Vëllezërit Fetahaj: Deri në 16 orë punë në ditë për të arritur ëndrrën
06/07/2019 Shpërndaje

Vëllezërit Fetahaj: Deri në 16 orë punë në ditë për të arritur ëndrrën

Bashkimi dhe Fadili e kanë filluar gjithçka nga zeroja ndërsa sot kanë 10 punëtorë. Biznesi familjar, pos servisimit të veturave, numëron mbi 100 vetura të markave të ndryshme, ndër to edhe lukzoze, që janë në shitje.

Teksa shkojmë në drejtim të Murtenstrasse në Courtepin, në Kantonin e Fribourgut, shohim shumë qendra për shitblerje dhe servisim të veturave. E njëra ndër to, pos për objektin më të madh dhe për veturat e shumta e luksoze, binte një sy edhe për një gjë tjetër. Ishte pikërisht emri i saj, pra quhej Auto Center Fetahaj. Konkludimi ishte i lehtë, pronari duhet të jetë patjetër shqiptar.

Pasi që kishim një avari të vogël në veturë, vendosëm të hynim dhe t`i hedhim një sy. Tek hyrja na pret punëtorja që merret me klientët, e cila na orienton tek mekanikët. Aty takohemi edhe me Fadil Fetahajn, apo siç e thërrasin miqtë, Fritz-in. Me të kuptuar që jemi shqiptarë, biseda zhvillohet në gjuhën shqipe, me kafenë e shërbyer. Pas interesimit tonë për të mësuar më shumë rreth biznesit, takohemi edhe me pronarin, Bashkim Fetahajn.

“E kemi filluar gjithçka nga zeroja. Sot është shumë e lehtë të flitet, por kur kthehem mbrapa në vitin 1999 e deri më sot, shihet se sa punë e mund është dashur për të arritur këtu ku jemi“, fillon rrëfimin e tij Bashkimi, i cili pasionin e tij rreth veturave e kishte shfaqur qysh në fëmijëri.

8 orë punë në ditë? Është tepër pak! Ndërsa tash, biznesi familjar i regjistruar si Shoqëri Aksionare, pos objektit modern ku bëhet servisimi e veturave, në pjesën e përparme numëron mbi 100 vetura të markave të ndryshme, e shumë nga to edhe luksoze, të cilat janë në shitje.

Edhe pse tashmë numërojnë 10 punëtorë, për Bashkimin dhe Fadilin, ende 8 orë punë në ditë nuk mjaftojnë, sepse sipas tyre nëse do të ecësh përpara, 8 orëshi normal i punës është tepër pak.

Policët mendojnë se ka ndodhur vjedhje, i gjejnë Fetahajt duke punuar

Ndër klientët e rregullt të biznesit te tyre, janë edhe shumë nga përfaqësitë diplomatike të huaja në Zvicër, pos Kosovës e Shqipërise, e Gjermanisë, deri vonë ishte edhe ambasada e Serbisë, që dëshmon profesionalizmin që ushtrohet në këtë qendër.

Por duke parë zhvillimet e tregut, Bashkimi pranon se tashmë është më shumë i fokusuar në shitblerjen e veturave. Vetëm në vitin  2017 i kanë shitur 599 vetura.

Aty rastësisht takojmë edhe Hugo Mugglin, një ish polic zviceran, klient shumëvjeçar e tashmë edhe mik i pronarëve. Ai tregon një ngjarje interesante rreth fillimit të miqësisë së tij me Bashkimin.

Teksa kalonte një natë afër punëtorisë së Bashkimit, sheh në orët e vona të natës ende dritën ndezur. Duke menduar se mund te kishte ndonjë vjedhje, ai thërret për ndihmë edhe një njësit tjeter. Por kur hynë brenda, aty shohin Bashkimin ende duke punuar./albinfo.ch/


© 2019, Pozitivi. All rights reserved.