Shkruan histori shqiptare në italisht, Ibrahimi përlotet kur tregon momentin emocionues me të birin: Më thuaj të dua në shqip
26/10/2019 Shpërndaje

Shkruan histori shqiptare në italisht, Ibrahimi përlotet kur tregon momentin emocionues me të birin: Më thuaj të dua në shqip

Shkrimtarja Anilda Ibrahimi është me origjinë shqiptare por që zgjodhi të shkruajë në gjuhën italiane. Ibrahimi është një shkrimtare ndërkombëtare që nga viti 2008, e cila në katër romanet e saj përcjell histori shqiptare të shkruara në gjuhën italiane të cilat aktualisht janë përkthyer në 6 gjuhë të ndryshme të botës.

Në javën e gjuhës italiane Ambasada Italiane në Shqipëri e ka sjellë shkrimtaren në një takim me nxënës të shkollës Ismail Qemali në Tiranë, ku ka folur për 4 librat e saj. Takimi është zhvilluar në formë bashkëbisedimi ku të rinjtë i kanë drejtuar pyetje mbi krijimtarinë, karrierën dhe jetën e saj.

“Rosso come una sposa” është libri i saj i parë në vitin 2008, me të cilin është vlerësuar dhe me çmimet “Edoardo Kihlgren”, “Corrado Alvaro”, “Giuseppe Antonio Arena” etj. Më pas boton “Dashuria dhe rreckat e kohës”. Në vitin 2012 botoi “Nuk është ëmbëlsi”. «Emri yt është një premtim» është libri i fundit i shkrimtares për të cilin ka marrë çmimin “Rapallo Carige” në Itali. Në këtë roman tregon historinë torturuese të një familje hebreje që u ikënn nazistëve.

Njërës prej pyetjeve të nxënësve se pse ka zgjedhur të shkruajë në gjuhën italiane kur në të vërtetë gjuha e saj është shqipja, ajo përgjigjet duke thënë se e ka të nevojshme të shkruajë në gjuhën në të cilën jeton.

“Unë kam zgjedhur të shkruaj në një gjuhë që e jetoj. Kam nevojë për përditshmërinë time. Raporti me gjuhën është një raport dashurie. Është një raport që merr dhe jep. Unë kam nevojë ta prek përditshëmrisht gjuhën me të cilën shkruaj. Mbaj mend kur shkruajta librin e parë ia dërgova tim shoqi që ta lexojë, raporton pozitivi.org. Edhe bashkëshorti im nuk e besoi që e kam shkruar në gjuhën italiane, duke pasur një nënë dhe baba shqiptar”, ka thënë ajo.

Gjatë bisedës me gjimnazistët shkrimtarja u përlot ndërsa tregoi një moment emocionues me të birin, i cili edhe pse nuk di shqip i ka kërkuar shkrimtares ti thotë të dua në gjuhën e saj mëmë.

“Një ditë ndërsa po dërgoja tim bir në shkollë më bëri të përjetoj diçka që më bën edhe tani të qaj, sepse jam shumë sentimentale. Siç ju thashë dhe më përpara unë kam 3 fëmijë, fëmija im i 3 pas dy javësh bën 9 vjeç. Ai shkon në shkollë fillore, unë kam një lagje afër vatikanit. Djali ka në shkollë fëmijë nga shumë kombësi të ndryshme dhe për këtë ai është shumë i lumtur, mbi të gjitha nga miqësia e mamasë. Kur del nga shkollë vjen dhe më përqafon dhe thotë mami të dua shumë. Ndërsa unë i thashë edhe unë të dua shumë.

 Ai më tha mua ma thuaj në shqip. Dhe unë ia thashë përsëri në shqip të dua shumë shumë shumë. Dhe ai më tha tani po që të besoj.  Pastaj bëri një pushim dhe më tha: Sa keq që nuk flas shqip sepse do të ta thoja edhe unë shqip që edhe ti të më besoje se edhe unë të dua. Kjo gjë më preku shumë, unë akoma qaj kur e kujtoj atë frazë. Për një moment ndalova në rrugë dhe po mendoja duke qarë se si një fëmijë 9 vjeçar arrin ta kuptojë se gjuha mëmë shpreh pa filtra dashurinë dhe mua më dukej se kur ia kam thënë në italisht nuk kishte aq vlerë sa kur ia thash në shqip”, tregon ndër të tjera Anilda, raporton pozitivi.org.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.