund të them se e pëlqej shumë natyrën, malet, detet, sepse gjithçka është e bukur këtu.

Pozitivi: Sa vende ke vizituar përpara Shqipërisë dhe sa të kanë ndryshuar?

Në total kam vizituar 24 shtete. Pjesën më të madhe, më shumë se 15 i kam vizituar gjatë 5 viteve të fundit që kam qenë në AIESEC, në shkëmbime, në konferenca ose kur kam vizituar miqtë që kam bërë në AIESEC. Kam shkuar në Indi, në Polandë dhe shumë vende me kultura të ndryshme. Kam mësuar dhe zbuluar veten nga të gjitha këto eksperienca.

Pozitivi: Një mesazh për të rinjtë

Një mesazh për të gjithë të rinjë është se ajo çfarë ti bën ka rëndësi dhe veprimet e tua të vogla mund të bëjnë impakt dhe një ndryshim edhe nëse është i vogël. Bëj diçka, mos ki frikë të ngrihesh dhe të hedhësh një hap. E dyta është se ti je gjithmonë një vendim larg të bërit një jetë ndryshe. Ndiqni komandat tuaja, shtyni kufinjtë tuaj dhe atëherë do të ndodhë magjia. Të gjitha pasiguritë tuaja ose kur ju keni frikë të bëni diçka, momenti kur përballeni me frikën është koha ku në të vërtetë ndodh magjia dhe ku do të zhvilloheni më shumë.

Po tregoj një nga sfidat ku e kam zhvilluar veten më shumë. Shqipëria është një vend për të cilin 2 vite më parë s’kisha asnjë ide. Ideja e të jetuarit në një vend për të cilin s’ke asnjë ide, për të cilin shumë vende, sidomos vendi im kishte shumë paragjykime, po më frikësonte tmerrësisht shumë. Dhe ideja e të qenurit drejtuese e organizatës në Shqipëri ishte përgjegjësi e madhe dhe ishte pak e frikshme për mua. Pikërisht për arsyen se më frikësonte dhe më sfidonte vendosa të vij dhe nga kjo mora shumë mësime. Mendoj se nëse çdo i ri shkon drejt asaj që e frikëson, mund të zhvillojë shumë aftësi brenda vetes dhe të mëson gjëra të reja pafund.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.