Vizat amerikane, me afat 10-vjeçar! Hapat si të aplikoni
Një lajm i mirë është dhënë sot nga ambasada për të gjithë shqiptarët që kanë plane për të shkuar drejt SHBA. Një vizë amerikane turistike apo biznese që shqiptarët do të marrin pas 1 prillit për të vizituar SHBA-të do të jetë e vlefshme 10 vite, jo më 3. Një vizë 10-vjeçare nuk do të thotë që ju mund të qëndroni në SHBA për 10 vite.
Lajmi u dha nga ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim. Diplomatja tha se ky lehtësim dhe besim që u bëhet shqiptarëve vjen në kuadër të festimit të 100 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-SHBA.
Ky vendim ka dhe një anë tjetër të medaljes. Sipas ambasadoren tregon se shqiptarët po respektojnë gjithnjë e më shumë rregullat kur vizitojnë SHBA dhe për këtë arsye mundësia për të takuar miqtë dhe familjarët që i kanë jashtë për shqiptarët do të jetë edhe më e lehtë.
“Ndërsa ne festojmë 100 vjet marrëdhënie midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm të mrekullueshëm që besoj do t’i sjellë amerikanët dhe shqiptarët akoma më afër së bashku. Çdo vit, shumë e më shumë shqiptarë po vizitojnë Shtetet e Bashkuara ashtu si gjithnjë e më shumë amerikanë po vizitojnë Shqipërinë. Tashmë do ta bëjmë më të lehtë për shqiptarët të cilët duan të vizitojnë miqtë dhe familjen në Amerikë të shohin vendet tona dhe të ndërtojnë marrëdhënie biznesi. Duke filluar nga 1 prilli, vlefshmëria për një vizë të re turistike apo biznesi do të zgjasë nga tre deri në dhjetë vjet. Kjo do të thotë se nëse jeni një qytetar shqiptar që merr një vizë turistike apo biznesi në 1 prill ose më pas, viza juaj do të jetë e vlefshme për dhjetë vjet, jo vetëm tre. Ju do të keni mundësi të shkoni dhe t ëvini në Shtetet e Bashkuara në bazë të ligjeve dhe rregullave përkatëse, pa pasur nevojë që të rinovoni vizën tuaj deri në 2032. Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të zgjatur vlefshmërinë e vizës në dhjetë vjet pasqyron faktin që shqiptarët gjithnjë e më shumë po ndjekin rregullat kur vizitojnë Shtete e Bashkuara. Shpresoj që të gjejmë akoma dhe më shumë mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët së bashku. Ne presim me kënaqësi që t’ju mirëpresim në Shtete e Bashkuara dhe presim me kënaqësi edhe 100 vite të tjera si miq”, tha ambasadorja.
Në mesazhin e vetë, ambasadorja Kim thekson se krahas këtij vendimi, shpreson që të gjenden akoma më shumë mënyra për të afruar shqiptarët dhe amerikanët së bashku. Qëndrimi përtej afatit të lejuar është shkelje e ligjit të imigracionit të SHBA-së dhe mund t’ju bëjë ju të papranueshëm për vizë në të ardhmen.
Por cilat janë hapat që duhet të ndërmerrni për të aplikuar për vizë?
Për të aplikuar për vizë jo-emigrimi (p.sh.: biznes, turist, vizitor, student, punë, etj.), ju lutemi të ndiqni hapat e mëposhtëm:
Diplomatët, zyrtarët e qeverisë së Shqipërisë dhe zyrtarët ushtarakë, si dhe punonjësit e organizatave ndërkombëtare dhe të NATO-s që udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara në emër të qeverisë së tyre për t’u angazhuar vetëm në aktivitete zyrtare për atë qeveri, duhet të klikojnë në lidhjet përkatëse për udhëzime specifike mbi procedurën e aplikimit.
Të gjithë të tjerët duhet të ndjekin këta hapa:
1. HAPI I PARË: Plotësoni Aplikimin Online
Secili aplikant, pavarësisht moshës, duhet të plotësojë formularin e aplikimit për vizë jo-imigrimi DS-160 online. Gjatë aplikimit, ju do të ngarkoni edhe një fotografi digjitale që i përmbush standardet e Departamentit Amerikan të Shtetit, Byrosë së Çështjeve Konsullore – në Anglisht”.
Pasi të keni plotësuar formularin DS-160, printoni fletën e konfirmimit që mban kodin e aplikimit tuaj. Ju duhet ta sillni këtë fletë konfirmimi kur ju të paraqiteni në Ambasadën Amerikane në Tiranë për intervistën tuaj për vizë.
E RËNDËSISHME: Potësoni të gjithë informacionin me saktësi në formularin DS-160. Nëse keni përdorur emër ose mbiemër tjetër për shkak të martesës apo për arsye të tjera, ju duhet të vendosni tek DS-160 të gjithë emrat dhe mbiemrat e mëparshëm. Nëse nuk vendosni informacionin e saktë, do të krijohen vonesa në shqyrtimin e aplikimit tuaj për vizë. Formulari duhet plotësuar në Anglisht; për ndihmë ju lutemi lexoni udhëzimet në Shqip (PDF 251 KB).
2. HAPI I DYTË: Paguani Tarifën e Vizës
Secili aplikant, pavarësisht moshës, duhet të krijojë një llogari duke pёrdorur njё nga mёnyrat e mёposhtme për të paguar tarifën e vizës dhe për të caktuar takimin për vizë:
- Në internet: https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv
- Me telefonon nё numrin: +355-044-500-037; ose 703-520-2498 nga SHBA;
- Me shёrbimin Skype nёn emrin usvisaalbania.
Pasi të keni krijuar një llogari, ndiqni udhëzimet dhe zgjdhni mënyrën e pagesës (PDF 182 KB) për tarifën e vizës jo-emigruese. Pasi të paguani tarifën ju duhet për të caktoni një takim siç jeni udhëzuar.
3. HAPI I TRETË: Rinovim i vizës me postë ose Caktimi i Takimit për Vizë
Nëse ju po rinovoni një vizë që ka skaduar brenda 12 muajve, dhe kjo vizë ishte lëshuar në Tiranë, si dhe ju po aplikoni për të njëjtën kategori vize për të cilën kishit aplikuar edhe në vizën e fundit, atëherë ju mund të mos paraqiteni në Ambasadë për intervistë. Hyni tek llogaria juaj tek https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv dhe përgjigjuni pyetjeve të rinovimit të vizës me postë për të parë nëse kualifikoheni. Këtu do të gjeni një shembull të pyetësorit (PDF 208 KB).
Nëse ju nuk kualifikoheni për rinovimin e vizës me postë, atëherë ju duhet të caktoni një takim për t’u paraqitur në Ambasadë. Ju mund të:
- Hyni tek llogaria juaj tek: https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv;
- Me telefonon nё numrin: +355-044-500-037; ose 703-520-2498 nga SHBA;
- Me shёrbimin Skype nёn emrin usvisaalbania.
Kërkesat për takimet të përshpejtuara për intervistë konsiderohen vetëm në rrethana të kufizuara, dhe mund të kërkohen vetëm nëpërmjet llogarisë tuaj pasi të keni plotësuar të gjitha hapat më lart.
4. HAPI I KATËRT: Përgatituni për Intervistën Tuaj
Ju duhet të sillni dokumentacionin e mëposhtëm a) në intervistën tuaj nëse do të intervistoheni personalisht, ose b) me postë nëse po rinovoni vizën me postë:
- Pasaportën tuaj;
- Fletën e konfirmimit të formularit DS-160 që përmban barkodin dhe fotografinë tuaj;
- Një fotografi me përmasa 5×5 cm;
- Fletën e takimit për intervistë që printuat nga https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv;
- Ndonjë dokument shtesë ose tarifë shtesë që mund të kërkohen për llojin e vizës për të cilën po aplikoni.
Lutemi të paraqiteni në orarin e caktuar për takimin tuaj. Nuk është e nevojshme të mbërrini shumë herët: orari i takimit tuaj është orari kur ju do të lejoheni të hyni, ai nuk është orari kur ju do të intervistoheni. Pajisjet elektronike, ushqim, pije, si dhe çanta të mëdha nuk lejohen brenda në Ambasadë. Vetëm aplikantët që janë në listë për intervistë (dhe një prind nëse fëmij që po aplikon është minoren) do të lejohen të hyjnë. Palë të treta (duke përfshirë të afërm, miq, kolegë, punëdhënës, avokatë, etj.) nuk do të lejohen të hyjnë në Ambasadë.
Pas Intervistës Suaj
Në shumicën e rasteve ju do të merrni një vendim nga konsulli mbi aplikimin tuaj për vizë në përfundim të intervistës suaj. Ndonjëherë mund t’ju kërkojmë informacion shtesë dhe disa raste kërkojnë shqyrtim të mëtejshëm administrativ përpara se ne të mund të marrim një vendim.
Nëse aplikimi juaj është miratuar, ne do ju kthejmë pasaportën tuaj me vizë me anë të shërbimit postar DHL brenda rreth 10 ditëve punë. Ju nuk do të paguani për këtë shërbim. Ju nuk duhet të bëni plane përfundimtare derisa ju të keni marrë në dorëzim pasaportën tuaj me vizë.
Nëse aplikimi juaj për vizë është refuzuar, pasaporta juaj do ju kthehet mbrapsht në përfundim të intervistës suaj me një letër që shpjegon bazën ligjore të refuzimit tuaj.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
