Vetë-izolimi si burim i radikalizmit
Nga Ramadan Çipuri
Ngjarjet e 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara, të tjera që pasuan në gjeografi të ndryshme dhe krijimi i të ashtuquajturit Shtet Islamik ka orientuar vëmendjen e diskutimeve globale rreth masave që duhen marrë dhe përfshirjes së individëve të ndryshëm në akte terroriste, të dirigjuara këto nën ombrellën e organizatave të ndryshme të këtij lloji, e së fundmi kryesisht nga ISIS. Përkrah disa mijëra individëve të infiltruar në këto organizata, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe atyre që janë përfshirë nga hapësirat shqiptare, Shqipëria dhe rajoni. Jo rrallë herë objektivi i mediave botërore është përqëndruar në mesazhet e publikuara në gjuhën shqipe, ku kërcënimet kanë ardhur nga shqiptarë të renditur në radhët e këtyre organizatave.
Janë dhënë dhe diskutuar arsye nga më të ndryshmet për përfshirjen e tyre në këto organizime terroriste. Një përpjekje për të shpjeguar zgjedhjen e tyre argumenton se ata thjeshtë i janë nënshtruar një ideologjie bindëse për krijimin e një shteti islamik, i cili tejkalon kufijtë e shteteve kombëtare, në një fushatë të veshur si një luftë fetare. Besnikëria ndaj këtij shteti të ri, deri diku imagjinar, përpiqet të ushqejë këta individë me dashurinë për botën e përtejme, për të cilën duhet sakrifikuar jeta e kësaj bote. Të tjerë sugjerojnë se individët e radikalizuar janë të pakënaqur me kushtet e tyre të jetesës, diskriminimin, varfërinë dhe papunësinë në vendet e origjinës, ose ndoshta edhe si një reagim ndaj politikës së jashtme të padrejtë të vendit të tyre. Në këtë rast, përfshirja në radhët e organizatave terroriste na shfaqet si një akt proteste, fundi i të cilit dëmton jo vetëm ata, por edhe paqen sociale brenda familjes, lokalitetit ku jeton dhe pse jo, edhe atë globale.
Cilado qoftë arsyeja e përfshirjes së këtyre qytetarëve në këto radhë, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë kthyer në vendet e tyre të penduar, me dëshirën për të mos u përfshirë më në akte të tilla. Është pikërisht ky moment që mund të ndryshojë jetën e tyre në të ardhmen. Por, kushtet e reja, kryesisht qasja e qytetarëve dhe e instancave shtetërore ndaj këtyre individëve përcakton edhe për vijimësinë e tyre.
Shërbimet sekrete dhe ata policore jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë, duket se intensifikojnë veprimet e tyre për të gjetur, arrestuar dhe dënuar ata individë të radikalizuar që mund të jenë të gatshëm për të ndërmarrë apo planifikuar akte terroriste. Në këtë grup mund të jenë edhe ata të penduarit, që për një arsye a një tjetër kanë kryer një akt të caktuar. Përmes aksioneve të ndryshme policore, këta individë nxirren jashtë ekuacionit rrezikues dhe deri diku mund të mendohet se u gjet një zgjidhje. Por, nuk duhet harruar fakti se kjo strategji përjashton vetëm ata individë të cilët paraqesin një rrezik të menjëhershëm. Përsa kohë që realiteti që i ka nxitur ata persona të përfshihen në radhët e organizatave terroriste nuk ka ndryshuar shumë, zëvendësimi i tyre me të tjerë nuk duket i vështirë, duke ricikluar në një farë mënyrë të njëjtat dëme dhe kërcënime.
Përjashtuese ndaj këtyre individëve është edhe vetë shoqëria, e cila pas flukseve informative për vrasje e prerje të pafundme, ndoshta me të drejtë dhe brenda kufijve të njerëzores priret të qëndrojë larg tyre, të mos i afrojë, të vijojë t’i konsiderojë ata si terroristë të cilët duhet të marrin dënimin e merituar.
Në vend të gjithë kësaj, duke e analizuar radikalizmin përmes një lenteje të psikologjisë sociale, shteti dhe të gjithë aktorët e shoqërisë mund dhe duhet të marrin masa më integruese për individët e këtij grupi, e gjitha kjo me qëllim për të ndryshuar në mënyrë efektive kushtet që kontribuojnë në këtë fenomen. Një ndër më të rëndësishmit, përkrah shumë të tjerëve, është të kuptuarit e ndikimit negativ që ka vetë-izolimi i njeriut në nxitjen e sjelljeve radikale.
Studimet të shumta tregojnë se individët që janë ndier nën presionin e shoqërisë dhe të shtetit, gjë kjo që i ka detyruar ata të mbyllen në vetvete e të izolohen nga komuniteti, janë përballur me sjellje dhe eksperienca të ngjashme me aktet e mëparshme. Refuzimi nga shoqëria, ose frika e refuzimit ndikon në mënyrën se si këta individë e mendojnë të ardhmen e tyre. Ata kanë nevojë për t’u bërë pjesë e një grupi dhe për t’u lidhur me të tjerët.
Në mungesë të këtyre mundësive, këta individë mund të zhvillojnë sjellje vetëmbrojtëse, të cilat shfaqen në forma agresive dhe radikale. Është përgjegjësi e agjencive shtetërore, medias, qytetarëve dhe shoqërisë civile që të ndërmarrin fushata ndërgjegjësimi të shoqërisë në këtë drejtim.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
