Ministria e Arsimit/ Durrës, Alesia rrëfen përjetimet e tërmetit: 2 vite pa shkollën dhe shtëpinë time
Më shumë se 2 vite pas tërmetit Alesia Dyrmishi banore e fshatit Kullë në Sukth të Durrësit, jeton në shtëpinë e xhaxhait të saj.
Para 26 nëntorit të 2019, Alesia jetonte në një pallat 5 katësh, i cili u dëmtua rëndë nga tërmeti. Fatmirësisht siç tregon Alesia nuk pati dëme të mëdha në njerëz, por vetëm materiale.
“Edhe pallati i shtëpisë time është dëmtuar nga tërmeti. Shkalla e dëmtimit ishte ds5 ndaj u shemb komplet si pallat. Pati dëme të mëdha”, tha ajo për pozitivi.org.
Natën e 26 nëntorit ajo ka qenë në shtëpi me të vëllanë, mamanë dhe babanë e saj. Momentet e tmerrit ajo i përshkruan kështu.
“Kur ra tërmeti ishim në shtëpi të gjithë. Kur filluam të ndjenim ato lëkundjet e para dëgjonim zhurmat në pallat teksa të gjithë po zbrisnin sepse pallati ishte 5 katësh. Kur po zbrisnim të gjithë filluam dhe ne të hapnim dyer e të dilnim jashtë. Ishte një ndjesi e keqe, s’e përshkruaj dot. Asnjë nuk u dëmtua në pallat, pasi të gjithë dolëm jashtë. Unë kam edhe një vëlla, më i madh se unë. U trembëm të dy, unë pak më shumë”.
Kur ndjeu lëkundjet e para të tërmetit Alesia thotë se u shtang. “Ishim pak të hutuar. Derisa dolëm përjashtë, pastaj kur po rrinim dhe shihnim që dolën të gjithë filluam të qetësoheshim pak nga pak. Në të gjithë fshatin Kullë ku jetoj unë pati shtëpi dëmtuara shumë, por asnjë viktimë”.
Jo vetëm nga shembja e shtëpisë, Alesia u trondit kur mori një tjetër lajm të trishtë. Kur pa shkollën të shkatërruar nga tërmeti, asaj i thanë se edhe godina e saj do shembej. Bëhet fjalë për shkollën Ismet Nanushi në Sukth ku ajo ka studiuar që nga kalasa e parë deri më tani. Kjo e keqe solli dhe një lajm shumë të mirë, për Alesian dhe të gjithë nxënësit e kësaj shkolle. Një shkollë që e kishin parë vetëm në ëndrra. Godina tërësisht e re dhe me të gjitha kishtet për të zhvilluar mësimin me standarde europiane hapi dyer në mars.
“Shkolla e re është shumë herë më mirë se çka qenë. Me kushtet jemi shumë të kënaqur. Çdo gjë është shumë e mirë. Nuk u shemb plotësisht nga tërmeti por u dëmtua shumë. Kur pamë që shkolla ishte dëmtuar u ndjemë shumë keq, por më keq u ndjemë kur morëm lajmin se do shkonim në një shkollë tjetër. Ky lajm na hutoi”.
“Nuk kemi shumë ditë që kemi ardhur në shkollën e re. Unë e kam pare shpesh shkollën teksa rindërtohej dhe më vinte shumë mirë që do bëhej shkolla më e re dhe me kushte shumë të mira”.
Tashmë 17 vjeçarja është në pritje të rindërtimit të pallatit të saj, aty ku ka të gjitha kujtimet e fëmijërisë.
“Pallati nuk është rindërtuar ende. E kanë shembur dhe ende është ashtu. Kanë thënë që do rindërtohet por se dimë se kur. Tani po jetojmë te shtëpia e xhaxhait. Mezi e presim që të ndërtohet sepse s’ka shtëpia jote. Sado që është shtëpia e xhaxhait aty ndihesh si e huaj. Në pallatin tim kam pasur të gjithë shoqërinë. Para tërmetit mblidheshim të gjithë bashkë kurse tani jemi shpërndarë. Mblidheshim shumë fëmijë para pallatit tani nuk mblidhemi më”.
Teksa e kujton ditën e tërmetit si një nga ditët më të trishta, Alesia uron që të mos përsëritet më kurrë.
“Ishte ndjesi shumë e keqe kur mora vesh që kishte shumë njerëz që kishin humbur jetën nga tërmeti. Uroj të mos ndodhë asnjëherë më”.
/pozitivi.org
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
