A po i zëvendëson tekonogjia përkthyesit?
29/11/2022 Shpërndaje

A po i zëvendëson tekonogjia përkthyesit?

Zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë ka vendosur në pikëpyetje të ardhmen e shumë profensioneve në të gjithë botën. Një ndër to edhe profesionin e përkthyesit. A ndihen të rrezikuar përkthyesit sot se së shpejti tregu nuk do të ketë më nevojë për ta dhe mund të zëvendësohen nga metodat alternative? Desara Bregu, e cila prej disa vitesh ushtron këtë profesion, ka ndarë me ne këndvështrimin e saj.

Kjo është një ndër pyetjet më të shpeshta që i bëhet pothuajse çdo përkthyesi. Është krijuar ideja sikur përkthimi është nga ato fusha ku nuk nevojitet një profesionist për ta kryer, por mund ta bëjë kushdo që ka njohuri në të paktën dy gjuhë, ose në rastin më të keq, përkthyesi mund të zëvendësohet lehtësisht nga tekonogjia. Personalisht, nuk ndihem aspak e rrezikuar nga përdorimi i metodave alerernative të përkthimit dhe mendoj se asnje koleg imi që punon me profesionalizëm, nuk e ndjen këtë rrezik. Të vetmit përkthyes, që ndihen dhe janë realisht të rrezikuar nga metodat alternative, janë ata që ofrojnë shërbimin e tyre duke përdorur këto metoda. Dhe nëse do të keni përballë punët e secilit, diferenca do të jetë shumë e qartë edhe për ata që nuk i përkasin fushës së përkthimit apo gjuhësisë. Thënë kjo, metodat aleternative të përkthimit vetëm sa vënë në pah aftësitë e vërteta të një përkthyesi dhe në këtë kontekst efekti i tyre është krejtësisht i kundërt me pyetjen tuaj dhe besimin e përgjithshëm. Ato në të vërtetë, në njëfarë mënyre i shërbejnë për mirë punës sonë. Të përkthesh nuk është vetëm çështje fjalësh, por kërkon që përmes këtij procesi të bësh të asimilueshme një kulturë, brenda një kulture tërësisht tjetër. Kjo është diçka që asnjë pajisje teknologjike nuk arrin ta realizojë, pavarësisht nivelit të lartë të inteligjencës artificiale që mund të ketë.

A ka një fushë specifike, brenda fushës së gjerë të përkthimit, për të cilën tregu ka më shumë nevojë? Përkthyesja Desara Bregu na tregon disa nga specifikat e profesionit të saj.

Secili përkthyes, pavarësisht se mund të lëvrojë në fusha të ndryshme, gjatë përvojës specializohet në një fushë të caktuar më shumë se te të tjerat. Për të dhënë një përgjigje sa më pranë së vërtetës për këtë pyetje, mendoj se duhet pyetur secili përkthyes, brenda fushës specifike. Sepse, përkthimet e të gjitha fushave janë shumë të kërkuara: si ato juridike, ekonomike, shëndetësore, audio-vizive, letrare etj. Brenda seciles fushë mund të ketë lloje të caktuara përkthimesh që kërkohen më shumë se të tjerët, por një përgjigje që t’i përgjithësojë të gjitha, nuk mund të kem.

Më tej, ajo na tregon vështirësitë dhe sfidat me të cilat përballet çdo ditë me punën e saj.

Një nga vështirësitë me të cilat përballemi, lidhet me pyetjen tuaj të parë: ndihemi shpesh të paragjykuar se puna jonë nuk kërkon aspak mund, njohuri, kohë e përkushtim. Kjo sjell edhe problematika që lidhen me pagesat, ku disa klientë mund ta konsiderojnë shumë të lartë çmimin zyrtar të një faqeje të përkthyer. Tjetër vështirësi me të cilën përballemi janë afatet shpesh të pa arsyeshme brenda të cilave klientët kërkojnë dorëzimin e punës, pa e ditur që gjithçka kërkon minimumi një kohë fizike të caktuar, përveç mundit, lodhjes fizike dhe ezaurimit mendor. Çmimet me të cilat paguhen përkthyesit, janë gjithashtu një sfidë e këtij profesioni. Përveç përkthyesve zyrtarë të licencuar nga Ministria e Drejtësisë, të cilët kanë një tarifë fikse për shërbimin që ofrojnë, fushat e tjera paguajnë relativisht pak. 

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.