SFIDAT E KOMUNITETIT ROM MES DISKRIMINIMIT DHE PËRPJEKJES PËR TË QENË SI GJITHË TË TJERËT.
Të jesh pjesë e një komuniteti etnik ndryshe nga përkatësia e vendit ku jeton patjetër që ka sfidat e veta. Por ka disa komunitete që e kanë më të vështirë integrimin në shoqëri si psh komuniteti rom. Një prej pjesëtarëve të tij që ka rrëfyer historinë e jetës së vet është Sajmiri Haxhiu, operator social pranë Qendrës Komunitare Multidisiplinare të Bashkisë Tiranë. Sajmiri ka mbi 10 vjet që punon në këtë qendër, por fillimet e tij nuk kanë qenë të lehta.
“Dikur dhe unë kam qenë një adoleshent si gjithë adoleshendët e tjerë dhe merrja shërbimin në një qendër, ku aty bënim takime të rinjtë, informoheshim mbi tematika të ndryshme dhe më pas u bë implementimi i një projekti ku u morën 5 të rinj nga komuniteti rom dhe egjiptian, ku njëri nga ata isha dhe unë” – thekson Sajmiri.
Sajmiri tregon se ishte këmbëngulja dhe ambicja që e çuan para.
“Gjatë informacioneve që ne merrnim nga punonjësit në atë kohë, unë fillova të kuptoja më shumë për veten time. Në atë kohë unë kisha mbaruar vetëm arsimin 8-vjecar, por duke punuar me fëmijët thashë pse mos të rritem më shumë profesionalisht, ndaj nisa dhe shkollën e mesme me kohë të pjesshme. Bëra dhe disa kurse profesionale në disa qendra të formimit profesional”.
Sot ai është kthyer një advokues të të drejtave të fëmijëve.
“Punën që ata punonjës dikur e bënin me mua, sot e bëj unë me këta fëmijë. Fëmijët kanë të drejtë të ndihen të sigurt dhe të trajtohen me dinjitet”.
Esmeralda Shehu është punonjëse sociale pranë Qendrës Komunitare Multidisiplinare Bashkia Tiranë. Duke folur për historinë e Sajmirit, si një i ri rom që nuk ka ndalur së luftuari diskriminimin ajo thekson se ky djalë është model pozitiv edhe për të tjerët.
“Të bie në sy ai mesazhi që del nga zemra për të qenë një model pozitiv edhe për fëmijët, sidomos për të rinjtë për tu integruar akoma dhe më mirë në shoqëri. Sajmiri është këtu ku ka arritur, është edhe falë punës, vullnetit, këmbënguljes dhe mbështetjes së familjes së tij, që do të thotë vetë familja me modelin pozitiv ka përcjellë dhe ka dhënë një shtysë të madhe motivuese për tu pranuar dhe ecur përpara”.
Shumë të rinj të komuniteti rom përballen sot me diskriminimin në shoqëri, por ia kanë dalë të kapërcejnë vështirësitë dhe të kenë sukses në jetë.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.
