Ashensorët “vrasës”, flet tekniku: Siguria në duart e qytetarëve, gabimet që u rrezikojnë jetën
17/05/2022 Shpërndaje

Ashensorët “vrasës”, flet tekniku: Siguria në duart e qytetarëve, gabimet që u rrezikojnë jetën

Vdekja mund të të vijë dhe disa hapa larg shtëpisë, në ashensor, aty ku s’e pret. Ditët e fundit për shkak të defekteve të ashensorëve janë vënë në rrezik disa jetë njerëzish.

Dy persona, një paciente 80 vjeçare dhe barrelisti që e shoqëronte atë, morën dëmtime të rënda në trup, pasi ashensori që ata do të zbrisnin në katin -1 në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, u shkëput. Ndërsa një ditë më parë 2 ashensorë të tjerë, në Vlorë dhe te një kompleks pallatesh në rrugën e Kavajës në Tiranë janë përfshirë në flakë. Ngjarje këto të përsëritura, ndërsa nën hetim janë teknikët dhe administratorët e pallateve.

Nisur nga këto ngjarje Pozitivi.org ka kontaktuar me teknikun e ashensorëve Turi Gashi, 41 vjeç, i cili prej 20 vitesh riparon dhe mirëmban ashensorët e dhjetëra pallateve në qytetin e Durrësit. Gabimet fatale, sipas mirëmbajtësit të ashensorëve, i bëjnë banorët e pallateve duke u treguar të shkujdesur gjatë përdorimit të ashensore. Sigurisht, theksoi edhe përgjegjësinë që kanë mirëmbajtësit.

“Duke i mbajtur dyert të mos mbyllen, duke e përdorur fort, ngarkojnë shumë gjëra, hipin më shumë persona sa duhet. Pardje kam nxjerrë 8 veta me një ashensor që s’i mban dot as tre, madje është dhe e shkruajtur aty jo më shumë se 3. Tani probleme ka ashensori, se makineri në lëvizje është ajo si puna e makinës, prandaj duhet një teknik për ta mirëmbajtur”, tha ai për Pozitivi.org.

Për rastet kur ashensorët marrin flakë tekniku shpjegon se si ndodh diçka e tillë në mënyrë që të shmanget. “Ashensori s’ka arsye që të marrë flakë vetë. Nëse pusi poshtë ka mbeturinat e reklamave dikush  hedh cigaren dhe mund të ndizen ato, ashensori vetë nuk merr flakë. Vetëm nga shkaqe të jashtme dhe të qëllimshme. Sepse normalisht unë te ashensorët e mi shkoj dhe pastroj pusin poshtë që të mos ketë letra se në momentin që hedh dikush cigaren aty merr flakë. Kur merr flakë ka ato fijet elektrike dhe fijet elektrike digjen dhe ashensori nuk lëviz më. Nëse personi është brenda asfiksohet nga tymi jo se digjet”.

Sigurinë e duan, por qytetarët në vendin tonë nuk janë të gjithë të ndërgjegjësuar se duhet të paguajnë për të. “Problemi kryesor vjen nga njerëzit sepse edhe 5 mijë lekë në muaj që i takon një familjeje për të paguar nuk e paguajnë. Kur i thua që duhet ndërruar kjo se ka ardhur koha dhe është për të mirën tuaj thonë s’ka gjë lëre”.

“Edhe tekniku ka përgjegjësitë e veta sepse mund të ndodhë një aksident, larg qoftë se mua s’më ka ndodhur. Nëse ndodh për faj të teknikut është për faj të teknikut, nuk ke çfarë i bën, sepse nuk e ka parë ashtu siç duhet, ose ka vendosur diçka që nuk duhet dhe ka harruar që ta heqë. Ne kur punojmë punojmë manualisht, hipim sipër ashensorit, bëjmë disa ura por ato urat duhet të hiqen. Por një pakujdesi harresë krijon aksident. Ishalla s’i ndodh askujt sepse janë jetë njerëzish. Sa lekë marrim ne në muaj as nuk ia vlen të shkosh te sahati, por kjo është Shqipëria, hamë bukë të paktën me këtë punë.

Por gjithmonë të paktën një herë në muaj ashensorët duhet të kontrollohen nga teknikët. Do shkoj të marr pagesën dhe do bëj dhe një kontroll. Në rast se gjatë 30 ditëve ka një problem, ka një zhurmë, s’punon një buton, ti do njoftohesh dhe do shkosh. Por jo gjithmonë e kanë fajin teknikët. Duhet të ketë dhe një përgjegjës në pallat që të mos lejojë njerëzit të hedhin letrat e reklamave. 2 veta i kam kapur aty duke i hedhur, kam stakuar ashensorin dhe u kam thënë futu e merri aty ma pastro pusin. Njëri filloi të bëjë si i fortë. Përgjegjësia më mbetet mua. Te ai pallat nuk kanë hedhur më që prej asaj dite. Duhet më shumë sensibilizim nga njerëzit”.

Në një vend ku ka më shumë se 10 mijë ashensorë në përdorim nga qindra mijëra qytetarë, të regjistruar janë vetëm rreth 2000 prej tyre. Kjo e bën situatën alarmante dhe ajo që është më e rëndë është se për këtë nuk ka një përgjegjës, ndaj ndodhin aksidente vazhdimisht.

Aksidenti i fundit në Tiranë ndodhi 2 ditë më parë rreth orës 23:30 minuta, teksa pacientja Vezire Cufe 80 vjeçe po transportohej nga kati 0 në -1 për kryerjen e ekzaminimeve radiologjike. E moshuara shoqërohej nga një infermier dhe barrelmbajtësi Klevis Dauti. Ata mbetën në ashensor mes katit  katit 0 dhe -1 dhe me ndërhyrjen e zjarrfikëses u bë e mundur nxjerrja e tyre prej andej.

Pacientja mori dëmtime në kokë, ndërsa barrelisti ka krisje në të dyja këmbët. Zyrtarisht, Qendra Spitalore Universitare deklaroi në një reagim për mediat, se pacientes 80 vjeçare iu bënë ekzaminimet për sëmundjen dhe pas kryerjes së skanerit me kontrast, rezultoi me tromboemboli pulmonare. Paraprakisht, grupi hetimor dyshon se shkak i rënies së ashensorit është bërë ndonjë shkëputje e njërës prej kavove, ose ndonjë defekt në sistemin elektronik.

Një ditë pas rënies së ashensorit Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut pohon se ky ashensor nuk ishte i regjistruar. Sipas ISHMT rezulton se është kryer ekzaminimi fillestar i ashensorit nga një organ i miratuar, por nuk është kryer regjistrimi i ashensorëve në zbatim të Ligjit “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”.

“Në bazë të ligjit, Personi Përgjegjës i produkt/instalimit ka për detyrë të kontraktojë një Organ të Miratuar, i cili bën kontrollin fillestar të ashensorit dhe atë periodik, për të vlerësuar nëse ashensori është në përputhje me rregullat teknike për të garantuar sigurinë e përdoruesve. Pas kryerjes së ekzaminimit fillestar personi përgjegjës ka detyrimin për regjistrimin e ashensorit pranë ISHMT-së. Ashensori në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT ra teksa pacientja Vezire Cufe 80 vjeçe po transportohej nga kati 0 në -1 për kryerjen e ekzaminimeve radiologjike. E moshuara mori dëmtime të rënda në kokë. I dëmtuar në të dy këmbët mbeti edhe barrelisti Klevis Dauti. Për këtë ngjarje u proceduan në gjendje të lirë tekniku i ashensorit Ermal Braja dhe administratori i kompanisë “Sulollari Klima”, Ardian Sulollari që është kontraktuar për mirëmbajtjen e ashensorit. Ndërsa hetimet për të përcaktuar shkakun e rënies së tij vijojnë”.

Mjekët dhe infermierët e turnit kanë theksuar se ashensori kishte pasur probleme edhe më herët, duke ngecur mes kateve duke dalë jashtë funksionit. Sinjalet e para janë dhënë ashtu sikurse theksoi dhe tekniku në intervistën me Pozitivin i cili thotë se administratori i pallatit dhe banorët duhet të njoftojnë teknikun në rast se vërejnë ndonjë problem paraprak. Për këtë  ngjarje në komisariat u shoqëruan për t’u marrë në pyetje tekniku i ashensorit Ermal Braja 45 vjeç që është edhe përgjegjës për mirëmbajtjen e tij, si dhe administratori i kompanisë që është kontraktuar për mirëmbajtjen, Aardian Sulollari, 52 vjeç.

Intervista e plotë me teknikun e ashensorëve për Pozitivi.org

Cilat janë problematikat që keni hasur gjatë 20 viteve punë? Nga se mund të prishet më shpesh një ashensor?

Problematikat janë nga më të ndryshmet. Një ashensor mund të prishet nga ikja dhe ardhja e dritave, nga keqpërdorimi i njerëzve etj.

Si keqpërdoren ashensorët?

Duke i mbajtur dyert të mos mbyllen, duke e përdorur fort, qytetarët ngarkojnë shumë gjëra, hipin më shumë persona sa duhet. Pardje kam nxjerrë 8 veta me një ashensor që s’i mban dot as tre, madje është dhe e shkruajtur aty jo më shumë se 3. Tani probleme ka ashensori, se makineri në lëvizje është ajo si puna e makinës, prandaj duhet një teknik për ta mirëmbajtur.

 Sa herë në muaj duhet të kontrollohet një ashensor për ta parë nëse është në rregull dhe s’përbën rrezik?

Një herë në muaj. Aq është e mjaftueshme sepse në rast se gjatë muajve ka diçka që banorët dhe administratori vërejnë diçka të pazakontë, e thërret teknikun dhe ai shkon dhe e shikon. 2 herë në muaj ose më shumë, sipas nevojës.

Një ditë më parë 2 ashensorë një në Vlorë dhe një në Tiranë kanë marrë flakë . Si mund të marrë flakë një ashensor?

Ashensori s’ka arsye që të marrë flakë vetë. Nëse pusi poshtë ka mbeturinat e reklamave dikush hedh cigaren dhe mund të ndizen ato, ashensori vetë nuk merr flakë. Vetëm nga shkaqe të jashtme dhe të qëllimshme. Sepse normalisht unë te ashensorët e mi shkoj dhe pastroj pusin poshtë që të mos ketë letra se në momentin që hedh dikush cigaren aty merr flakë. Kur merr flakë ka ato fijet elektrike dhe fijet elektrike digjen dhe ashensori nuk lëviz më.  Nëse personi është brenda asfiksohet nga tymi jo se digjet.

Gjatë punës tuaj a ju ka ndodhur që ndonjë nga ashensorët që mirëmbani të marrë flakë?

S’më ka ndodhur asnjë incident gjatë 8 viteve punë, asnjë nga këto që janë raportuar fatmirësisht. Sot jam në Durrës mirëmbajtës i disa ashensorëve të disa pallateve në Durrës.

A është e vështirë ta bësh si punë?

Është shumë i vështirë sepse ke të bësh me jetën e njerëzve. Kjo është pjesa e parë më e vështirë. Pastaj vetë puna është e vështirë, nëse di ta bësh di ta bësh. Por pjesa më e sikletshme është që ke të bësh me jetë njerëzish. Duhet të kujdesesh shumë për të pasur ecurinë më të mirë.

A mendoni se janë të përgjegjshëm mjaftueshëm teknikët e ashensorëve duke pasur parasysh dhe rastet e fundit të incidenteve të raportuara?

Duhet të bëhen kontrata me mirëmbajtësit. Ata duhet të tregohen shumë të kujdesshëm sepse kemi të bëjmë me jetë njerëzish. Të mbetet në mendje gjithë jetën nëse ndodh diçka, një aksident i rëndë.

A mendon se njerëzit janë sensibilizuar mjaftueshëm për të mirëmbajtur ashensorët, a paguajnë për sigurinë e tyre?

Problemi kryesor vjen nga njerëzit sepse edhe 5 mijë lekë në muaj që i takon një familjeje për të paguar nuk e paguajnë. Kur i thua që duhet ndërruar kjo se ka ardhur koha dhe është për të mirën tuaj thonë s’ka gjë lëre.

Pra sipas jush të gjitha problemet vijnë si pasojë e mosmirëmbajtjes dhe për shkak të problemeve që përmendët më sipër?

Normalisht po, sepse unë s’jam te ashensori gjithë kohës. E rregulloj e lë në gjendje pune dhe pastaj e përdorin njerëzit. Edhe ata duhet ta mirëmbajnë. Të respektojnë rregullat.

Gjithmonë hetohen mirëmbajtësit kur ndodh ndonjë incident, pse?

Edhe tekniku ka përgjegjësitë e veta sepse mund të ndodhë një aksident, larg qoftë se mua s’më ka ndodhur. Nëse ndodh për faj të teknikut është për faj të teknikut, nuk ke çfarë i bën, sepse nuk e ka parë ashtu siç duhet, ose ka vendosur diçka që nuk duhet dhe ka harruar që ta heqë. Ne kur punojmë punojmë manualisht, hipim sipër ashensorit, bëjmë disa ura por ato urat duhet të hiqen. Por një pakujdesi harresë krijon aksident. Ishalla s’i ndodh askujt sepse janë jetë njerëzish. Sa lekë marrim ne në muaj as nuk ia vlen të shkosh te sahati, por kjo është Shqipëria, hamë bukë të paktën me këtë punë.

Por gjithmonë të paktën një herë në muaj ashensorët duhet të kontrollohen nga teknikët. Do shkoj të marr pagesën dhe do bëj dhe një kontroll. Në rast se gjatë 30 ditëve ka një problem, ka një zhurmë, s’punon një buton, ti do njoftohesh dhe do shkosh.

Por jo gjithmonë e kanë fajin teknikët. Duhet të ketë dhe një përgjegjës në pallat që të mos lejojë njerëzit të hedhin letrat e reklamave. 2 veta i kam kapur aty duke i hedhur, kam stakuar ashensorin dhe u kam thënë futu e merri aty ma pastro pusin. Njëri filloi të bëjë si i fortë. Përgjegjësia më mbetet mua. Te ai pallat nuk kanë hedhur më që prej asaj dite. Duhet më shumë sensibilizim.

E pashë dje atë te QSUT dhe më erdhi keq. Ideja është se nuk e kuptova mirë si ka ndodhur. Po nuk pati çdo pallat administrator është shumë problem. Duke ulur pazarin  e teknikëve varet edhe puna. Teknikët paguhen shumë pak dhe s’janë të motivuar. Ka përgjegjësi si punë. Ka përgjegjësi morale dhe ligjore.

/Nga Beklie koltraka

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.