SISTEMI SHËNDETSOR NË UDHËKRYQ!
26/02/2021 Shpërndaje

SISTEMI SHËNDETSOR NË UDHËKRYQ!

Pas 15 vitesh në vend, situata lidhur me kujdesin shëndetësor dhe social, do të bëhet kritike! Ky fakt evidentohet në raportin e publikuar nga UNFPA, lidhur me sfidat demografike të vendit. Në raport një vend të veçantë në sfidën demografike zënë edhe të moshuarit. Situata, sipas studimit,  do të kërkojë një ndryshim në gjithë qasjen e kujdesit drejt një strategjie të integruar për ofrimin e shërbimeve. Qeveria, theksohet në raport, duhet të mendojë se si të integrojë kujdesin shëndetësor dhe atë social për të moshuarit dhe, sa më shpejt të arrihet kjo, aq më shumë vite jete do të shpëtohen dhe aq më e lartë do të jetë cilësia e jetës së të moshuarve në shoqërinë shqiptare.  

Shëndeti mendor është një tjetër e dhënë që trajtohet në raport. Shqipëria nuk bën përjashtim nga prirjet globale që i projektojnë problemet e shëndetit mendor si një nga çështjet më madhore shëndetësore të shekullit 21. Faktet tregojnë një prevalencë të lartë të problemeve të shëndetit mendor tek të rinjtë dhe të moshuarit në Shqipëri. Si hap i parë, vendi duhet të vijojë të mbështesë dhe përmirësojë decentralizimin e shërbimeve në nivel lokal, duke mbështetur kujdesin shëndetësor parësor të identifikojë në kohë çrregullimet e shëndetit mendor; duke ndërtuar më shumë struktura në nivel komunitar, duke përmirësuar trajnimin për punonjësit socialë, psikologët dhe infermierët se si të ndjekin dhe trajtojnë problemet në komunitet dhe duke përmirësuar mekanizmat për sistemet e informacionit, theksohet në raport.  

Pjesë e studimit është edhe raporti i pagesave publik/privat në shërbimin shëndetësor. Sipas raportit, pagesat nga xhepi janë shumë të larta në Shqipëri dhe kanë krijuar një bazë për pabarazi lidhur me përdorimin e niveleve të ndryshme të shërbimeve. Ndërkohë që investimi në sektorin publik shëndetësor është rritur lehtësisht vitet e fundit, duhen shumë më tepër financime për përballimin e ndryshimeve në popullatë që lidhen me tranzicionin epidemiologjik dhe pritshmëritë në rritje të qytetarëve për shërbime më cilësore shëndetësore.

Kjo është akoma më e rëndësishme në kushtet kur arritja e objektivave afatgjatë të mbulimit universal me shërbime vihet në dyshim. Është e nevojshme që qeveria të ndërmarrë politika rregullatore për marrëdhëniet midis ofruesve publikë dhe privatë, duke mbështetur mes të tjerash edhe me më shumë financime shërbimin shëndetësor publik.

Raporti është një vazhdim i punës së bërë me Studimin Shqiptar Demografik dhe Shëndetësor 2017-2018 (ADHS 2017-2018) dhe përdor të dhënat e ADHS dhe të një numri të madh burimesh të disponueshme për çështjet e trajtuara, që nga regjistrat vitalë, të dhënat e censuseve, të dhënat nga përdorimi i shërbimeve e deri tek studime të veçanta në popullatë. Ky raport u prezantua në partneritet me Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale koordinuar nga Fondacioni NESMARK si partner zbatues i UNFPA Albania.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.