SHQIPËRIA PO PLAKET, SFIDAT QË NA PRESIN!
26/02/2021 Shpërndaje

SHQIPËRIA PO PLAKET, SFIDAT QË NA PRESIN!

Qeveria shqiptare duhet të gjejë një zgjidhje afatgjatë për inkurajimin e lindjeve, pas shifrave alarmante mbi plakjen e popullësisë! Në 15 vitet e ardhshme vendi do të përjetojë një rritje të paprecedentë të popullatës mbi 65 vjeç. Në këtë përfundim vjen raporti “Sfidat Demografike dhe Shëndetsore” me të cilat përballet vendi në shekullin e 21, prezantuar nga UNFPA. I hartuar nga një grup ekspertësh në fushat e demografisë dhe shëndetit publik, ky raport ka nxjerr në pah sfidat më emergjente të Shqipërisë jo vetëm për shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve, por edhe për nënat e tyre.

Sipas të dhënave, pavarësisht politikave të fundit të qeverisë që inkurajojnë lindjet me bonusin e bebes, situata ka nevojë për zgjidhje afatgjatë. Ekspertët bëjmë me dije se “Qeveria e Shqipërisë duhet të konsiderojë hartimin e një politike të integruar multidisiplinore dhe multisektoriale, që përfshin rininë dhe çështjet gjinore. Kjo do të kishte efekte të prekshme dhe të qëndrueshme mbi demografinë dhe zhvillimin e vendit, siç është demostruar në mënyrë te suksesshme në vende të tjera” citohet në raport.

Po sipas këtij raporti, pavarësisht stanjacionit të dekadës së fundit në nivelin e vdekshmërisë foshnjore dhe fëminore, politika që duhet të ndjekë qeveria shqiptarë duhet të ketë në fokus jo vetëm përmiresimin e cilësisë së shërbimeve në maternitete,  por duhet të përfshijë edhe kujdesin për nënat gjatë shtatëzanisë, çka është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit si të nënës, ashtu edhe të foshnjes.

Nga ana tjetër, në raport evidentohet fakti se, të dhënat mbi shëndetin e nënave dhe fëmijëve duhet të sigurohen jo vetëm përmes zyrave të gjëndjes civile, të cilat regjistrojnë vdekjet dhe shkaqet e tyre, por edhe përmes shërbimeve të kujdesit shëndetësor. Ky burim informacioni, sipas ekspertëve, mund të jetë më i saktë, bazuar në një traditë të ruajtjes dhe raportimit të të dhënave me cilësi të lartë pranë shërbimeve të nënës dhe fëmijës në kujdesin parësor.

Raporti u prezantua më 26 Shkurt, me pjesmarrjen e autorëve të analizës dhe aktorëve të interesit.

“Raporti nxjerr në pah nevojën për t’u përqendruar tek potenciali i të rinjve në vend, jo vetëm për të ndaluar migracionin, por edhe për të ngadalësuar procesin e mplakjes. Raporti gjithashtu thekson se fokusi tek të moshuarit duhet të përbëjë një axhendë të re për kujdesin shëndetësor dhe social. Raporti nuk le më pas vëmendjen ndaj të drejtave të njeriut dhe të drejtave të shëndetit riprodhues. Duke adresuar rregullimin e abortit, ndalimin e abortit për shkak të gjinisë, si edhe duke fuqizuar gruan për të marrë vendime vetë, ky raport nënvizon rëndësinë e të drejtave të shëndetit riprodhues si pjesë e të drejtave të njeriut.”, – u shpreh Dr. Arjan Gjonca, Ekspert i Demografisë në London School of Economics, një nga autorët e analizës.

 “UNFPA shpreson që kjo analizë e thelluar do të shërbejë si një bazë për sektorin publik shtetëror dhe atë joqeveritar për të përmirësuar më tej politikat që lidhen me shëndetin dhe demografinë e popullit shqiptar.”, – deklaroi Zj. Elsona Agolli, Analiste Programi për Çështjet Gjinore dhe Popullsinë në zyrën e UNFPA në Shqipëri.

Raporti është një vazhdim i punës së bërë me Studimin Shqiptar Demografik dhe Shëndetësor 2017-2018 (ADHS 2017-2018) dhe përdor të dhënat e ADHS dhe të një numri të madh burimesh të disponueshme për çështjet e trajtuara, që nga regjistrat vitalë, të dhënat e censuseve, të dhënat nga përdorimi i shërbimeve e deri tek studime të veçanta në popullatë. Ky raport u prezantua në partneritet me Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, Punës dhe Çështjeve Sociale koordinuar nga Fondacioni NESMARK si partner zbatues i UNFPA Albania.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.