Ulet çmimi, por protesta nuk shitet për naftë, qytetarët 7 ditë në shesh për kërkesat
Ndonëse qeveria ka ngritur Bordin Kombëtar të Monitorimit të Karburanteve i cili do të vendosë çmimin e e karburanteve duke marë si referencë çmimin që hidrokarburet do shiten në bursa një ditë më pare, protestat kanë vijuar edhe ditën e sotme në vend.
Sot, në raport me çmimin fiks të ditëve të fundit që u tregtuan deri në mëngjesin e së martës, nafta dhe benzina shiten me rreth 6 lekë më pak, pasi që prej datës 12 mars tregtoheshin për 217 lekë me vendimin e parë të Bordit të Transparencës të ngritur me vendim qeverie.
“Bordi i Transparencës në mbledhjen e radhës ka vendosur të ulë më tej çmimet e karburanteve. Tashmë nafta do të shitet për 211 lekë për litër, e po kaq do të tregtohet edhe benzina. Ndërsa çmimi i gazit ka mbetur i pandryshuar dhe vijon të shitet për 93 lekë për litër. Pikat e karburanteve në kryeqytet kanë reflektuar ndryshimet në çmim menjëherë pas vendimit të Bordit.”, thuhet në njoftim.
Këto çmime sipas vendimit të Bordit të Transparencës do të jenë të vlefshme për dy ditë, për periudhën 15 dhe 16 mars e më pas grupi i punës do të mblidhet sërish për të pasqyruar çmimet e reja për konsumatorët.
SI FUNKSIONON BORDI
Vendimi i zbardhur në fletoren zyrtare përcakton qartë detyrat e Bordit të monitorimit të karburanteve. Në të theksohet se për përcaktimin e çmimit final, referencë do të jetë çmimi i shpallur nga bursa në Platts i një dite më parë ndërsa më pas do të shtohet një vlerë prej 20 USD/ton dhe taksat e tatimet, sipas ligjit në fuqi. Ndryshe nga sa deklaroi kryeministri se çmimi do të miratohet çdo ditë në vendim përcaktohet se Bordi cakton çdo javë ose kur e vlerëson të nevojshme, çmimin tavan për shitjen e naftës , benzinën dhe gazin e lëngshëm.
MASAT NDAJ KARBURANTEVE
Pasi Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve ka vendosur çmimin fiks të shitjes së naftës, janë publikuar edhe masat që do të merren ndaj bizneseve që nuk zbatojnë vendimet e bordit.
Në rast të moszbatimit të vendimit shoqëritë e tregtimit me pakicë të naftës rrezikojnë gjobë 2 mln lekë, ndërsa për shoqëritë e tregtimit me shumicë parashikohet një penalitet prej 10 mln lekësh. Në rast se shkelja përsëritet parashikohet edhe heqja e licencës së tregtimit të hidrokarbureve.
“Në rast të mosrespektimit të çmimit tavan përkatës, të vendosur nga Bordi, zbatohen sanksionet e mëposhtme: a) Shoqëritë e tregtimit me shumicë të produkteve të naftës dhe gazit dënohen me gjobë, në masën 10 (dhjetë) milionë lekë; b) Shoqëritë e tregtimit me pakicë të produkteve të naftës dhe gazit, të cilat nuk respektojnë çmimin tavan përkatës të vendosur nga Bordi, dënohen me gjobë, në masën 2 (dy) milionë lekë; c)Në rast përsëritjeje, masave të mësipërme, të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të këtij neni, i shtohet edhe heqja e licencës së tregtimit”, thuhet në vendim.
Në dokumentin e zbardhur përcaktohen edhe nivelet e fitimit .Shoqëritë e tregtimit me shumicë do të kenë të drejtë të bëjnë një shtesë në çmim, jo më shumë se 1%, ndërsa për shoqëritë e tregtimit me pakicë lejohet një shtesë, jo më shumë se 5%.
Duke qenë se kompanitë e kanë detyrim që të mbajnë rezerva për 90 ditë në avancë për të shmangur një krizë, nëse nuk e bëjnë një gjë të tillë, biznesi përjashtohet për një periudhë 3-vjeçare nga mundësia për të marrë pjesë në një tender. Gjithashtu do të ndëshkohet me gjobë për 50% e vlerës të produkteve rezervë që i mungon.
“Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me shumicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin masa për mbajtjen e rezervave përkatëse, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi, dhe të ofrojnë këtë shërbim të pandërprerë, në përputhje me vendimet e Bordit. 2. Të gjitha shoqëritë, që tregtojnë me pakicë produktet dhe nënproduktet e naftës dhe gazit, janë të detyruara të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizimin e pandërprerë të konsumatorit/qytetarit, në përputhje me vendimet e Bordit. 3. Mosmarrja e masave nga shoqëritë private, sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, dënohet sipas legjislacionit të fushës dhe këto shoqëri përjashtohen nga procedurat e prokurimit publik për një periudhë 3-vjeçare nga Agjencia e Prokurimit Publik”, thuhet në Aktin Normativ. LEXO të gjitha masat
PAKETA E REZISTENCËS
Në këtë situatë krize kryeministri ka prezantuar dhe paketën e rezistencës sociale. Janë 36 milionë dollarë që do të shkojnë për të moshuarit, në vend për të përballuar çmimet që po rriten dita ditës. Pensionistët që jetojnë me të ardhura shumë të ulëta dhe shtresat më në nevojë, do të marrin më shumë, një shtesë prej 3 mijë lekësh, ka deklaruar kryeministri Rama. Pjesën e luanit të ndihmës, u tregoi Rama pensionistëve, shkon për energjinë pasi ajo kushon shumë me tepër se sa ata e shohin në faturë. Për kompensimin e energjisë, qeveria parashikon një fond prej 200 milionë dollarësh, ndërsa taksa e naftës nuk hiqet, tha edhe një herë kryeministri, duke ironizuar me protestën.
KOMITET TEKNIK PËR ÇMIMET BAZË
Pas Bordit për monitorimin e tregut të naftës do të ngrihet edhe një taskë-forcë për çmimet bazë. Kështu tha sot kryeministri Edi Rama. Gjatë një bashkëbisedimi me biznesin e vogël kreu i qeverisë tha se do të merren masa si në kohën e pandemisë por duke treguar kujdes për të mos bllokuar furnizmin.
PROTESTA NË DITËN E 7-KËRKESAT
Pavarësisht masave të prezantuara, qytetarët e Tiranës kanë dalë në ditën e 7-të për të protestuar kundër rritjes së çmimeve. Në protestën e së martës qytetarët kanë prezantuar të gjithë kushtet e tyre për qeverinë shqiptare. “Këto janë kërkesa të cilat janë dakordësuar me grupe të ndryshme të interesit. Janë kërkesa që përfshijnë sa më shumë qytetarë.
Kërkesa numër një është ulja e qëndrueshme e karburanteve me vendet e rajonit. Masa për uljen e bazës fiaskale dhe përballimin e marzhit të fitimit. Pezullim i taksës së qarkullimit dhe asaj të karbonit. Zerimi i përkohshëm i taksës së shportës. Përcaktim i përkohshëm i marzhit të fitimeve në industrinë e hidrokarbureve.
Masa për mirëfunksionimin e tregut. Pezullim i përkohshëm i koncensionit të markimit, i koncensionit të pompave, që ndikojnë në rritje e çmimit të naftës. Mbikëqyrje dhe raportim periodik i AK çdo 3 muaj për të gjithë operatorët ekonomikë. Rishikimi i buxhetit të shtetit për vitin 20022, për shkurtimin e buxhetit të luksit. Krijimin e një kompanie të naftë për konkurrimin në treg në fushën e karburanteve. Masa mbështetëse dhe funksionimi. Përcaktimi me ligj i minimumit jetik. Barazim i pensioneve të pjesshme i minimumi ty jetik. Zgjerim i kompensimit dhe mbështetjes për fermerët”.
Kujtojmë se Rama e ka quajtur protestën një turp kombëtar. “Atyre që dalin atje do i conim një muaji faturën reale të energjisë dhe t’i themi , atëherë do i duket pompa e kaburnatit si biberon qumshti, që do e thinin më shumë qejf”. Madje, protesta e qytetarëve tha Rama, i pëlqen vetëm Rusisë. “Një protestë këtu që mund t’i pelqejë Rusisë. Po mund t’i pëlqejë, sepse kjo është një nga pjesët e strategjisë së asaj në lufte. Që vendet që mbështesin Ukrainën të ngrihen në protesta ekonomike, që të harrojnë çfarë luhet atje”.
ÇMIMET E LARTA
Gjatë muajit shkurt çmimet e ushqimeve kanë arritur pikun. Ekonomia shqiptare po përballet me një rritje të fortë të çmimeve e ndikuar direkt nga transporti dhe ushqimet. Kjo ka bërë që inflacioni nga 3.7% që ishte në janar të kërcente në 3.9 % gjatë muajit shkurt i cili rezulton më i larti i dekadës së fundit në vend.Ndikimin kryesor në rritjen e çmimeve e kanë dhënë grupi i transporteve me një rritje me 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Po ashtu edhe grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” u shtrenjtua me 6,9 %, “Komunikimi” me 3,3 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 3,2 % “, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,8 %. Edhe nafta arriti rekord historik. Një litër naftë arriti cmimin e 265 lekëve në kryeqytet.
Ishin pikërisht këto çmime që kanë nxitur protesta në të gjithë vendin për 7 ditë me radhë. Pavarësisht ndërhyrjes së qeverisë qytetarët nuk janë të kënaqur deri në plotësimin e kërkesave. Protestave të qytetarëve sot u janë bashkuar edhe studentët e disa universiteteve në Tiranë. Ata kanë kërkuar uljen e tarifave. Në këtë situatë, ku janë rritur edhe çmimet, ata thonë se kostoja e studimeve është bërë e papërballueshme.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.


