Një yll në ngjitje, njihuni me Eridën valltaren që inspiron të rinjtë drejt artit
01/02/2019 Shpërndaje

Një yll në ngjitje, njihuni me Eridën valltaren që inspiron të rinjtë drejt artit

“Largohuni nga teknologjia, në jetë ka shumë gjëra të bukura për të bërë”, këtë mesazh iu drejton të rinjve valltarja 22 vjeçare Erida Stana gjatë një interviste për pozitivi.org. E reja është në fillimet e karrierës por ka lëshuar rrënjë në zemrat e adhuruesëve të folklorit shqiptar. Prej 6 vitesh është pjesë e ansamblit “Folk Alb” si soliste kryesore e ansamblit dhe si asistente koreografe. Kërcimi i buron nga zemra. Ajo nuk pushon për asnjë moment. Vazhdimisht ka marrë pjesë në festivale brenda dhe jashtë vendit, ku është nderuar me çmime si “Valltarja më e mirë e festivalit”, “Personaliteti i Vitit”, “Dasma më e mirë shqiptare” etj.

Frymëzim ka profesorin e saj, koreografin e ansamblit “Folk Alb” Avni Ndreu. Folklori për të është pasuria më e bukur që ka ky vend. “Folklori është gjëja më e bukur jo vetëm për mua po për gjithë shqiptarinë. Folklori, vallja, kënga i kalon kufijtë e kudo ku shqiptarët ndodhen falë folklorit kanë Shqipërinë me vete. Është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhi një të reje si unë, sepse arti është i bukur me pafundësinë e tij”, thotë valltarja.

Përgjatë intervistës me Pozitivin përveç emcioneve të mëdha që përjeton në skenë na rrëfen një moment të veçantë që e inspiron të mos ndalet kurrë. “Dua të tregoj një moment që e konsideroj tepër të bukur dhë është pikërisht letra që më dhuroi një e panjohur pasi më kishte parë për herë të parë të performoja. Aty më kishte shkruar përshtypjet e saj për performancën dhe ishin fjalë që ma mbushën zemrën. Është bukur kur kupton që dikush të vlerëson pa interes atë çfarë t’i dhuron në skenë”. Erida në fund të intervistës përcjell një mesazh inspirues për të gjithë të rinjtë: Dua të ftoj shumë të rinjtë të largohen një orë nga teknologjia dhe të merren me art sepse aty do kuptojnë se në jetë ka shumë gjëra të bukura për të bërë.

Intervista e plotë me Erida Stana për pozitivi.org nga Beklie Koltraka:

Pozitivi: Erida ti je një vallatare e re, jo shumë e njohur, na trego më shumë për veten…

Unë jam Erida Stana jam 22 vjeç , me origjinë nga Burreli. Aktualisht jam në vit të tretë të shkollës së lartë për mjekësi veterinare, në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Pasioni im më i madh është vallja popullore si dhe muzika.

Pozitivi: Si e ke kuptuar pasionin për kërcimin (vallet popullore) dhe kur vendose t’i kushtohesh tërësisht?

Unë që e vogël kam qenë shumë e dhënë mas kërcimit edhe këngës. Gjatë gjithë kohës vetëm kërceja edhe këndoja dhe gjithmonë vetën time e mendoja si pjesë të këtyre të dyjave. Kur kam vendosur të jem pjesë e Folk Alb ka qenë falë profesorit tim të valleve, ai ishte personi i parë që më ftoi të marr pjesë në prova dhe që nga ai moment nuk jam shkëputur më.

Pozitivi: Prej sa kohësh je pjesë e ansamblit Folk Alb?

Jam pjesë e Folk Alb prej 6 vitesh.

Pozitivi: Cilat kanë qenë aktivitetet ku ke marrë pjesë me ansamblin?

Unë që prej 6 vitesh kam marrë pjesë në çdo festival të organizuar ku ka qenë pjesë Folk Alb si brenda dhe jashtë vendit. Ky ansambël nuk di të pushojë për asnjë moment. Aktivitetet, evenimentet, videoklipet janë të panumërta.

Kam marrë pjesë në Fermo Ancona Italy 2013. Në Festivalin Botëror “Aviano-Piancavallo”, ku konkuronin një grup nga Amerika e Jugut, një grup nga Afrika, një grup nga Azia dhe ansambli jonë nga Europa. Për të vijuar më tej me Festivalin Mbarëkombëtar të Vallëzimit Popullor e atij kontemporan ku morëm kupën e festivalit organizuar nga Albania Gymnastrada 2014.

Kam marrë pjesë në Festivalin Mbarëkombëtar “Ritet Pranverore” në Krrabë organizuar nga Bashkia e Tiranës, ku morëm çmimin e parë ndër 13 grupe, si dhe çmimin “Koreografia më e mirë e Festivalit”.  Ndërsa unë mora çmimin “Valltarja më e mirë e festivalit”.

Kam marrë pjesë në Festivalin Multikulturor organizuar nga Bashkia Kamëz në 2015, ku mes një konkurrence të fortë ansambli “Folk Alb” mori çmim të dytë. Ne Festivalin Mbarëkombëtar “Jehona e Hasit” Prizren Kosovë 2015. Në Festivalin Mbarëkombëtar të Drenasit, ku grupi jonë mori çmimin e tretë mes mbi 30 grupeve pjesëmarrëse.

Përsëri në Kosovë në Festivalin “Anadrinia” ku morëm çmimin “Shfaqja më Rekreative e Festivalit”. Në 2015 në aktivitetin e organizuar nga Bashkia Kamëz për “Personalitetin e Vitit”, Ansambli “Folk Alb” u shpall  “Personaliteti i Vitit 2015” ndërsa unë si artiste e spikatur u shpalla “Personalitete e Vitit 2015” mes 500 kanditaturave të përzgjedhura për individë dhe institucione.

Ne Strugë, Maqedoni në Festivalin Mbarëkombëtar “Këngë Jeho” u nderuam me çmimin “Dasma më e mirë shqiptare” 2018. Ne Festivalin Mbarëkombëtar në Plavë-Guci , Mal i Zi 2018 “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon”, u vlerësuam me çmimin e dytë, ndërsa unë u shpalla “Valltarja më e mirë e festivalit”.

Në Festivalin Mbarëkombëtar “Sofra Dardane” ku morën pjesë mbi 38 grupe, ansambli jonë mori çmimin e dytë dhe unë përsëri “Valltarja më e mirë e festivalit”. Mes këtyre janë dhe shumë aktivitete dhe çmime të tjera, këtu përmendim çmimin si dueti më i mirë i festivalit si këngëtare. Në vitin 2017 gjithashtu në Turqi , Rumani… Dhe në shumë festivale të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Pozitivi: Na trego më tepër për vallet e tua të preferuara…

Ne vetë si ansambël kemi një emër të bukur Fol Alb që do të thotë  Folklori Shqiptar dhe nuk mund të cilësoj një valle sepse ne çdo valle që e bëjmë , e bëjmë sepse e ndiejmë, na pëlqen dhe ky është suksesi jonë që kemi fituar shumë çmime dhe që jemi aq të angazhuar. Çdo valle, si ato të jugut të shqipërisë së mesme apo veriu, kanë veçantinë e tyre, të bukurën e tyre ndaj nuk mund të them një valle specifike. Folklori shqiptar është pasuria më e bukur që ka ky vend.

Siç thashë edhe më lart ne nuk përfaqësojmë vetëm një trevë. Roli im në ansambël është si soliste kryesore e ansamblit dhe si asistente koreografe.

Pozitivi: A e mban mend vallen e parë që ke kërcyer?

Vallja që kam kërcyer për herë të parë ka qenë “Vallja e Shqipeve”. Isha shumë e emocionuar. Kisha dalë edhe herë të tjera në skenë po si këngëtare, ndërsa si valltare për herë të parë kam dalë në skenë në Itali në Ankona dhe normalisht ishte emocion dhe shumë frikë se si mund të dilja. Të them të drejtën edhe pse kaq shumë vite përsëri skena të jep emocion gjithmonë.

Pozitivi: Ke ndonjë valltar/e shqiptare që të ka frymëzuar?

Frymëzimi im më i madh është profesori im i valleve AVNI NDREU gjithmonë them unë thjesht dua të bëhem si ai. Është i paarritshëm si koreograf dhe si valltar dhe nëse unë jam kjo që jam sot është falë tij. Ai është frymëzimi më i madh i imi dhe i të gjithëve në ansamblin Folk Ab.

Pozitivi: Ti je aktive gjithë kohës me ansamblin dhe puna të është vlerësuar edhe me çmime të rëndësishme. Sa të kanë frymëzuar çmimet?

E vërtetë, jam e aktivizuar sepse kohën time e kam ndarë në dy pjesë, atë të shkollës dhe të ansamblit. Çmimet janë një frymëzim i madh se aty vlerësohet puna jote dhe të motivon gjithmonë për më shumë dhe që të mos ndalosh kurrë në atë rrugë që ke nisur.

Pozitivi: Çfarë rëndësie ka folklori shqiptar në sytë e një të reje?

Folklori është gjëja më e bukur jo vetëm për mua po për gjithë shqiptarinë. Folklori, vallja, kënga i kalon kufijtë e kudo ku shqiptarët ndodhen falë folklorit kanë Shqipërinë me vete. Është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhi një të reje si unë, sepse arti është i bukur me pafundësinë e tij.

Pozitivi: A mendon se po ruhen dhe trashëgohen vlerat kulturore, konkretisht vallet shqiptare, nga brezi i ri?

Në ansamblin tonë kemi mosha nga 4 vjeç deri te më të rriturit të grupit tim. Kjo do të thotë që të rinjtë duan ta trashëgojnë folklorin dhe traditat shqiptare të këngëve dhe valleve. Por mendoj që institucionet duhet të bëjnë më shumë për t’i inkurajuar këto të rinj, që të mos humbasë kjo pasuri po të shpalosin vlerat e tyre në mbarë botën.

Pozitivi: Cilat janë planet e tua në të ardhmen? Ku e sheh veten?

Së pari dua të mbaroj shkollën, të angazhohem në atë çfarë kam më shumë dëshirë dhe që është primare për mua: vallet popullore.

Pozitivi: Cilat janë disa nga momentet më të bukura që ke kaluar në skenë?

Momenti më i bukur për një artist është sapo të prekë skenën sepse çdo përpjekje bëhet për atë skenë. Momente të bukura ka pasur shumë. Dua të tregoj një moment që e konsideroj tepër të bukur dhë është pikërisht letra që më dhuroi një e panjohur pasi më kishte parë për herë të parë të performoja. Aty më kishte shkruar përshtypjet e saj për performancën dhe ishin fjalë që ma mbushën zemrën. Është bukur kur kupton që dikush të vlerëson pa interes atë çfarë t’i dhuron në skenë.

Pozitivi: Po lumturia çfarë është për ty?

Lumturia për mua ka një emër ansambli Folk Alb.

Pozitivi:  Një mesazh pozitiv për brezin e ri dhe të vjetër të valltarëve…

Ndonjëherë edhe pse nuk vlersohemi sipas meritës unë ju them që dëgjoni zemrën dhe vazhdoni atë që doni. Në mos herët vonë do e marrësh meritën për atë çfarë ti ke dhënë, për më të mirën tënde. Dua të ftoj shumë të rinjtë të largohen një orë nga teknologjia dhe të merren me art sepse aty do kuptojnë se në jetë ka shumë gjëra të bukura për të bërë. Nga Beklie Koltraka

© 2019 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.