Dita Botërore e Kontracepsionit/ ALARM, 29 mijë aborte në 5 vjet në Shqipëri
26/09/2020 Shpërndaje

Dita Botërore e Kontracepsionit/ ALARM, 29 mijë aborte në 5 vjet në Shqipëri

26 shtatori çdo vit simbolizon Ditën Botërore të Kontracepsionit, e lançuar që në vitin 2007, dhe përqëndrohet në vizionin për një botë ku çdo shtatzëni të jetë e dëshiruar.

Në Shqipëri shërbimet e planifikimit familjar kanë filluar me liberalizimin e abortit në prill 1991 por me kalimin e viteve shërbimet kanë evoluar.

Aktualisht shërbimet e planifikimit familjar në sistemin shëndetësor publik, janë të shpërndara në tre nivelet e kujdesit shëndetësor, atë parësor: qendrat shëndetësore dhe ambulancat në qytet e fshat; atë dytësor: qendrat e Planifikimit Familjar të përfshira në maternitetet e rretheve dhe atë që ofrohet në qendrat e gruas pranë Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik nr. 1 dhe 2. në Tiranë.

Që kur aborti u bë i ligjshëm në dhjetor të vitit 1995 dhe ende sot, shifrat e raportuara vijojnë të jenë në nivele të larta. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), vetëm në 5 vitet e fundit ka pasur mbi 29 mijë aborte në të gjithë vendin.

Kurse në të gjithë botën, mbi 41% e shtatzënive që ndodhin çdo vit janë të padëshiruara. Më tepër se gjysma e këtyre shtatzënive të padëshiruara përfundojnë në abort.

Rreth 222 milionë gra në vendet në zhvillim do të donin të vononin ose ndalonin shtatzëninë,  por ato nuk janë duke përdorur ndonjë metodë kontraceptive.

Por përse ndodh kjo?

Shtatzënitë e paplanifikuara ndodhin çdo vit te femrat të cilat nuk përdorin asnjë nga metodat kontraceptive, ose si rezultat i përdorimit jokorrekt të kontracepsionit. Mungesa e njohurive për kontracepsionin shpesh shërben si barrierë për përdorimin e kontraceptivëve.

Në të kundërt planifikimi familjar i lejon njerëzit të arrijnë numrin e dëshiruar të fëmijëve dhe të zgjedhin periudhën nga një shtatzëni tek tjetra. Kjo arrihet nëpërmjet përdorimit të metodave kontraceptive dhe trajtimit të infertilitetit.

Disa përfitime të planifikimit:

•             Disa metoda të planifikimit familjar si psh kondomi, ndihmojnë në parandalimin e transmetimit të HIV-it dhe infeksioneve të tjera seksualisht të transmetueshme.

•             Planifikimi familjar/kontracepsioni zvogëlon nevojën për abort, sidomos për abort të pasigurt.

•             Planifikimi familjar përforcon të drejtat e çiftit për të përcaktuar numrin e fëmijëve të tyre dhe hapësirën nga njera lindje tek tjetra.

•             Duke parandaluar shtatzëninë e padëshiruar, planifikimi familjar / kontracepsioni parandalon vdekjen e nënave dhe fëmijëve. / UNFPA

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.