E mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës në forumin më të madh të grave në botë
08/06/2019 Shpërndaje

E mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës në forumin më të madh të grave në botë

Vasfije Krasniqi-Goodman aktivistja dhe e mbijetuara e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, ka qenë e ftuar në Konferencën Globale Women Deliver në Vankuver, si folëse kryesore për të ndarë historinë e saj.

Në panelin e organizuar nga Save the Children, “Parandalimi i dhunës seksuale në zonat e luftës” ajo ka treguar për të pranishmit historinë dhe betejën 20-vjeçare për drejtësi. Pjesëmarrjen në Konferencën globale Women Deliver, ajo po e shfrytëzon për ndërgjegjësim dhe nxitje për të vënë drejtësi për 20 mijë viktimat e dhunës seksuale në Luftën e Kosovës.

Në një tjetër event, e ftuar sërish për të ndarë historinë e saj, në Power Stage, ajo ka bërë thirrje për mbështetje ndaj viktimave të dhunës seksuale në Kosovë dhe njohjen e këtij krimi. Në këtë mënyrë sipas saj mund të vihet drejtësia në vend.

Znj.Vasfije Goodman tashmë është bërë e njohur dhe falë guximit dhe kurajos së saj po ndihmon në kauzën ndërkombëtare për të ndaluar përdorimin e dhunës seksuale si mjet lufte.

Asnjë grua e mbijetuar nga dhuna seksuale gjatë luftës në Kosovë kurrë nuk kishte folur publikisht. E para qe e mori guximin ta bëjë një gjë të tillë vitin e kaluar ishte Vasfija. Ajo jeton në Teksas të Shteteve të Bashkuara dhe para një viti kishte postuar në faqen e saj në Facebook një letër të hapur për njeriun që e përdhunoi atë në vitin 1999.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.