Vlerësim për aktivizmin qytetar dhe rinor në funksion të demokracisë
13/05/2018 Shpërndaje

Vlerësim për aktivizmin qytetar dhe rinor në funksion të demokracisë

Në ceremoninë përmbyllëse të javës së demokracisë “Aktivizmi qytetar dhe rinor në funksion të demokracisë vendore” u bë ndarja ndarja e certifikatave të mirënjohjes për të rinjtë, të angazhuar me projekte dhe nisma konkrete me LëvizAlbania. Gjithashtu u shpallën dhe fituesit e VideoKonkursit të Lëviz Albania, në të cilin të rinjtë kanë shfaqur problematika të zonave ku banojnë.

Të pranishëm në këtë event ishin shumë të rinj dhe të reja, anëtarë, bashkëpunues të Lëviz Albania, të ftuar aktorë të ndryshëm  të shoqërisë si dhe stafi i LA. Mes të tjerësh e ftuar ishte dhe zëvendëskryeministrja Senida Mesi e cila përgëzoi LA për projektet që ka mbështetur dhe sukseset që kanë arritur në këto vite që operon në Shqipëri. Mesi foli për rëndësinë e demokracisë dhe llogaridhënien e pushtetit lokal dhe vendor, duke përmendur këtu edhe një proces që ka filluar qeveria shqiptare, atë të llogaridhënies kundrejt qytetarëve për 6 muajt e parë të qeverisjes, raporton pozitivi.org.

“Të gjithë ata që kanë përfituar nga këto fonde të mendojnë se në këtë fazë donatori edhe mund të largohet se ka prioritete tjera dhe Shqipëria ka shumë nevoja. Të filloni dhe të gjeneroni ide dhe opinione, si ju këto ide mund ti vetë financoni, të mund ti bëni reale edhe pa ndonjë mbështetje të donatorit, me qëllim që idetë tuaja dhe planet konkrete të jenë aty ballë për ballë me qeverinë qoftë kjo lokale apo  qëndrore, gjithmonë për një qëllim të vetëm për të mirën e qytetarëve dhe të qeverisë”, e përmbyll fjalën e saj zëvendëskryeministrja duke iu bërë thirrje të rinjve në sallë.

Diana Malaj përfaqësuese e grupit “ATA”, mori çmimin “Aktivizmi Rinor më i Spikatur” të dhënë nga ambasadori i Zvicrës Christoph Graf, i cili në fjalën e  tij përshëndetëse dha mesazhe të mëdha për rininë që të jenë sa më aktiv duke shfaqur problematikat në zonat ku banojnë si dhe të bëhen pjesë e zgjidhjeve të tyre.

Aktivistja Malaj ndërsa mori cmimin tha se ndihet e vlerësuar që ka njerëz që vlerësojnë aktivizmin. Sakaq në shenjë ‘revolte’ dhe duke shprehur mendimin e saj të lirë replikon zëvendëskryeministren Mesi. “E kam dëgjuar me shumë vëmendje fjalën e gjithësecilit, mendoj  se individi përballë donatorit, përballë qeverisë meqë fatmirësisht kemi një përfaqësues të qeverisë këtu. Grupi “ATA” e ka pikë të dobët mosbindjen civile. Aktivizmi i vërtetë gjatë kësaj javë është  sjellë shumë mirë në formë minjature nga LA por aktivizmi i vërtetë bëhet vërdallë…  Individi kur vihet përballë donatorit, “po kujdes”, ishte si paralajmërim nga qeveria, kujdes se mos iu ik donatori dhe keni me ngel pa ide e opinione.

Pa opinion është mirë me ngel por pa ide kurrsesi s’kemi me ngel. Se edhe kur ta dimë opinionin nuk jemi të kënaqur, se si mund të kënaqesh me një opinion”, tha ndër të tjera përfaqësuesja e grupit “ATA” që operon kryesisht në Kamëz duke iu drejtuar edhe zonjës Mesi. Në kuadër të “Javës së Demokracisë Vendore” Lëviz Albania ka zhvilluar disa evente të rëndësishme  ku janë prezantuar projekte në shërbim të demokracisë, llogaridhënies dhe transparencës për qytetarët nga përfaqësues të qeverisjes vendore. Qëllimi u shpreh edhe përmes mendimeve dhe diskutimeve te shfaqura në këto aktivitete, raporton pozitivi.org. Aktiviteti vijoi me çmime të tjera të dhëna për të rinjtë në shenjë motivimi nga LA.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.