Tutkunët e bidonëve dhe lundërtarët e Magelanit
I hedhur nga një tutkuni në një korije, bidoni plastik qëndroi gjatë aty. Shiu dhe era e përudhën ca më vonë. Në zabelë pa se kishte jo pak si ai. Kur sosi në brigjet e lumit, vuri re sa shumë ishin. Një mizëri. Më shumë me radhë, pa bërë zë, bidoni vuri re se soji i tij zmadhohej, ngjishej. Aty, anës lumenjve. Mes atyre visoreve mahnitëse, idilike. Prapë ndjente se ishte ndalesë e përkohshme. Kur një rrebesh i çartur erdhi afër, i shkuli rrënjët, e pa veten në një lundrim epik. Nëpër fshatra, qytete e lugina, një eksod i vërtetë. Derisa bidoni plastik, që tutkuni e laçoi diku pasi u dend me lëngun e tij, ndryshoi përfundimisht vendbanim. E gjen veten në breg të detit, ngulur në rërë, mes mijërave si ai. Miliona si ai. Një kontinent hedhurinash tani ka mbirë aty. Kudo ku lumenjtë, nga jugu në veri, kanë hequr nga kurrizi, kanë lëshuar me mërzi, me një lloj bezdie, mbeturinat e tutkuneve. Tani për ta flitet në lajme. Pamje e fundbotshme.
Ky shkarkim i lumenjve ka nxjerrë zbuluar një dramë, një krim të pashoq. Ndotja dhe vrasja e mjedisit me duart tona. Gjurmet e kësaj paturpësie janë jo vetëm në skaje, në periferi atje ku dikush mendon se nuk e sheh njeri, po edhe në mes të qytetit.
Përpos ndërgjegjes, ngjan se tutkunëve u mungon dhe një ndjenjë. Hapësirat ku lënë plastikën, nuk u duken mbase si të përbashkëta. U vjen se nuk u përkasin. Si të jenë të huaja, të dikujt tjetër. Kjo me gjasë i ka bërë dhe armiqësorë, pos tutkunë. Patjetër se ka ndikuar te kjo gjendje edhe grykësia e disa për të marrë gjithçka, për të futur në kthetra territore e vende.
Në një ditë si kjo, 500 vjet më parë, Magelani nisi nga porti i Seviles një prej lundrimeve më të guximshme e heroike në histori, atë të kalimit në anën tjetër të botës, të pashkelur më parë nga njeriu.
Në krye të njëqind burrave e me 5 anije, ai, para se të gjente shtegun që kaloi nga Atlantiku në Paqësor, e më tej, pati ndalesa në ishuj, ngushtica e gjire.
Cvajku me profilin e lundërtarit sjell detaje se si këta zbulues, që ishin kaq larg shtëpisë, tregoheshin miqësorë e të kujdesshëm me mjediset e reja, me botën e panjohur krejt nën këmbët e tyre.
Ishte në filozofinë e Magelanit se me ato toka e banorë do të ndërtonin marrëdhënie e tregti.
Pasi shkelën në Ishujt e Erezave duke i rënë nga ana tjetër, dhe kuptuan se bota qe e rrumbullaket, ata që kishin ngelur prej asaj aventure të çmendur vendosën të kthehen.
Mjeshtër është Cvajku që na i sjell gjallë ato momente. Kur dalluan pas 3 viteve mundim, kepin e Vinsentit në Portugali, skajin e fundit kontinental të Europës, ata u ndjenë në shtëpi.
Mjafton një ecje rreth stadiumit Dinamo që të ngresh pyetjen: Pse nuk ndihen në shtëpi këtu? Ata që kanë hedhur mijëra shishe e kanoçe cepave, tek pjesa rreze kangjellave, në gjithë perimetrin që rrethon këtë stacion sportiv.
Kjo në mes të Tiranës. Po mund ta dallosh te liqeni, dhe te ai i Thati pak më tutje.
Lehtësia me të cilën dekorohet ambienti i përbashkët me këtë turp, është e pabesueshme.
Vështirë se kjo do të ndalet me ligj, me penalitete, e me fushata. Ndoshta, do të mbarojë kur, ashtu si lundërtarët e Magelanit 500 vjet më parë, ata ta shohin si tokën, vendin, ambientin, shtëpinë e tyre.
Nga Edi Lesi
© 2025, Pozitivi. All rights reserved.
