Shqiptarët bëjnë spektakël në Gjenevë për festën e flamurit, vajza e diplomatëve rrëfen atmosferën magjike
28/11/2017 Shpërndaje

Shqiptarët bëjnë spektakël në Gjenevë për festën e flamurit, vajza e diplomatëve rrëfen atmosferën magjike

Festa e pavarësisë ose siç njihet ndryshe “Dita e Flamurit”,  ka mbërritur në çdo vend ku ka shqiptare, brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Kristela Tepelena  nga Tirana, studente e vitit te dytë në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Gjenevës dhe vajza e dy diplomatëve shqiptarë gjatë një interviste për pozitivi.org rrëfen atmosferën dhe organizimet që kanë bërë shqiptarët për 28-29 nëntorin edhe pse larg vendlindjes.

Kristela vendosi të studiojë jashtë duke ndjekur rrugën e mamasë së saj, e cila është emëruar diplomate pranë Misionit të Shqipërisë në Gjenevë, para disa vitesh. Këtë vit është një përvjetor i veçantë, 105 vjet pavarësi dhe eventi i organizuar me këtë rast kishte edhe një përgjegjësi e emocion të veçantë, thotë Kristela.

Komuniteti Shqiptar në Gjenevë organizoi një koncert para dy ditësh ku morën pjesë qindra shqiptarë. Në këtë koncert pjesëmarrës ishin fëmijë dhe të rritur, ku kënduan e kërcyen këngë nga treva të ndryshme shqiptare,  si ‘Për mëmëdhenë’ dhe ‘Për ty flamur’, e të tjerë.

‘Një ndër momentet më të veçanta gjatë kësaj shfaqjeje, ishte ndarja e çmimeve të mirënjohjes për studentet, të cilët kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera në nivelin superior të shkollimit, në atë të masterit’, tha Kristela. Kristela është një vajzë e re plot energji pozitivie. Krenarinë që ka për vendin e saj, Shqipërinë e shpreh kudo, në universitet dhe mes komunitetit ku jeton  në Gjenevë.

Kritela në intervistën e plotë tregon me detaje si po festohet 28-29 nëntori, benefitet dhe vështirësitë e të studjuarit jashtë, mbi të gjitha ka një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët. “Të jetosh dhe studjosh jashtë vendit sot do të thotë, në rradhë ta parë, të marrësh një copë të Shqipërisë me vete dhe ta vendosësh në një vend që ose e njeh mirë dhe e respekton, ose nuk e njeh fare, ose e njeh keq.

Ndaj, e rrethuar nga ky mjedis, të duhet që jo vetëm të mësosh, por ta shëndrrosh rezultatin në shkollë në një sfidë. Pra, është në rradhë të parë përgjegjësi, më shumë se vështirësi. Së dyti, benefitet shkojnë së bashku me përgjegjesitë. Në Gjenevë, në këtë qytet me shumë histori, qytetërim dhe kulturë, përfitimi nuk është vetëm për ne shqiptarët, por edhe për të gjithë të huajt të cilët vijnë edhe nga vende të zhvilluara si Franca, Kanada, etj”, tha Kristela për Pozitivin.

Intervista me Kristela Tepelena për pozitivi.org:

Pozitivi: Një prezantim të vetes, kush është Kristela Tepelena?

 Kristela: Jam Kristela Tepelena, dhe prej 2 vitesh e gjysmë jam zhvendosur nga Tirana në Gjenevë, Zvicër ku ndjek dhe studimet në Fakultetin e Shkencave Sociale ne Universitetin e Gjenevës. Nuk e kisha menduar ndonjëhere të studioja e jetoja në Zvicër por ndoqa « rrugën » e mamasë sime, e cila para disa vitesh u emërua si diplomate pranë Misionit të Shqipërisë në Gjenevë. Jam shumë e lumtur për zgjedhjen që bëra.

Pozitivi: Festa e pavarësisë është një nga më të rëndësishmet që festohet shumë në Shqipëri. Si po ndihet atmosfera në familjen tënde, çfarë keni menduar të bëni gjatë 2 ditëve?

Kristela: Festa e Pavarësisë ose, siç njihet ndryshe “Dita e Flamurit”, festohet në Shqipëri, në trojet shqiptare dhe kudo që ka shqiptarë në të gjithë botën. Nëse ka një festë që bashkon të gjithë shqiptarët nën një urim e përbetim (siç thotë Himni ynë) është pikërisht kjo ditë e veçantë, madje do të shtoja është një ditë kur edhe miqtë e shqiptarëve na urojnë.

Unë jam rritur nga dy prindër diplomatë dhe që fëmijë jam familjarizuar me ndjenjën që kudo në botë që shkoj, kjo është një ditë e veçantë, madje edhe këto ditë që vijnë do të përjetohen me miq bashkëatdhetar, plot emocione dhe me një urim të përbashkët: për një atdhe të begatë e pafundësisht ditëlindje të lumtura.

Pozitivi: Me rastin e festës keni organizuar një aktivitetit në Gjenevë, më trego më shumë rreth koncertit? Në çfarë vendi u zhvillua dhe e kujt ishte ideja?

Kristela: Ajo që doja të thoja, së pari, është se këtë vit ishte një përvjetor i veçantë, 105 vjet Pavarësi dhe eventi i organizuar me këtë rast kishte edhe një përgjegjësi e emocion të veçantë. Një shfaqje për festën e pavarësisë organizohet çdo vit nën drejtimin e Komunitetit Shqiptar në Gjenevë. Shfaqja u zhvillua në një sallë spektaklesh me përmasa mëse normale, por duhet theksuar qe publiku ishte mbi kapacitetin e menduar, “Salle des fetes d’ Avanchet”, rreth orës 19:00.

Pozitivi: Sa orë zgjati dhe kush performoi?

Kristela: Eventi zgjati rreth 90 minuta. Pjesëmarrës ishin fëmijë dhe të rritur, ku kënduan e kërcyen këngë nga treva të ndryshme shqiptare. Si këngë klasike, të cilët i kemi mësuar, pa përjashtim, që në vegjëli si ‘Për mëmëdhenë’ dhe ‘Për ty flamur’, ashtu edhe këngë të reja të përgatitura enkas për shfaqjen e datës së 25 nëntorit nga Shpëtim Krasniqi, me këngën « Amaneti për Kosovë e Shqipëri », i cili ishte një duet mes babait dhe të birit. Performuan fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët ndjekin klasa shqipe këtu në Gjenevë ose dhe Atelien e teatrit pranë «Rinia Kontakt» , si dhe «Ansambli Gëzuar » dhe « Rapsodet Gjenevë ».

Një ndër momentet më të veçanta gjatë kësaj shfaqjeje, ishte ndarja e çmimeve të mirënjohjes për studentet, të cilët kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera në nivelin superior të shkollimit, në atë të masterit.

Pozitivi: Ti ishte një nga prezantueset e koncertit. Si ishte kjo eksperiencë për ty?

Kristela: Nuk ishte hera e parë në jetën time në një rol të tillë dhe para një publiku të gjerë në sallë. Që në moshë fare të vogël, kam dalë nëpër skena të ndryshme në evente shkollore. Për të qenë e sinqertë kisha paksa emocione deri në momentin që dola në skenë, më pas ngrohtësia që më përcollën bashkëatdherat në sallë jo vetëm ma lehtësuan këtë angazhim, por ndjeva që isha e përfshirë në një atmosferë të bukur, ku ishte e vështirë të kuptoje ku mbaronin artistët në skenë dhe ku fillonin spektatorët. Por, ajo që ma bëri më të lehtë dhe më motivoi që të mos jetë eksperienca e fundit, ishte Zonja Mira Bregu. Që prej bisedës së parë me të, deri pas koncertit, prania e saj, edhe pse jo kurdoherë fizike, ishte inkurajuese, orientuese dhe shumë profesionale. Ndaj gjej rastin të përshëndes, falenderoj dhe shpreh mirënjohje për një njeri si ajo që ka brenda vetes diplomaci, gazetari, art dhe kulturë dhe mbi të gjitha rezaton mirësi. Në mungesë modestie, dua të ndaj me ju ndjesi: Jam jashtëmase e lumtur dhe mirënjohëse, që pas shfaqjes mora vetëm vlerësime pozitive dhe komplimenta mbi performancen time në skenë.

Pozitivi: Jemi mësuar që kudo që janë ngjyrat kuq e zi ka përjetohen emocione të veçanta. Ma përshkruaj pak atmosferën që u krijua mes shqiptarëve në Gjenevë?

Kristela: Më vjen mirë dhe ndjehem krenare për një gjë: në këtë qytet, ngjyrat kuq e zi dhe prania e shqiptarëve, përmes integrimit, është një vlerë e shtuar e një qyteti kozmopolit dhe e një shoqërie të hapur që respekton çdo kulturë e çdo komb. Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe edhe me shqiptarë, në një koncert ku ata, të shumtë në atë sallë, të mos krijonin një atmosferë të denjë për një komb që di të gëzojë, të lumturohet dhe të përcjellë qytetari e kulturë. Për fat të mirë, sot kultura nuk njeh as kufinj dhe as pengesa, dhe shqiptarët e Gjenevës krijuan një atmosferë aq të bukur e festive, sa mendoj që do ta kishin zili edhe qytetarë të tjerë, zviceran apo nga komunitete të ndryshe. Sinqerisht, një Bravo Shqiptarëve të Gjenevës!

Pozitivi: Kishte shumë shqiptarë që morën pjesë, po të huaj?

Kristela: Në atë sallë mendoj se kishte vetem shqiptarë, por jam e bindur që suksesi i shqiptarëve dëgjohet dhe përcillet si jehonë si histori suksesi. Jam e lumtur të konsstatoj se shqiptarët nuk asimilohen, por integrohen dhe falin vlera si: miqësia, besimi dhe besnikëria, duke krijuar shumë miq, ndaj dhe miqtë e admiruesit i kemi të shumtë. Hezitova ne momente te ndryshme te ftoja shoqerine time te huaj zviceriane te vinin dhe te me ndiqnin gjate prezantimit, por meraku im i vetëm ishte vështirësia e gjuhës, por nëse do ta mendoja sërish sot, do të veproja ndryshe, pasi kultura dhe arti i popujve është gjëja më e kollajtë sot të kuptohet, edhe pa ditur gjuhën. Besoj se është mësim për herën tjetër.

Pozitivi: Ti ke 2 vite në Gjenevë? Si është festuar më parë?

Kristela: Siç ju thash edhe më lartë, në rradhë të parë kjo është një Festë tashmë familjare dhe nga viti në vit ndryshimin e bëjnë vetëm eventet, siç ishte ky koncert i realizuar në 105 vjetorin e Pavarësisë. Por, një gjë e them me bindje, që në vigjilje të kësaj dite, pavarësisht festimeve, duket sikur edhe shpirti vishet kuq e zi. Festimet në Shqipëri, sigurisht që janë më ndryshe, aty është një popull i tërë që feston, je i rrethuar nga flamuj kudo, nga urime, gëzim dhe hare, që kulmon në darkë me fishekzjarre. Ndërsa këtu, Festa jonë është një ditë në mozaikun mikpritës zviceran dhe atmosfera është disi më e kufizuar në ato mjedise ku ka bashkatdhetar.

Pozitivi: Ti studion në një universitet ku ka shumë të rinj shqiptarë. Keni menduar të organizoni diçka?

Kristela: Po është e vërtetë që ka shumë të rinj shqiptare dhe gjithashtu është dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Gjenevës (AEAG- Association des étudiants albanais, Genève) ku dhe unë bëj pjesë. Në spektaklin e organizuar me rastin e Festës së Pavaresisë unë isha përfaqësuesja e kësaj shoqate. Shoqata e Studenteve Shqiptarq në Gjenevë organizoi para dy javësh një mbrëmje në një lokal shqiptar, ku u mblodhën shqiptarë jo vetëm nga Gjeneva, por edhe qytete te tjera që ndodhen jo larg Gjenevës. Ishte një mbrëmje fantastike, ku nuk mungonin argëtimet, te qeshurat dhe kërcimet sidomos vallet popullore. Ne 28 nëntor, Shoqata e shqiptareve ka vendosur të shfaqë një film « Kukumi », i realizuar ne vitin 2005 nga Isa Qosja dhe i vleresuar si filmi më i mirë dhe me regjizorin më të mirë në festivalin e filmit në Tiranë. Pas projektimit të filmit, do zhvillohet një diskutim rreth asaj që do të shihet. Jam  krenare që kemi një shoqatë shumë aktive dhe ku lidhja e shqiptarëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi, Luginën e Preshevës, etj. është shumë e fortë!

Pozitivi: Të studiosh dhe jetosh jashtë kam përshtypjen se ka disa benefite dhe vështirësi. Çfarë planesh ka Kristela në të ardhmen?

Kristela: Të jetosh dhe studjosh jashtë vendit sot do të thotë, në rradhë ta parë, të marrësh një copë të Shqipërisë me vete dhe ta vendosësh në një vend që ose e njeh mirë dhe e respekton, ose nuk e njeh fare, ose e njeh keq. Ndaj, e rrethuar nga ky mjedis, të duhet që jo vetëm të mësosh, por ta shëndrrosh rezultatin në shkollë në një sfidë. Pra, është në rradhë të parë përgjegjësi, më shumë se vështirësi. Së dyti, benefitet shkojnë së bashku me përgjegjesitë. Në Gjenevë, në këtë qytet me shumë histori, qytetërim dhe kulturë, përfitimi nuk është vetëm për ne shqiptarët, por edhe për të gjithë të huajt të cilët vijnë edhe nga vende të zhvilluara si Franca, Kanada, etj. Edhe ambjenti politiko-diplomatik që ofron Gjeneva është një benefit më vete, me institucionet ndërkombëtare që kanë selitë e tyre, dhe bëhet fjalë për institucione që kanë prioritet njeriun dhe të drejtat e tij.

Zakonisht planet e mia bëhen kur jam e qetë dhe pas provimeve. Ato plane, kalojnë nga diplomacia, tek sociologjia apo rregjizura e moda. Por, jam e bindur se deri sa të mbaroj provimin e fundit do ta kemi të vështirë të projektoj planet e mia. Ndjej që jam një studente me ëndrra dhe energji pozitive për t`i vendosur ne funksion të planeve të mia.

Pozitivi: Ke një mesazh urimi për të gjithë shqiptarët?

Kristela: Gëzuar këtë Festë me F të madhe për të gjithë ne shqiptarët! Gëzuar pafundësisht Shqipëri! Në këtë ditë qofshim 105 herë më të lumtur, më të begatë dhe më të lidhur me njëri-tjetrin.

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.