Në Kashar, ka dhe njerëz që lexojnë
10/10/2018 Shpërndaje

Në Kashar, ka dhe njerëz që lexojnë

Në Astir, një zonë me numër të lartë popullsie shumica të ardhur nga rrethina të ndryshme, si për çudi një burrë qëndronte i ulur me libër në dorë buzë trotuarit ku po shiste me një tezgë cigare, farcoleta dhe produkte të tjera. Përballë dhe rrotull tij janë lokalet më të frekuentuara të kësaj zone, me muzikë të lartë dhe një fluks të madh njerëzish gjatë ditës. Makina nga më luksozet deri tek ato më të lirat i kalojnë pranë dhe shpesh i parkohen m’u përpara syve. Kurse të rinjtë që s’numërohen gjatë ditës, e ‘vrasin’ kohën në këto kafene, më tepër për të ‘gjuajtur’ vajza të bukura.

Megjithatë këto për zotërinë nuk përbëjnë problem. Ai është larg realitetit ku qëndron. Me një libër që e mbante në dorë dhe që e mbështeste tek gjunjët, kalonte çdo minutë dhe orë kur nuk kishte klientë. Kur dikush i kalonte pranë për të blerë diçka, e ulte librin. Të kundërtën bënte kur klientët largoheshin. Kështu i fiton të ardhurat për jetesë. Minutat e lira, i shpenzonte duke lexuar, ndryshe nga ç’bëjnë shumë moshatarë të tij dhe qytetarë të këtij vendi.

Në këtë zonë të betonizuar, me njëmijë e një halle dhe qejfe, ai është nga të paktët që sheh punën e tij, shkruan pozitivi.org. Siç duket edhe në Astir, zonë që i përket njësisë administrative Kashar, ka edhe njerëz që lexojnë.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.