Oriola Pampuri: Nevojë për të ndërgjegjësuar fëmijët që të denoncojnë dhunën
07/06/2020 Shpërndaje

Oriola Pampuri: Nevojë për të ndërgjegjësuar fëmijët që të denoncojnë dhunën

Ngjarjet e rënda na bëjnë të rikthehemi dhe të mendojmë: Ku gabuam, pse gabuam dhe si mund të rregullojmë gabimet tona. Ndoshta këto pyetje mund të marrin përgjigje edhe më të mira nga ata që sot kanë në dorë, përmes vendimmarrjes, edhe të ardhmen e një shoqërie. I tillë është edhe rasti i përdhunimit të një 15 vjeçareje, e cila ishte viktimë pikërisht në ambientet e shkollës që ajo frekuentonte. Kështu sot, kur shoqata të ndryshme si UNFPA Albania, nxisin denoncimin e dhunës por edhe edukimin e të rinjve, veçanërisht në shkolla në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues. I të njëjtit mendim është edhe ish deputetja e PD-së Oriola Pampuri, e cila në një prononcim për Jotabu.al thotë se përfshirja e edukatës seksuale në shkolla është një tjetër mjet që vetëdijeson të rinjtë për denoncimin e çdo abuzimi.

JoTabu.al

Ju kemi parë shumë të angazhuar e ndoshta mund të themi edhe e shqetësuar mbi rastin e përdhunimit të vajzës 15 vjeçare në kryeqytet. Si e keni parë këtë rast dhe çfarë na tregoi e mësoi ne si shoqëri kjo ngjarje e rëndë?

Oriola Pampuri, Ish deputete PD-së:

“Për këtë rast dhe për fenomenin në tërësi sigurisht çdokush do ndjehej keq dhe i tmerruar. Është një fenomen për të cilin duhet të bien këmbanat e alarmit për të ndërmarrë masa, me qëllim ndëshkimin e atyre që kryejnë akte të tilla, por njëkohësisht duhet një ristrukturim i hallkave të referencës së këtyre akteve. Për mendimin tim duhet të hiqet e drejta për gjykim të shkurtuar ndaj këtyre personave, dhe sensibilizimi i shoqërisë, shkollës si dhe komunitetit duhet të jetë i madh me qëllim që çdo sjellje, ngacmim, të referohet menjëherë në instancat përkatëse. Gjithashtu dhe informimi i fëmijëve sipas moshës me informacione përkatëse, që të kuptojnë e mospranojnë afrime të tepërta të të panjohurve, prekje, përqafime etj, siç ndodh dhe në shume vende të zhvilluara të botës. Pedofilët gjejnë momentin për të shfrytëzuar, një miqësi, afërsi me persona, duke shfrytëzuar vendin e punës, duke shantazhuar, por të gjitha këto duhet të kenë një destinacion; referimin. Dhe më e rëndësishme duhet të mësohemi të largojmë frikën nga stigma. Ajo që të dëmton është akti i shëmtuar që kryhet, jo fakti që e referon atë. Të gjithë ndëshkojnë pedofilin, abuzuesin, ai është individi ndaj të cilit ndëshkimi duhet të jetë maksimal, viktima është personi që shpëton veten dhe të tjerët nëse referon.

JoTabu.al:

Në fakt çfarë duhet të ndryshojë në të gjithë infrastrukturën dhe menaxhimin e sistemit arsimor duke pasur parasysh rrezikun që mund të kenë fëmijët nga abuzuesit?

Oriola Pampuri, Ish Deputete PD-së:

“Sistemin arsimor duhet të ndryshojë shumë, për sa i përket sigurisë se nxënësve. Shkolla nuk është vetëm institucion i dijes, ai është vendi ku fëmijët tanë mësojnë të ndërveprojnë me njëri- tjetrin, njohin karaktere të ndryshme dhe mësojnë të përshtaten, duke formësuar kështu një pjesë të rëndësishme të personalitetit të tyre, e duke kaluar faza të rëndësishme të zhvillimit.  Ata duhet të mësohen të referojnë çdo sjellje që bie ndesh me normalitetin e tyre. Kjo është ajo që duhet t’i mësojmë fëmijëve që hershëm.

 JoTabu.al

A ka ardhur momenti që edhe sistemi arsimor ta përfshijë edhe më gjerësisht edukatën seksuale në shkollat shqiptare?

Oriola Pampuri, ish Deputete PD-së:

“Nuk është çështja vetëm tek edukata seksuale, por thelbi është të mësojmë fëmijët të ruhen nga sjellje të rrezikshme të të tjerëve dhe t’i nxisim duke i mbështetur që t’i referojnë. Sa më shumë informacion të kishin për sjellje të tilla, aq më shumë do të ishin të nxitur t’i referonin, sa më shumë të ruajmë konfidencialitetin aq më shumë referime do të ketë”.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.