Tërmeti mbledh politikën, Rama bashkë me ‘kundërshtarët”
28/11/2019 Shpërndaje

Tërmeti mbledh politikën, Rama bashkë me ‘kundërshtarët”

Politika shqiptare është bashkuar si rrallëherë, pas fatkeqësisë që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, i cili solli humbjen e disa jetëve dhe mbi 658 të plagosur.

Kryedemokrati Lulzim Basha është parë në Thumanë në një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti pak metra më tutje zv. kryeministrit Erion Braçe dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Gjithashtu edhe kryeministri Edi Rama ditën e sotme në festën e flamurit ka hedhur një hap të rëndësishëm bashkimi mes politikës. Rama dhe presidenti Ilir Meta shtrënguan duart gjatë ceremonisë së ngritjes së flamurit në Vlorë, duke lënë anash të gjitha përplasjet e vazhdueshme.

Rama një gjest të tillë, në shenjë bashkimi për këtë tragjedi e ka bërë edhe me rivalin demokrat Lulzim Basha.

Kryeministri ka lënë anash ndasitë politike duke ndarë në rrjete sociale një mesazh të kryedemokratit Basha, video e cila bëhej me rastin e 107 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe kishte në thelb bashkimin, për të kapërcyer këtë periudhë të vështirë në të cilën ndodhet populli ynë.

“Megjithë ndasitë tona, në orë nevoje, ne jemi një komb i bashkuar. Shqipëria e vërtetë është ajo njerëzve me zemër dhe forcë të madhe”, është një nga fragmentet që mbante videoja e publikuar nga Basha.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.