Vendosshmëri e përgjegjësi dhe asgjë nuk është e pamundur/ Kuptimi i vërtetë i suksesit është një rrugëtim i gjatë përgjatë të cilit do të kesh shumë sfida
Ramë Hajraj një ekonomist i diplomuar, i cili e ka filluar rrugëtimin e tij drejt suksesit si përfaqësues rinor e studentor, duke vazhduar më tej si një konsulent, menaxher dhe kordinator projektesh, ligjërues, trajner i licencuar, dhe në fund si ekonomist që drejton një institut kërkimor ndërkombëtar për studime ekonomike. Kur flet për arritjet e tij, nuk mund të lëmë pa theksuar dhe angazhimin e tij në jetën shkencore dhe akademike. Rama është publikues shkencor dhe deri më tani ka publikuar 18 punime shkencore. Suksesi i arritur padyshim që brenda saj ka pasur shumë sfida, disa nga ato që mund të identifikohen janë transformimi nga një person introvert në një person ekstrovert që sfidon edhe ambientin përreth, bashkë me sfidat e sistemit në të cilin ai zhvillon veprimtarinë për të qenë ai zëri i drejtë i shumë të rinjve. Një i ri me vullnet për të absorbuar gjëra të reja duke kontribuar më pas për vendin dhe shoqërinë dhe që nuk hesht ndaj padrejtësisë. Rama më tej shton se kuptimi i vërtetë i suksesit është një rrugëtim i gjatë përgjatë të cilit do të kesh shumë sfida, ka raste që do të mendosh që nuk mund të i’a dalësh sepse në rrugën e suksesit do të gjesh njerëz që do të krijojnë pengesa e jo lehtësira, por puna e vazhdueshme do jetë suksesi për ty.
Kush është Ramë Hajraj? A mund të më tregoni historinë e suksesit, sfidave dhe përgjegjësive tuaja të mëparshme ?
Unë jam një ekonomist i diplomuar, me synime për tu bërë ndërmarrës i suksesshëm, me një fushë të gjerë të njohurive dhe eksperiencave si konsulent biznesi dhe individual në hartimin e raporteve financiare, hulumtuese dhe statistikore, në menaxhimin e burimeve njerëzore, si menaxher e koordinator projektesh, si trajner e ligjërues për programe statistikore, metodologji të hulumtimit, hartim të planeve të biznesit, programe të ndryshme teknologjike dhe kompjuterike në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare dhe së fundi por jo nga rëndësia një i ri me plotë vullnet për të ofruar eksperiencën dhe përvojën në funksion të punëtorit social ose rinor.
Si një i ri, me shumë vullnet për të kontribuar për vendin dhe shoqërinë kam pasur shumë histori suksesi të cilat mund të identifikohen si të tilla, por ndër më të rëndësishmet ka qënë vendosja e të mos qënurit një person introvert por të bëj ndryshim radikal tek vetja, kalimin në extrovert, gjë e cila ishte pikënisje për suksesin tim. Do të theksoja gjithashtu rrugëtimin tim për tu bërë një ndër shumë personalitete që vendosin ta sfidojnë veten në nivelin kombëtar duke u certifikuar si trajner, menaxher dhe konsulent ndërkombëtar dhe përpjekjet e mia për të qenë një ndër studentët që fitojnë bursë për studime në një ndër universitetet më të mira në botë.
Jeni angazhuar si ligjërues për vite me rrallë cila është filozofia juaj e mësimdhënies ?
Kjo nuk ka filluar krejt rastësisht pa një planifikim fillestar, kam filluar të synoj shumë gjëra në jetë dhe kam përfunduar duke luftuar për to. Unë tani bëj pesë vite që kam filluar të ushtroj profesionin tim të mësimdhënies, shumë sfida brenda saj por edhe shumë punë. Unë kam filluar të ofroj ligjërata mbi bazën e parimit të profesionalizimit dhe teknikave bashkëkohore të mësimdhënies duke pasur të përgjegjësi për të kontribuar në përmirsimin e situatës në të cilën gjendet vendi, duke bartur përgjegjësinë për të edukuar dhe arsimuar një brezi të ri që të dërgojë punën e nisur më herët në një nivel tjetër, dhe përgjegjësi për të udhëhequr një komunitet, një shoqëri, drejt një vetëdijesimi për nevojën për një sistem arsimor, ekonomik dhe politik më të mirëfilltë .
Kjo është filozofia mbi të cilën ndërtohet një mësimdhënie që pretendon të ofrojë një arsimim më të mirëfilltë për të tjerët.
Cili është projekti i fundit ku jeni angazhuar dhe kush ka qënë rezultati ?
Së fundi kam qenë i angazhuar si bashkëpunëtor profesional për koordinim, komunikim dhe hulumtim në Muzeun Kombëtar të Kosovës, projekt që ka pasur për qëllim të edukojë të rinjtë në trevat shqiptarë folës duke ju ofruar të rinjve një muze lëvizës në shkollat dhe qytetet në të cilat jetojnë ata, duke pasur si rezultat përvetësimin e të rinjve me kulturën tradicionale dhe moderne. Projekti i dytë ishte kampi me të rinjtë e Diasporës në të cilin kisha rolin e koordinatorit dhe ligjëruesit për tematiken e themelimit të klubeve rinore brenda Muzeut Kombëtar të Kosovës, si rezultat të këtij projekti mund të vlerësohet pjesëmarrja e të rinjve, relativiteti me informacionet e ofruara përgjatë kampit, gatishmërinë për të ofruar dhe marrë përvoja të reja e përgjegjësi.
Cila ka qenë përvoja më e dobishme e karrierës suaj deri më tani ?
Përvoja më e dobishme e karrierës sime, padyshim ka qenë dhe mbetet angazhimi im si ligjërues/trajner në fushën e metodologjisë së hulumtimeve shkencore dhe programeve statistikore. Deri më sot kam arritur të publikoj 18 punime shkencore. Padyshim mbetet një ndër fushat që më së shumti e pëlqej ta vazhdoj në të ardhmen, pasi vetë specializimet e fundit ndërlidhen me kërkimet shkencore.
Si e përcakton Rama suksesin ?
Kuptimi i vërtetë i suksesit është një rrugëtim i gjatë përgjatë të cilit do të kesh shumë sfida, ka raste që do të mendosh që nuk mund të i’a dalësh sepse në rrugën e suksesit do të gjesh njerëz që do të krijojnë pengesa e jo lehtësira, por puna e vazhdueshme do jetë suksesi për ty.
Për të qenë i suksesshëm nuk mjafton të kesh një diplomë universiteti, një certifikatë apo një punë, mjafton të punosh përgjatë gjithë procesit që në fund suksesi të jetë faktor determinues në rrugëtimin tënd të karrierës.
Cilat cilësi e bëjnë një udhëheqës të mirë ?
Një udhëheqës i mirë mund të krijohet si i tillë por jo detyrimisht duhet të lindësh me aftësi të udhëheqësit të mire. Mjafton që të jesh profesional në punën që bën dhe të jesh këmbëngulës drejt arritjes së qëllimeve jetësore, të kesh aftësi sociale dhe të jesh i mirë organizuar. Duhet të kesh përvojën dhe aftësinë e nevojshme për të qenë së pari një udhëheqës pastaj të klasifikohesh si udhëheqës i mirë.
E konsideroheni veten të sukseshëm ? Nëse po cili është faktori më i madh që ju ka ndihmuar të jeni i tillë?
Unë mund ta konsideroj veten të suksesshëm në veprimtaritë që kam punuar me vite për të arritur këtë sukses. Faktori më i rëndësishëm që më ka ndihmuar që të jem i suksesshëm është interesi im për të adaptuar njohuri dhe aftësi të reja, puna e jashtëzakonshme në adaptimin e tyre, mbështetja e pakushtëzuar e familjes dhe shoqërisë.
A mund të më tregoni për një kohë kur pothuajse hoqët dorë, si u ndjetë për këtë dhe çfarë bëtë në vend që të mos dorzoheni ?
Ka pasur momente në jetë ka kur unë kam vendosur të heq dorë duke u ndjerë i pafuqishëm për të proçeduar dhe mbrojtur atë për të cilën kam punuar dhe ëndërruar ta realizoj por që e gjithë kjo ka zgjatur maksimalisht një ditë dhe më pas i jam kthyer mendimit që duhet të luftoj përsëri për të realizuar ëndrrat e mia.
Sa vjeç keni qenë kur keni pasur punën tuaj të parë të paguar? Cila ishte ajo ?
Punën time të pare e kam filluar si freelancer në moshën 20 vjeçare. Ka qënë puna e parë në të cilën unë kam arritur që të krijoj të ardhurat e para për veten dhe familjen. Megjithatë këtu nuk janë të përfshira angazhimet dhe aktivitetet tjera që kanë pas për qëllim ngritjen profesionale timen.
Ku e shihni veten tuaj në 10 vjet ?
Jo shumë e lehtë për tu përgjigjur në situatën në të cilën jemi duke u zhvilluar si shoqëri dhe si qytetarë të këtij globi, vështirë për të planifikuar për vitet e ardhshme, por mendoj që do të jem duke vazhduar karrierën time si një mësimdhënës universitar, me një doktoratë të përfunduar, bashkë me arritje shkencore e akademike, dhe si një ndërmarrës i suksesshëm.
Mund të më tregoni për angazhimet aktuale ?
Aktualisht jam angazhuar si konsulent në një ndërmarrje kombëtare e cila kryesisht ka për fokus menaxhimin e projekteve. Jemi duke zhvilluar një plan të biznesit të përbashkët me një kompani amerikane e cila do të fokusohet kryesisht në ofrimin e shërbimeve në edukim joformal dhe do të luaj rolin e outcrossing për tregun amerikan. Gjithashtu udhëheq programin për zhvillimin e shkencës në tre vendet e ballkanit ( Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut) dhe drejtoj Institutin e Prishtinës për studime ndërkombëtare ekonomike dhe disa nga programet brenda tij. Në të njëjtën kohë ushtroj rolin e ligjëruesit në një Qendër Profesionale të Kurseve në Kosovë.
A mendoni se talenti do të jetë gjithmonë i mjaftueshëm për të qënë i sukseshëm ?
Nuk mendoj që talenti do të jetë gjithmonë i mjaftueshëm për të qenë i suksesshëm. Talenti është një indikator verifikues që të faktorizon për të filluar rrugëtimin e vështirë drejt arritjes së synimeve e aspiratave jetësore por nuk është i mjaftueshëm që ti të jesh i suksesshëm. Duhet shumë angazhim dhe punë për të arritur qëllimet jetësore.
Cila është këshilla juaj për të rinjtë shqiptarë?
Këshilla ime për të rinjtë shqiptarë është që çdo synim të cilin e keni në jetë, kërkon shumë punë dhe angazhim por asnjëherë dëshpërim, çdo sfidë në jetë është një forcë që të sjell në një mundësi të re, prandaj ju sugjeroj të rinjve shqiptarë që pavarësisht sistemit të brishtë në të cilin ndodhemi, sistemit diskriminues dhe aspak favorizues, të vazhdojmë të realizojmë ëndrrat të cilat i kemi lënë në gjysmë….
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
