Shkolla në kohërat e Covid-19, a do mbyllen nëse shtohen rastet? (Të dhënat aktuale)
23/09/2020 Shpërndaje

Shkolla në kohërat e Covid-19, a do mbyllen nëse shtohen rastet? (Të dhënat aktuale)

Më 14 shtator nisi viti i ri shkollor, ndonëse në kushte të pazakonta për shkak të pandemisë. Rikthimi i nxënësve në bankat e shkollës siç ishte paralajmëruar ka shtuar vatrat e reja dhe infektimet.

Që në ditët e para të procesit mësimor, 12 mësues dhe 3 nxënës në Tiranë rezultuan pozitivë me Covid. Por në vetëm 2 javë që nga fillimi i shkollës virusi ka “hyrë” në disa prej tyre.

Vetëm njëra nga katër Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar, ajo e Lezhës, numëron 15 mësues me Covid. Ata nuk e kanë nisur punën, pasi bashkë me familjarë të tyre janë të izoluar. Të dhënat i bën me dije kreu i Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar në Lezhë, Bardhok Pulaj. “Nuk është një numër shumë i madh. Shpresojmë të mos ketë rritje të numrit të tyre nga kontaktet që kemi në shkolla. Po e ndjekim çdo ditë hap pas hapi situatën, që të marrim masa në kohë rekord. Kemi mësues në dispozicion për të bërë zëvendësimet”, ka thënë ai.

Në tri shkolla të Fierit janë identifikuar raste pozitive me Covid në radhët e nxënësve. Bëhet fjalë për nxënës të shkollave publike “Naim Frashëri”, “Jakov Xoxa” dhe “Penellopi Piro” të cilët janë izoluar në shtëpi. Të infektuar ka edhe një shkollë private. Të gjithë janë vetëkarantinuar në banesat e tyre, ndërsa dyshohet se e kanë marrë virusin nga prindërit ose të afërmit.

Covid-it nuk i ka shpëtuar as Delvina. Të infektuar ka në çerdhe, kopsht e shkolla. Më shqetësuese paraqitet rasti i një mësueseje që jepte mësim në tre shkolla, “Xhelal Berberi”, “Kosta Cavo” dhe shkollën e fshatit Lefterhor.

Ndërkohë që situata më serioze është në Tiranë ku ka të prekur mes mësuesve e nxënësve.

Mësuesit e infektuar janë në këto shkolla: 
Te gjimnazi “Partizani”
Te “Asim Vokshi”
Te “Avni Rustemi”
Te shkollat e Qesarakës
Te shkolla “17 shkurti”
Të infektuar në këto shkolla ka dhe nxënës por shifrat nuk dihen ende.

Pas shpërthimit të Covid, shkollat fetare në Shqipëri, janë mbyllur me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Të mbyllura janë “Memorial International School of tirana”, në të gjtha nivelet arsimore dhe Medreseja “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë.

Vendimi është firmosur nga kryeministri Edi Rama, por është kërkuar nga vet shkollat, pasi këto institucione kanë reaguar duke thënë se kanë kërkuar që të mbyllen, pasi janë “goditur” nga pandemia.

“Mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare “Memorial International School of Tirana”, në të gjitha nivelet arsimore. Mbylljen e veprimtarisë së institucionit privat, Medreseja “Hafiz Abdullah Zëmblaku”, Korçë”, thuhet në Vendim të Këshillit të Ministrave.


Teksa situata e Covid në shkolla ka filluar të bëhet shqetësuese Ministria e Arsimit u bën apel nxënësve dhe mësuesve që të respektojnë rregullat.

Ndërkaq edhe mjeku Pëllumb Pipero thotë se shkollat nuk duhet të neglizhojnë udhëzimet e ekspertëve, ndërsa ai vetë nuk e mbështet vendosjen e maskës nga fëmijët e ciklit të ulët.

“Ky virus nuk përjashton asnjë. Të gjithë mund t’i infektojë. Fati i mirë është që moshat e reja nuk sëmurën, por ata e transmetojnë, por deri në moshën 12-13 vjeç është e dokumentuar që nuk e transmetojnë, ose e përhapin shumë pak. Mbështes opinion e specialistëve dhe kolegëve në botë që maska deri në moshën 12 vjeç nuk rekomandohet. Stafi dhe prindërit duhet doemos të respektojnë protokollet e komitetit të ekspertëve”, tha për A2 mjeku Pipero.

Pipero më tej tregon edhe se si duhet ta përdorin fëmijët maskën në shkolla. “Është shumë e rëndësishme që maska të mbulojë hundën, gojën dhe deri poshtë mjekrës. Do t’i këshilloja prindërit, mësuesit dhe nxënësit, të edukojnë njëri-tjetrin që mos e bëjnë zakon ta ulin maskën, se sa herë e ulin, aq herë bëhet e papërdorshme. Ta mbajnë deri sa të mbarojë mësimi”.

Me shtimin e rasteve të Covid, opozita vijon akuzat kundrejt qeverisë, duke shtuar se nuk ka siguri në shkolla. “Vetëm 70% e shkollave tona kanë kushtet minimale të higjienës dhe 30% e tyre nuk kanë as ujë dhe as kushte minimale pastërtie”. Kështu ka akuzuar ish-deputetja e PD Jorida Tabaku, duke cituar një monitorim të bërë nga UNICEF.

“Situata bëhet alarmante në kushtet kur vendi po përballet nisjen e procesit arsimor me disa turne dhe kushte të rënduara të shkaktuara nga pandemia. Veç kushteve higjieno sanitare, Shqipëria merr notë ngelëse edhe përsa i takon përdorimit të internetit në shkolla, kompjuterave apo infrastrukturën e avancuar”, tha Tabaku.

Por çfarë do të ndodhë nëse situata nga pandemia përkeqësohet, a do të mbyllen shkollat?

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.