Vëllezërit Rabiaj thyejnë tabutë publikisht mbi shëndetin seksual riprodhues
07/12/2020 Shpërndaje

Vëllezërit Rabiaj thyejnë tabutë publikisht mbi shëndetin seksual riprodhues

Familja është vendi i parë dhe më i sigurt për të marrë bazat e edukimit mbi shëndetin seksual riprodhues.

Andi dhe Marjo Rabiaj janë dy vëllezër me tetë vite diferencë në moshë, që vijnë nga qyteza e Ballshit ku të flasësh për shëndetin seksual riprodhues i tejkalon kufijtë e tabusë. Vëllezërit do të thyejnë tabutë publikisht duke rrëfyer momentet intime.

Andi fillon duke treguar për “Jo Tabu” herën e parë kur ka shkuar të blejë prezervativ dhe momentet e sikletshme që ka kaluar.

“E mbaj mend shumë mire. Faktikisht nuk e kam blerë në qytetit tim, por në qytet afër nesh dhe kam qenë me shokët. Jam futur në farmaci dhe nuk dija as si t’i thosha emrin dhe ja tregoja me gisht që kam nevojë për… “Çfarë thoshte”- farmacisti dhe unë i thashë që dua pak nga ato që përdorin çiftet. Në ato momente jam skuqur totalisht në fytyrë dhe farmacisti duke qeshur ma ka thënë pa lekë. Mbaj mend që kam qenë diku të 16 ose 17 vjeç”,- rrëfen Andi.

Të flasësh me prindërit është ende turp dhe siklet madje dhe kur je djalë, madje edhe në kohët e sotme. Dy vëllezërit ndajnë me ne momentin kur kanë folur me prindërit për marrëdhënien e parë seksuale.

“Të paktën me mua nuk kanë qenë fort të lidhur për të biseduar e shohin si tabu qoftë prindërit tanë, qoftë edhe prindërit e tjerë”, shprehet Andi.

“Po thjesht e kam thënë si me shaka që kam shkuar me një vajzë, por jo të flasim aq hapur”, thotë Marjo.

Andi tregon gjatë bisedës edhe momentin kur ka parë për herë të parë site pornografikë.

“Gjëja e parë që bëra sa mora telefonin. Në formatin video duhet të ketë qenë në vit të parë, shkolla e lartë kur patëm akses në kompjuter, telefon”, tregon Andi për Jo Tabu, emision ky, i cili mbështetet nga Unfpa Albania. 

Prindërit shqiptarë druhen të flasin për tema të tilla me fëmijët edhe pse e dinë që është e rëndësishme ’a bëjnë dhe kjo për tre arsye themelore.

Fëmijët kanë pyetje për seksin, por vështirë se do t’iu afrohen prindërve për të folur. Edukimi seksual në familje është mirë që të nisë që në moshë parashkollore, prindërit duhet t’u mësojnë të vegjëlve emrat e organeve seksuale dhe faktin që nuk duhet të lejojnë askënd t’i prekë ato.

Për fëmijët e fillores sugjerohen biseda të shkurtra dhe të shpejta. Ato duhet të bazohen në kërkesat që ka fëmijë për të mësuar rreth kësaj teme. Adoleshenca është mosha kur fëmijët duhet të kenë marrë njohuri të mjaftueshme për aspektet fizike, emocionale dhe morale që lidhen me seksin.

Andi dhe Marjo shkojnë përtej rrëfimit të eksperiencës së tyre dhe ndajnë mesazhin e fundit që kanë për shoqërinë shqiptare.

“Ti thyejmë barrierat që ka kjo shoqëri, tabutë që ka kjo shoqëri, konservatizmin shoqëror që ka kjo shoqëri për t’a kthyer në një vend më të lire, ku njerëzit të flasin lirshëm dhe të mos skuqen kur flasin mbi kondomin, mbi një marrëdhënie, mbi një akt seksual”, rrëfen Andi.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.